Dy përvjetorët humbës të Partizanit të Beogradit në Shqipëri, një histori e bujshme jugosllavo-shqiptare e futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2017 | 21:11

Dy përvjetorët humbës të Partizanit të Beogradit në Shqipëri, një histori e bujshme jugosllavo-shqiptare e futbollit

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

NË VEND TË PROLOGUT.

Kur shfletoj arkivin tim historik dhe mbes te futbolli shqiptar, çuditërisht tri skuadra klubesh më sundojnë për sa u përket lidhjeve të shumëfishta me ta: Buduçnost i Titogradit (sot Podgorica), Spartak i Moskës dhe Partizan i Beogradit. Me ta kemi ndeshje krejt të veçanta.

Me dy të parat kemi numrin më të shumtë të ndeshjeve të zhvilluara me klube të huaja. Me të tretin kemi dy histori të jashtëzakonshme. Për hir të së vërtetës, prej tij kemi marrë emrin e Partizanit tonë, ndërkohë që nuk e kemi lënë asnjëherë të fitonte me ne në Shqipëri. 30 vjet më parë, Flamurtari ynë i Vlorës e ka eliminuar nga Kupa e UEFA-s, duke bërë një nga sensacionet e asokohshme të futbollit në Europë. Një sensacion që ka lidhje pra me përkujtimin e 30-vjetorit të paraqitjes po sensacionale të Flamurtarit në Europë, përkujtim që e kemi filluar me shkrimin e 22 shtatorit 2017 këtu në

“Panorama Sport” me titullin: “Flamurtari 1986-1987, Europa e bujshme e tij”. Në njëfarë mënyre, ky i sotmi që do të vijojë edhe në numrin e nesërm, është kapitulli i dytë “jo i drejtpërdrejtë”, por edhe i drejtpërdrejtë i tregimit flamurtaras, në të cilët do të përshkohemi në ciklin tonë, një lloj tregimi që më 1987 është përjetuar gati në harkun e tre muajve kohë. Ka filluar më 16 shtator 1987 me fitoren e Flamurtarit 2-1 ndaj Partizanit dhe është mbyllur më 9 dhjetor 1987 me fitoren përtej historisë 1-0 të Flamurtarit ndaj Barcelonës.

Këto janë ndoshta tre muaj disi mitikë në historinë e futbollit shqiptar, sepse për herë të parë në histori shpirti futbolldashës shqiptar ka përjetuar europianizmin e tij, pikërisht në një Shqipëri asokohe jo të lirë, në fund të fundit. Ndërkaq, përkimi është përtej historisë. Partizani i Beogradit rikthehet në Tiranë pra plot 30 vjet mbas udhëtimit të Vlorës, përsëri në një ndeshje të UEFA-s, që sot quhet Liga e Europës. Besoj se ajo ndeshje, pra e nesërmja, kjo Skënderbeu – Partizan i Beogradit do të jetë një ndeshje e rrallë historie.

partizani beogradit 1946-1947

Kurrsesi nuk do të doja të trajtohej si një ndeshje mirë- filli Shqipëri – Serbi me reminishencat e asaj Serbi – Shqipëri të dronit të famshëm. Për të qenë të baraspeshuar për kah vërtetësia, kjo është thjesht vetëm një ndeshje historie, madje një ndeshje disi kavalereske historie; ose më saktë një duel kavaleresk midis dy të njohurve të vjetër. Dhe duhet thënë se ashtu si Partizani i Tiranës, që mirëfilli nuk ka qenë kurrë skuadër e Tiranës për kah “shumëkombësia” e tij shqiptare, edhe Partizan i Beogradit po mirëfilli kurrë nuk ka qenë një skuadër e Serbisë, bie fjala, si puna e Crvena Zvezdës. Për sa i përket “nacionalitetit”, Partizan i Beogradit ka qenë një skuadër shumëkombëshe e Jugosllavisë nën fanellën e së cilës kanë qenë lojtarë prej të të gjithë republikave e krahinave të shtetit jugosllav.

