EKSKLUZIVE/ Duka kryqëzon Xhajen dhe Kolën pas gafave, zbardhet mbledhja ne FSHF

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2021 | 23:50

EKSKLUZIVE/ Duka kryqëzon Xhajen dhe Kolën pas gafave, zbardhet mbledhja ne FSHF

Arbitrat protagonistë dhe Duka futet për “t’u tërhequr veshin”. Dje në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, në seminarin e përmuajshëm të arbitrave ka qenë edhe presidenti i institucionit të futbollit në vend. Këtë herë, risia për arbitrat shqiptarë është se kritikat vijnë drejtpërdrejt nga UEFA, pra nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të saj. Për të parën herë, që nga java e parë e këtij sezoni, presidenti i FSHF-së, Armand Duka futet në mbledhjen e sektorit të arbitrimit për të kritikuar ashpër zallamahinë e krijuar nga “xhaketat e zeza”, mbi të gjitha në dy ndeshje: Kukësi-Laçi me kryesor Klajdi Kolën, si dhe Burreli-Besëlidhja me kryesor arbitrin me stemën e FIFA-s, Juxhin Xhaja.

pjimage (4)

 

KRITIKAT

Kritika të ashpra për sektorin e arbitrimit nga numri një i qeverisë së futbollit në vend. “Panorama Sport” mëson se Duka nuk ka kursyer askënd, që nga disenjatori Sokol Jareci, kryetarin e Komisionit të Vlerësimit, Bujar Pregja, arbitrat me stemën e FIFA-s, Xhaja dhe Hamiti, apo edhe kryesorin Klajdi Kola. Duke u ndalur te gabimet që kanë pasur peshë në zhurmën mediatike të krijuar, Duka ka ngritur zërin duke u dhënë ultimatum arbitrave për të shmangur episode të tilla flagrante. “Nuk dua të shoh më arbitrime si ai në Kukësi-Laçi, nga Kola.

Nëse vazhdohen gabime të tilla, më mirë tërhiquni nga arbitrimi pa pritur që t’ju njoftojmë ne”, mësohet të kenë qenë dy nga frazat e drejtpërdrejta të ultimatumit të Dukës. Jo vetëm kaq, por kreu i FSHF-së është ndalur edhe te rastet flagrante të gabimeve që janë bërë nga kryesorët me stemën e FIFA-s. Një ndër to ka qenë rasti i Juxhin Xhajës, në sfidën e Kategorisë së Parë. “Kur dërgojmë gjyqtarë me stemë në ndeshje të tilla, e bëjmë që të menaxhohen mirë ndeshjet delikate, jo të ketë arbitrime si ai i Xhajës”, mësohet të ketë qenë fraza referuar gabimeve në Kategorinë e Parë. Kritika ka pasur edhe për arbitrin Hamiti, për rastin e penalltisë së dhënë për Bylisin në takimin ndaj Skënderbeut.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"