Dy vlonjatë vijnë në provë, trajneri Kanarsa gati për debutim tek Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2021 | 10:48

Dy vlonjatë vijnë në provë, trajneri Kanarsa gati për debutim tek Apolonia

Apolonia vazhdon përpjekjet për të përforcuar dhe plotësuar organikën. Shumë lojtarë janë testuar ka pasur gjatë këtyre dy javëve, por asnjë nuk i ka bindur drejtuesit. Të fundit që kanë zbarkuar në Fier për t’u provuar, janë dy vlonjatë: mbrojtësi David Bocaj dhe mesfushori Arbion Balilaj.

Apolonia 2

I pari është 23 vjeç dhe ka luajtur për Flamurtarin në sezonet 2014-2017, Luftëtarin në sezonin 2017- 2018 dhe me Orikun 3 vitet e fundit.

Kampionatin e kaluar është aktivizuar vetëm 418 minuta në 8 ndeshje me orikasit, ndërkohë që prezenca e tij e fundit në fushë datohet më 24 dhjetor 2020.

Bocaj do të testohet për disa ditë tek Apolonia dhe do të jetë trajneri Kanarsa ai që do të japë vendimin përfundimtar për mbrojtësin. I dyti është 21 vjeç dhe gjatë dy edicioneve të fundit ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe ka regjistruar 1208 minuta në 27 ndeshje.

Në një repart të mbipopulluar si mesfusha, Balilajt do t’i duhet shumë punë për të bindur stafin teknik të Apolonisë. Sakaq, fierakët do të zhvillojnë ndeshjen e tretë miqësore dhe sërish në fushën e vet.

Apolonia do të ritakohet me Bylisin, me të cilin vitin e shkuar është ndeshur edhe në Kategorinë Superiore. Megjithatë, tani vijnë me shumë ndryshime, nisur nga stafet teknike.

Takimi do të zhvillohet në orën 17:30 në stadiumin “Loni Papuçiu”. Në dy miqësoret e mëparshme, Apolonia ka barazuar 1-1 me FC Prizrenin dhe 0-0 me Burrelin. Testi me Bylisin do të jetë i pari edhe për trajnerin e Apolonisë, Juriy Kanarsa.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"