Partizan i Beogradit ka ardhur në Shqipëri për herë të parë 70 vjet të shkuara, më 1947, kur sapo kishte të dalë në fushën e lojës Partizani i një Shqipërie, e cila, me dy fitoret e saj, do të mahniste Partizanin e Jugosllavisë mû në vitin kur ky do të fitonte trofetë e parë të tij, Kampionatin dhe Kupën e Jugosllavisë. Mandej ka ardhur pra, 30 vjet më parë për t’u eliminuar në Shqipëri për një Kupë të Europës. Dhe rivjen sot te Skënderbeu i Korçës, duke synuar që ne ta mposhtim përsëri këtë klub të madh të një prej shkollave të futbollit më të njohura të Europës, asaj jugosllave, sot e ndarë të paktën dyshas, atë serbe dhe atë kroate, të cilat, më fort se askush tjetër, kanë sendërtuar përmbi 60 vjet futbollin e Partizanit të Beogradit – Nënkampion i Europës më 1966.

PARTIZAN I BEOGRADIT DHE SHQIPTARËT “E TIJ” TË KOSOVËS.

Është viti 2007. Shtatë orë në Beograd, në udhëtim e sipër për në Bregenz të Austrisë për në Kongresin e 70-të të AIPS (Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv) së bashku me kolegun Vladimir Grillo, qenë jodrejtpërdrejt edhe përmbajtje e dy evenimenteve të rralla të futbollit shqiptar, të ndara disi përgjysmë midis nesh. Unë synoja të përjetoja 60-vjetorin e mposhtjes së Partizan të Beogradit në Tiranë më 1947, Ladi atë të 20-vjetorit të triumfit të Flamurtarit të Vlorës, kur nga stadiumi “Jugoslavenstvo Narodna Armija” (“JNA”) u kishte dhënë shqiptarëve kualifikimin më zâmadh të një klubi shqiptar në Kupat e Europës.

Në të vërtetë punë historie. Kisha qenë për herë të fundit në Beograd në nëntorin 1983 gjatë udhëtimit për Sara të Gjermanisë në kualifikimin historik të Shqipërisë NEN 21, ndërsa kolegu më 1987 në kualifikimin e drejtpërdrejtë të Flamurtarit. Kishim arsye për ta prekur në kësi “jubilesh” kryeqytetin, tash vetëm të Serbisë. Dhe drejt e në stadiumin “JNA”, siç është thirrur dikur shkurtimisht ai. Natyrisht nuk dëshironim aq fort të kujtonim edhe një “jubile” tjetër, humbjen 0-4 të 40 vjetëve më parë (1967) të Kombëtares po në këtë stadium i ndodhur në Humska 1 – 11000 të Beogradit, pranë një peizazhi blerimplotë. Aty ishte edhe selia e FK Partizan.

Dhe stadiumi që kishte zhdukur edhe gjurmën e fundit të Ushtrisë së Josip Broz Titos. Kishte marrë emrin e ri, atë të klubit: “Partizan”. Gjithçka e gjetëm në një ditë të plotë pune, por Stojance Ristevski, sekretari i hershëm i klubit, një maqedonas tejet i sjellshëm e mikpritës, i cili kishte qenë pjesë e drejtimit të FK Partizan-it beogradas në Vlorë 20 vjet më parë, gjen kohë të na bëjë një pritje të përzemërt.

Ne vizitojmë Muzeun e Klubit, mjediset e tij korridoreve e zyrave të pafund, ndeshemi kudo me morinë e kupave e trofeve, fotove arkivore të jashtëzakonshme që pasqyrojnë një histori më vete, që nga fama e futbollit e deri te ajo e basketbollit, e ku natyrisht gjejmë edhe praninë e shqiptarëve “partizanas” të futbollit të Kosovës: Xhevat Prekazin, Fadil Vokrin e para tyre Fahrudin Jusufin nga Potoku i Dragashit të Kosovës, trajneri që përjetoi dramën e Vlorës në krye të të eliminuarve të tij, por firmë e parë e Kombëtares së Jugosllavisë, 55 herë nën fanellën e saj, Kampion Olimpik i Romës (1960), po dhe titullar i pazëvendësueshëm i Eintrachtit të Gjermanisë. Natyrisht pa harruar edhe katër shqiptarë të tjerë të këtij Partizan.

