Durrsakët kanë gati edhe Kotobellin, Teuta kërkon të ndalë Partizanin në dulein e parë sezonal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2023 | 19:45

Durrsakët kanë gati edhe Kotobellin, Teuta kërkon të ndalë Partizanin në dulein e parë sezonal

Teuta i është kthyer dje stërvitjes pas asaj fitoreje dramatike me përmbysje kundër Dinamos në javën e fundit të fazës së parë. Skuadra e Edi Martinit ka përpara një tjetër transfertë, këtë herë kundër kampionëve në fuqi të Partizanit, të vlefshme për javën e 10-të.

TEUTA

Mirëpo, këto dy skuadra kanë mes tyre edhe një ndeshje të prapambetur nga java e parë, e cila nuk është vendosur ende se kur do të zhvillohet. Mirëpo, ashtu siç ka njoftuar “Panorama Sport”, duke qenë se stadiumi “Niko Dovana” i Durrësit nuk është ende gati pas procesit të rimbjelljes së barit, takimi që është në kalendar, Teuta-Partizani, do të zhvillohet të shtunën në orën 17:00 në stadiumin e të kuqve, “Arena e Demave”.

Klubet kanë rënë dakord për këtë shkëmbim në kalendar, duke marrë edhe miratimin e sektorit të garave në FSHF. Kësisoj, në momentin kur të caktohet edhe data e zhvillimit të ndeshjes së prapambetur, Partizani-Teuta, për javën e parë, atëherë ky takim do të zhvillohet në Durrës.

Trajneri Martini pritet të ketë të gatshëm për ndeshjen e së shtunës të gjithë grupin, teksa rikthehet nga pezullimi edhe kapiteni Blerim Kotobelli, i cili mungoi kundër Dinamos. Teuta do të kërkojë të ndalë vrullin e Partizanit, që aktualisht ndodhet në vendin e dytë. Durrsakët janë të karikuar për të mos dalë pa pikë në “Arenën e Demave”, edhe pse vështirësitë e kësaj ndeshjeje janë prezente, për më tepër që përballë janë të kuqtë.

ZAMIR QYPI -PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"