Dueli me Egnatian në Rrogozhinë, Gvozdenoviç: Nuk është surprizë po fituam sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2024 | 9:30

Dueli me Egnatian në Rrogozhinë, Gvozdenoviç: Nuk është surprizë po fituam sërish

Skënderbeu është gati për ndeshjen e sotme me Egnatian në Rrogozhinë. Një përballje në të cilën korçarët kërkojnë të bëjnë surprizën, njësoj si në fazën e parë, kur fituan 0-1. Në kushte të tilla, duket se trajneri Ivan Gvozdenoviç e ka gati ekipin që do të tentojë të marrë maksimumin në këtë takim. Mes problemeve dhe mungesave, numri një i pankinës korçare pret nga të tijtë reagim dhe një ndeshje perfekte për tri pikët. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kryepankina korçare flet edhe për merkaton që mbetet një pikë “e errët” në kampin bardhekuq, pasi ende nuk është bërë asnjë afrim prej bllokimit që klubi ka marrë prej gjyqeve të humbura në FSHF.

gvozdenovic

Ivan, rifillon kampionati. Është gati Skënderbeu për të tentuar maksimumin në Rrogozhinë?

Po, ishte një kohë e shkurtër përgatitjesh ku ne u munduam që të bënim më të mirën e mundshme për të kapur formën e duhur dhe për të qenë gati për këtë ndeshje. Kemi punuar mirë në këto ditë dhe mendoj se jemi gati për sot, me qëllim që të tregojmë vlerat tona.

Sa i vështirë është për ju ky takim?

Do të jetë padyshim një ndeshje e vështirë, pasi luajmë ndaj një ekipi që ka treguar shumë cilësi në dy fazat e para të kampionatit. Normalisht që ka ndryshime, por që mbetet një ndeshje e fortë dhe delikate. Për mendimin tim Egnatia ka shumë cilësi, kështu që duhet të bëjmë ndeshjen perfekte.

Besoni se Skënderbeu mund të fitojë si në fazën e parë?

Nuk mendoj se ne jemi surprizë, pasi jemi Skënderbeu dhe fitorja është detyrim për ne në çdo ndeshje. Nuk më pëlqen të bëj krahasime me ndeshje që kanë kaluar tashmë, por mund të them me bindje se do të shkojmë atje për të synuar objektivin maksimal dhe për të dalë me fitore nga ky takim.

Sa i përket merkatos, çfarë do të ndodhë me Skënderbeun?

Unë jam i përqendruar vetëm te ndeshja dhe ekipi që kam në dispozicion për momentin. Nuk mund të komentoj gjëra që i përkasin klubit dhe drejtuesve. Kam një ekip cilësor dhe ndihem mirë teksa punoj me ta. Se çfarë mund të vendosin drejtuesit për merkaton është pjesë që u takon vetëm atyre. Normalisht, unë kërkesat e mia ia kam paraqitur presidentit.

Ju presin javë të ngjeshura me ndeshje të vështira. Skënderbeu e ka cilësinë të përballojë këtë sezon me kontingjentin që ka?

Unë e kam thënë që në fillim dhe vijoj të kem të njëjtin mendim për ekipin tim. Kemi një skuadër mjaft cilësore, me 25 lojtarë që janë të gjithë të gatshëm për të luajtur si titullarë. Sezoni është i gjatë dhe i ngarkuar, prandaj duhet të bëjmë një menaxhim të mirë dhe jam i bindur që do ia dalim.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"