Midis më të parëve është Zenun Brovina, vëlla i radiokronistit të shquar Azem Brovinës – mbajtës i Çmimit “Anton Mazreku”. Mbas tij, vëllai i Xhevatit, Luan Prekazi, firmë ndër më të spikaturat e futbollit të Kosovës, i cili veshi fanellën e Partizan të Beogradit për tre sezone (1966-1969). Kishte ardhur mu në vitin fatlum 1966, menjëherë mbasi Partizan i Beogradit kishte luajtur ndeshjen e historisë së tij, fundoren dramatike të Kupës së Kampioneve me Realin e Madridit të Pirit, Amancios e Gentos, një 2-1 rrëqethës kur në 55′ kishte qenë 1-0 për FK Partizan (gol i Vasovic, më mbas i Ajax të Amsterdamit, njeriu i 2-2-shit të Tiranës, 17 Nëntori – Ajax më 1970, ai i cili më 1971 do të ngrinte lart Kupën e parë të Kampioneve si kapiten i Ajax-it mitik).

Ai i 1966- ës kishte qenë një Partizan me Soskic, Jusufi, Becejac, Vasovic, Hasanagic e Galic – ndër më të mëdhenjtë e Europës. Me ta menjëherë qe bashkuar atë 1966 edhe Luan Prekazi, duke ia lënë historinë e bujshme të vëllait, Xhevatit, i cili gjithashtu vinte nga Mitrovica e Riza Lushtës: Xhevat Prekazi është njeriu i tetë sezoneve lojtar i klubit beogradas, dy herë kampion i Jugosllavisë, Kampion i Europës Qendrore, për ta përfunduar karrierën e tij të shkëlqyeshme deri në 35 vjeç si Kampion i Turqisë (1988) në pesë sezone të paharrueshme me Gallatasaray-n (1987-1992). Për të veshur fanellën e Olimpikes së Jugosllavisë, por pa mbërritur atë të pasuesit të tij në Partizan, Fadil Vokrrit – shqiptari, i cili arrin lartësinë më të madhe: 12 ndeshje dhe 6 gola me Kombëtaren e Jugosllavisë!

partizan beograd 1947

Dëshiroja takimin me Xhevat Prekazin, i cili jeton në Beograd me familjen e tij, por mu desh të mjaftohesha vetëm me një bisedë të shkurtër telefonike, sepse ai po bëhej gati të shkonte të stërviste ekipin e tij të të rinjve, diku jashtë Beogradit. Ky qe dhe “dështimi” ynë i Beogradit për futbollistin e shquar, i 330 ndeshje dhe i 82 golave me Partizan të Beogradit, dy herë Kampion i Jugosllavisë dhe fitues i Kupës së Europës Qendrore (1978).

Futbollisti model i “një fuqije të madhe, shumë i shpejtë, me një goditje të papërmbajtshme, dribler, stilist i goditjeve të dënimit”, siç e përcaktojnë historianët e FK Partizan. Dhe jo vetëm ai. Kolegu Agim Binaku do të më thoshte më mbas se edhe i mirënjohuri Kujtim Shala ka veshur gjithashtu fanellën e FK Partizan të Beogradit, po ndërkohë Isa Sadriu, vitet e fundit trajner i Kosovës së Vushtrisë në Kampionatin e Kosovës, është fenomeni tjetër shqiptar i klubit beogradas, madje dy herë kampion i Jugosllavisë nën fanellën e FK Partizan, mû në periudhën e më të madhit, Fadil Vokrrit (1986, 1987).

Kjo ishte një prani befasuese e tij, e panjohur për mua, deri në këtë shkallë suksesi. Jusufi, Brovina, L.Prekazi, Xh.Prekazi, F.Vokri, Sadriu, Shala, kjo është shtatëshja shqiptare e FK Partizan të Beogradit, i cili, siç mësojmë, çuditërisht ka qenë klubi më mikpritës në ish-Jugosllavi për talentet e Kosovës.

SHUMË “PARTIZANË” – VETËM DY “PARTIZANË”!

