“Dopietën nuk e prisja”, heroi Hebaj: Kam kaluar periudhë të vështirë, e ardhmja ime do të merret vesh shumë shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 23:12

“Dopietën nuk e prisja”, heroi Hebaj: Kam kaluar periudhë të vështirë, e ardhmja ime do të merret vesh shumë shpejt

Një gol në fitoren 2- 0 të Teutës ndaj Beitar Jerusalemit që u dha mundësinë durrsakëve të kalojnë në turin e dytë të Europa Ligës. Katër ditë më vonë, sulmuesi shënon dopietë. Këtë herë ndaj Tiranës, për t’u dhënë durrsakëve Superkupën e Shqipërisë. Rubin Hebaj është shndërruar në hero për ekipin e Teutës me paraqitjet dhe golat e tij.

hEBAJ

Pas dopietës së djeshme, vendimtare për triumfin, shkodrani ka treguar për “Panorama Sport” emocionet, dedikimin, si dhe ka folur për shortin ndaj Granadës apo edhe për një mundësi të kalimit të tij te Vllaznia në ditët në vazhdim.

Dy gola dhe i dhatë trofeun Teutës…

Ndihem shumë mirë. Pas fitores që ne arritëm në finalen e Kupës së Shqipërisë, e cila ishte gjithashtu përballë Tiranës, ishim me moralin shumë lart. Kemi bërë stërvitje dhe ia dolëm të merrnim një rezultat pozitiv duke kaluar turin e parë të Europa Ligës. Tani erdhi kjo fitore e këtij trofeu.

Ju personalisht si ndiheni pas paraqitjes suaj personale?

Jam shumë i lumtur. Mbi të gjitha shumë i lumtur që shënova. Ndihmova ekipin.

E prisnit të bënit dopietë në këtë finale?

(qesh…)  Në fakt kjo nuk pritet asnjëherë. Unë futem në fushë gjithmonë për të shënuar. Dua që të shënoj sa më shumë, si për vete edhe për ekipin. Gjithsesi, jam shumë i lumtur që shënova dy herë në këtë finale dhe i dhashë skuadrës fitoren e trofeut.

Kujt ia dedikoni golat dhe trofeun?

Unë ia dedikoj Zotit në fakt, sepse kam pasur një periudhë shumë të vështirë gjatë vitit të kaluar. Tani, me ndihmën e Zotit dhe me punën time, po arrij formën time maksimale. Shpresoj që të vazhdoj kështu.

Po flitet për një kalim të mundshëm të Hebajt te Vllaznia…

Besoj që do ta merrni vesh shumë shpejt. Unë tani jam i fokusuar te Teuta. Kemi një ndeshje me Granadën në turin tjetër. Është një ndeshje e vështirë të them të drejtën, sepse ata kanë një emër shumë të madh. Janë pjesë e La Ligas në kampionatin spanjoll. Gjithsesi, unë shpresoj që të bëjmë më të mirën në këtë përballje. Sa i përket pyetjes, në vazhdim do të merret vesh shumë shpejt se çfarë do të ndodhë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"