Dueli në Kupën e Shqipërisë, sulmuesi i Kastriotit: Kujdes kundër Vorës, nuk na lejohet asnjë gabim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2022 | 12:36

Dueli në Kupën e Shqipërisë, sulmuesi i Kastriotit: Kujdes kundër Vorës, nuk na lejohet asnjë gabim!

Kastrioti do të luajë sot në transfertë ndeshjen e kthimit kundër Vorës, pikërisht në orën 14:00 në kompleksin e Pezës. Në sfidën e parë të zhvilluar në stadiumin “Redi Maloku”, krutanët arritën të fitonin me rezultatin e ngushtë 1-0. E megjithatë, çështja e kualifikimit mbetet ende e hapur. Protagonisti i dy javëve më parë beson se do ta kalojnë këtë tur, e megjithatë kërkon kujdes. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, Spartak Ajazi vë theksin te vlerësimi që i duhet bërë këtij takimi.

ajazi kastrioti

“Me fitoren e ndeshjes së parë në Fushë-Krujë, kemi hedhur një hap të rëndësishëm drejt kalimit në turin tjetër, pavarësisht se sfidat 1-0 duan kujdes.

Vora ka ekip me elementë cilësorë, por ne jemi në elitë dhe nuk mund kurrsesi të gabojmë. E kemi përgatitur me kujdes këtë ndeshje, dhe jam i bindur që do të vazhdojmë më tej”, deklaroi fillimisht sulmuesi shtatlartë, i cili luan sezonin e katërt radhazi me krutanët.

Sa i përket kampionatit, ai shtoi se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të marrë pikë edhe të dielën kundër Partizanit në Elbasan.

“Ecuria e këtyre javëve të para ka qenë e mirë, sidomos dy fitoret e arritura me përmbysje na kanë ndihmuar t’i largohemi fundit. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme, pasi kemi një ekip cilësor”, përfundoi 28-vjeçari me origjinë nga Laçi.

Ndërkohë, përballja e sotme me Vorën pritet që të jetë ndeshje që do të vlerësohet nga stafi teknik i Kastriotit, pasi planifikohet të luajnë një pjesë e mirë e titullarëve të miksuar me lojtarët që kanë marrë pak minuta këtë periudhë. Në stol për shkak të dënimit nga Disiplina nuk do të jetë trajneri Emiljano Çela, por ndihmësi i tij, Bekim Kuli.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"