Kështu përzihen si padashur historitë, madje edhe ato shqiptare, te klubi i dëgjuar beogradas, 19 herë kampion i Jugosllavisë dhe i 9 kupave Kombëtare që dikur quheshin të “Marshallit Tito”. Mandej edhe Nënkampion i Europës dhe fitues i Kupës së Europës Qendrore. Ky është FK Partizan i Atanackovic, Sostaric, Zebec, Bobek, Cajkovski, Rupnik, Firm, Jovanovic, Palfi, Simonovski, Valok, Hasanagic, M. Milutinovic, Curkovic, Vasovic, Soskic, Santrac, Paunovic, Jusufi, Galic, Santrac, Bjekovic, Prekazi, Klincarski, Katanec, Vokrri, Stojkovic, Mijatovic, Djordevic, Durovski, Milosh e Velibor (Bora) Milutinovic (trajner i pesë Kombëtareve në Kampionatet Botërore), një pjesë e mirë të të cilëve të përshkuar drejtpërsëdrejti edhe në histori tonat të futbollit.

Në atë 2007, e patëm gjetur krejt të qetë stadiumin historik të Beogradit në të gjelbrën e tij, teksa shkojmë te kabina e shtypit ku Vladimir Grillo, 20 vjet më parë, ka përshkruar emocionet dridhëse të golit kualifikues të Sokol Kushtës që shkaktoi heshtjen deri në skaj të tribunave të “JNA”. Tash ne i gjetëm tribunat e tij të modernizuara, ndonëse kundërshtojnë kabinën e shtypit që për habinë dhe fatin e Grillos kishte mbetur si 20 vjet më parë, ndërsa përballë nesh e gjithë tribuna kishte të shkruar tejendanë: “Partizan”. Këtu vetvetiu i kthehem një historie të përbashkët, natyrisht shumë të diskutueshme sot e kësaj dite, ku nostalgjitë nuk kanë assesi vend.

Ajo që gjithmonë ka vend është vetëm historia, historia e mirëfilltë. Autentike, e paluajtshme. Të paktën unë në arkivin tim kam të shënuar nja dhjetë a pesëmbëdhjetë “Partizanë” të futbollit në Europën Komuniste: Partizani i Beogradit, Partizan Bardelov, Partizan Prevalje, Partizani i Tiranës, Partizanskje Sllovaki, Partizan Tabor, Partizani Russe, Partizani Bukuresht, Partizanul Lupeni, Partizani Medias, Partizanul Moreni, Partizanul Petrosani, Partizanul Ploeshti, Partizanul Reghin! Kanë mbetur vetëm dy: FK Partizan i Beogradit dhe Partizani i Tiranës!

Ndërkaq, disa ish “Partizan”-ë të tjerë ne i njohim po mirë. Sot ata quhen Jiul i Petroshanit, Dunav Ruse, Olimpia e Ljubjanës apo Petrolul i Ploeshtit. Stojance Ristevski, sekretari i Partizanit të Beogradit, më pat treguar ditën e saktë të themelimit të klubit të tij: 4 tetor 1945. Ky është Partizani i parë në Europë. Prej tij kanë rrjedhur gjithë “Partizanët” e tjerë. I dyti është i yni: 16 shkurt 1946, vetëm katër muaj mbas të parit me një urdhër në formë këshille që vinte prej kancelerive të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, vasale e së cilës ishte Partia Komuniste e Shqipërisë. Dhe më mbas gjithë “Partizanët” e tjerë jetëshkurtër. Madje deri në Kosovë, por në hendboll, ku e pakta ka pasur nja shtatë “Partizanë”: Partizani i Vushtrisë, Partizani i Prizrenit, Partizani i Mitrovicës, Partizani i Stantërgut, Partizani i Gjilanit, Partizani i Skenderajt, Partizani i Rahovecit! Nuk ekziston më asnjeri. Kanë mbetur vetëm dy në gjithë botën: FK Partizan i Beogradit dhe Partizani i Tiranës! 130 lojtarë për Kombëtaren e Jugosllavisë ka dhënë i pari, 75 për Kombëtaren e Shqipërisë i dyti! Legjendarë!

PARTIZANI E TIRANA 1-0 DHE 4-2 PARTIZANIT TË BEOGRADIT!

Ata janë takuar për herë të parë më 1947 në Tiranë në dy ndeshje sensacionale që nuk i kemi përkujtuar kurrënjëherë dikur, sepse ishte e ndaluar dhe, për çudi, gati asnjëherë tash kur është e lejuar. Kemi mbërritur kështu në 70-vjetorin e takimit të tyre: 1947-2017. Asokohe ka qenë kulmi i miqësisë së madhe, edhe pse një vit para prishjes po të madhe.

Partizan i Beogradit sapo kishte siguruar titullin e Kampionit të Jugosllavisë, i pari për të, dhe ja ku vjen në Tiranë për te Shqipëria “mike”. Është dyvjetori i rënies së Berlinit, 9 maj 1947 dhe mû në këtë ditë dy Partizanët, “ati”, ai i Jugosllavisë, dhe “biri”, ky i Shqipërisë, të cilët takohen në një ndeshje impozante të përkujtimit të luftës partizane që sapo ka mbetur mbas dhe të lirisë që “shkëlqente” në “zenitin” e haresë së frikshme të saj në krejt Europën Lindore.

Ngjarja ka vend në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. “Sot mbasdreke, – shkruan fjalë për fjalë nën këtë drejtshkrim të kohës, shtypi shqiptar, – në Stadiumin Kombëtar ‘Qemal Stafa’ të kryeqytetit, me rastin e festës së fitores kundër fashizmit, do të zhvillohet ndeshja miqësore e footballit në mes të skuadrës së ‘Partizanit’ t’Armatës Jugosllave dhe asaj të ‘Partizanit’ t’Ushtrisë s’onë Kombëtare’… Për popullin t’onë dhe për popujt e Jugosllavisë mike emri i Partizanit është simbol i luftës sonë të përbashkët kundër okupatorëve fashistë, është një epope e tërë heroizmash, është gjë- ja më e çmuar dhe më e përzemërt.

Skuadra mike e “Partizanit” është ajo më e mira e Jugosllavisë. Një javë më parë fitoi kampionatin Jugosllav të footballi-t. Përmbledh në radhët e saja shumicën e skuadrës së mirënjohur kombëtare të Jugosllavisë… Zhvillimi i ndeshjes së sotme po pritet me padurimin më të madh nga të gjithë sportdashësit t’anë, të sigurtë se do të të shijojnë një lojë shumë të bukur dhe shumë interesante”. Kështu do të ndodhte. Për historinë tonë, ajo mbetet një nga ndeshjet më të bujshme. Ajo zhvillohet para 15.000 shikuesve në prani të udhëheqjes, që në shtyp personifikohet me përmendjen e pranisë së vetëm një emri: Gjeneral leijtnant Koçi Xoxe, ai i cili shpejt në një natë të errët misterioze do të pushkatohej mû si agjent i Jugosllavisë së këtij Partizani. Ajo është një ndeshje e shpejtë, krejt sulmuese, por e cila do të kishte vetëm një gol, atë të minutës së 34-t të Parapanit mbas një goditjeje të fortë. Partizan i Beogradit nuk tronditet fort, sepse beson në kohën e mbetur që duhej t’i mjaftonte për të përmbysur gjithçka falë forcave të tij të mëdha si kampion i Jugosllavisë dhe si bërthamë e Kombëtares së Jugosllavisë. Por pjesa e dytë e befason FK Partizan-in beogradas, sepse ai gjendet përpara një mbrojtjeje të shkëlqyer me në krye portierin e pakalueshëm Alfred Bonati, para të cilit ndodhej treshja e betonuar e mbrojtjes GjeloshiFagu-Demneri. Dhe 1-0 për Partizanin e Shqipërisë përballë Partizanit të Beogradit, rasti i parë në historinë e Shqipërisë që një skuadër shqiptare fitonte ndaj një skuadre të huaj kampione në fuqi në vendin e saj. Në këtë rast, Partizan i Beogradit. Skeda e ndeshjes me emërtimet e palëvizshëm të asokohe të dy skuadrave është përkujtimi ynë i rrallë për një njëmbëdhjetësh po aq historik të kampiones sonë:

PARTIZANI I USHTRISË KOMBETARE – PARTIZANI I ARMATËS JUGOSLLAVE 1-0

9 maj 1947, Tiranë, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”

PARTIZANI U.K.: Bonati, Gjeloshi, Hajdari, Demneri, Fagu, Vathi, Parapani, Pengili, Z.Gjinali, Biçaku, H.Bakalli.

PARTIZANI A.J.: Nikolic, Funtek, Popescu, Palfi, Djordevic, Jovanovic, Marianovic, Janevski, Firm, Radunovic, Seres.

GOLAT: Parapani 34′.

GJYQTAR: Adem Karapici.

SHIKUES: 15.000

Aventura vazhdon 48 orë më vonë me një ndeshje tjetër, edhe më sensacionale e përmbysëse, ajo midis skuadrës përfaqësuese të Tiranës dhe Partizanit të Armatës Jugosllave. Është një 4-2 spektakolar për futbollistët shqiptarë, të cilët, tash në 11-shin e tyre, kanë edhe Spahiun, Boriçin, Kavajën, Llambin, Fakjen, Begejën dhe Barbullushin. Thuajse Kombëtarja e Shqipërisë. Ndërsa jugosllavët shtojnë Pozheng dhe Lazic. Është një skuadër më e freskët shqiptare përballë një gjysmë Kombëtareje të Jugosllavisë.

Dhe 4- 2 për shqiptarët e papërmbajtshëm, kësaj radhe para 20.000 shikuesve. Partizan i Beogradit turret për revansh, por përsëri gjen një Bonat të pazakonshëm. Sidoqoftë, arrin ta mposhtë në 9′ me anë të Janevskit. Kërkon të dytin, por në të 45′ Boriçi, mbasi merr një top të çmueshëm prej Parapanit, nënshkruan 1-1. Mbas pushimit, në të 57′, po Loro Boriçi kthen në gol një 11-metërsh dhe “dy minuta më vonë Vasif Biçaku përmbyll një zbritje energjike”, siç thotë kronika e kohës dhe 3-1! Mandej vijnë dy gjuajtjet e Janevskit: shtyllë në të 63′ dhe gol në të 65′. Është 3-2 që do të shndërrohej në 4-2 falë pasimit të pagabueshëm të Fakjes që, 7 minuta para mbarimit, të çon te goli i Zyhdi Barbullushit, më i rëndësishmi i jetës së tij, një universal i futbollit, muzikës, fizarmonikës, i cili kohët e fundit, pak para se të ndahej nga jeta, ka botuar librin e kujtimeve të tij po universale. Dhe 4-2 përfundimtar!

PËRFAQËSUESJA E QYTETIT TË TIRANËS – PARTIZANI I ARMATËS JUGOSLLAVE 4-2

11 maj 1947, Tiranë, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”.

PARTIZANI U.K.: Bonati, Spahiu (Hajdari), Fagu, Kavaja (Vathi), Llambi, Fakja, Parapani, Biçaku, Boriçi, Begeja, Barbullushi.

PARTIZANI A.J.: Nikolic (Lazic), Funtek, Popescu, Pozenga, Palfi, Jovanonovic, Marianovic, Janevski, Firm, Radunovic, Seres.

GOLAT: Janevski 9′, Boriçi 45′, 57′ (11-m), Biçaku 59′, Janevski 65′, Barbullushi 83′.

GJYQTAR: Ramazan Kuka.

SHIKUES: 20.000

Kjo është historia që shkruhet vetëm me këto radhë të shtypit shqiptar: “Loja u zhvillua në frymën më vëllazërore dhe lojtarët e të dyja skuadrave u brohoritën nxehtë- sisht nga spektatorët”. Dhe asnjë jehonë më tej. Të dukej si një frikë apo si një modesti e tepruar për të mos iu shitur mend miqve jugosllavë. Dhe këto ndeshje të papërsëritshme të futbollit shqiptar, më tepër se të hyjnë në histori, duket sikur zhduken nga historia.

Dy javë më vonë, Kombëtarja e Shqipërisë është shkatërruar mbrenda në Tiranë 4-0 prej Rumanisë në startin e ndeshjeve për Kampionatin Ballkanik dhe të Europës Qendrore 1947. Mandej 2-0 prej Bullgarisë në Sofje, mandej 3-0 prej Hungarisë në Budapest dhe kur vjen shtatori 1947 ajo dorëzohet edhe në Tiranë prej Jugosllavisë, duke u përsëritur 4-2-shi partizanas i 11 majit 1947, por me kah të kundërt. Mbi mrekullitë ndaj Partizanit të Beogradit qe ngritur kjo katastrofë e Shqipërisë. Ishte si një mësim i historisë. Por, një vit më vonë, vijnë ndeshjet e mëdha të 1948-tës: Rumania-Shqipëria 0-1, Shqipëria-Hungaria 0-0 dhe barazimi famëmadh i Beogradit, Jugosllavia-Shqipëria 0-0! Këtu është ndarja e madhe informbyroiste.

NË VEND TË EPILOGUT

Më 1945, në Tiranë ka ardhur skuadra përfaqësuese e Maqedonisë. Dhe prapë kanë qenë dy ndeshje të rralla: Tirana-Maqedonia 3-3 dhe 5-2! Në krye të Maqedonisë një legjendar: trajneri Ilies Spitz, i cili do të ngrinte në qiell lojën e skuadrave dhe lojtarëve shqiptarë! “Takohem” me Spitz-in në FK Partizan përmes librit të historisë. Befasia ime është se mbulesën e këtij libri e mbush portreti i tij. As i Bobekut apo Zebecit, as i Cajkovskit, as i Jusufit, as i Soskicit, as i Vasovicit, as i Curkovicit, as i Valokut, as i Galicit apo i Mijatovicit.

Por vetëm i Ilies Spitz-it, trajnerit të Maqedonisë së Tiranës 1945, i cili ishte mahnitur prej lojtarëve shqiptarë. Dhe mû Spitz-i ishte arkitekti i Partizanit të Beogradit. Ebreu i famshëm hungarez i Budapestit, lojtari i Ujpestit të Paraluftës, 6 ndeshje dhe tre gola me Hungarinë, më mbas i Hajdukut të Splitit dhe të Shkupit. Dhe më 1946 në Partizan Beograd. “Njeriu që tejkaloi kohën”, siç e përcaktojnë historianët e FK Partizan. Duke mbërritur deri në përcaktime kësisoj: “Kështu foli Spitz” (Takac), “Mësuesi im” (Bobek), “Vizioni i Spitz-it (Cajkovski). Ilies Spitz ishte themeluesi i asaj që Velibor Vasovic legjendar e ka përcaktuar “Akademia e Futbollit në Humsko Nr.1” të Beogradit. Dhe Spitz qe mahnitur me futbollistët e Shqipërisë në atë 1945.

Dy vjet më mbas, për çudi, ata do të triumfonin edhe dy herë ndaj Partizanit të tij, duke lënë mbrapa një jehonë disi të përhumbur dhe të shuar gati si me qëllim nga shtypi shqiptar i kohës. Për të mos lënduar “mikun” e madh prej të cilit kishte marrë emrin e Partizanit të tij. Kjo ishte historia. Kjo është historia. E, tash kemi 30-vjetorin e Flamurtarit “të harruar” “Vlora 1987”, i cili eliminoi Nënkampionen e Europës me emrin “FK Partizan” i Beogradit, i cili tri herë ka luajtur në Shqipëri dhe tri herë ka humbur… Janë historitë tona sensacionale, edhe pse tepër të rralla, një herë në 70 apo 30 vjet. Kjo rrallësi na bën mbase që ne t’i harrojmë ato… Do të takohemi në numrin e nesërm me Flamurtarin e Vlorës 1987 që mposhti Partizanin e Beogradit 1987. Për t’ia lënë radhën Skënderbeut të Korçës, i cili mund të na i përforcojë tejet këto kujtime të pashlyeshme…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"