“Do ia propozoj Dukës”, Reja zgjedh “pasardhësin” shqiptar dhe tregon problemin e Skukës: Nuk ka shumë interes për lojën kur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2022 | 0:11

“Do ia propozoj Dukës”, Reja zgjedh “pasardhësin” shqiptar dhe tregon problemin e Skukës: Nuk ka shumë interes për lojën kur…

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, mendon se emri që do ta zëvendësojë pasi ai të largohet, do të jetë shqiptar. Ai i ka idetë e qarta dhe mendon se për këtë post, emri i duhur është ai i zëvendësit të tij të Shqipëria, Ervin Bulku.

Reja-Salihi-Bulku

“Bulku ka bërë shumë mirë. Kam qenë me të në Kroaci dhe i kam ndjekur nga afër ndeshjet e tij ku humbi me Kroacinë dhe fitoi me Suedinë. Unë mendoj se është një nga ata që mund të jetë gati për të marrë drejtimin e Kombëtares. Kur unë të mbyll kapitullin do ta propozoj. I duhet pak eksperiencë. por mendoj se është gati”, tha Reja për RTSH.

Trajneri foli më pas edhe për opsionet e mundshme të tjera dhe emra që qarkullojnë. “Xhiovani Kolelan, që drejton skuadrën e vendit të parë në Shqipëri, e njoh. Është një trajner shumë i përgatitur dhe ka eksperiencë. Me vjen mirë që trajneri i kryesueses të kampionatit dhe ai i Kombëtares janë italianë. Edhe Armand Duka është i orientuar drejt trajnerëve italianë, por mendoj se ndoshta kur unë të largohem, ai duhet t’i besojë një trajneri shqiptar. Po punojmë në këtë aspekt, për të rritur sa më shumë nivelin dhe vlerat e trajnerëve shqiptarë. Sipas meje, kur unë të mbyll punën këtu, trajneri i ardhshëm do të jetë shqiptar dhe këtë e uroj me gjithë shpirt. Jam i sinqertë dhe jam i sigurt për atë që them dhe bëj. Duka dëshiron që të rritet niveli i skuadrave shqiptare dhe në të ardhmen mund të ketë trajnerë shqiptarë që vijnë në skuadrën e parë dhe ky është mendimi dhe besim im. Jam i bindur se një gjë e tillë do të ndodhë brenda pak vitesh.

Unë e dua këtë punë, më pëlqen, jam mirë edhe me skuadrën e lojtarët. Kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë, por pjesërisht jo me median. Ndihem i lumtur ndoshta sepse ka ardhur edhe fundi, por jo jo, bëj shaka. Në Shqipëri, trajnerët duhet të punojnë më shumë në funksion të të gjithë akademisë së klubit. Duhet të jenë më të përgatitur trajnerët e ekipeve të të rinjve, jo ata të ekipeve të para, të cilët janë të përgatitur”, tha Reja.

Më tej, Reja komentoi edhe paraqitjen e Shqipërisë ndaj Arabisë Saudite dhe u ndal në disa elementë të veçante.

“Kishim vetëm tre ditë bashkë dhe djemtë u sollën mjaft mirë në fushën e lojës kundër një skuadre që do të luajë në Kupën e Botës. Duke parë atë që dhanë në fushën e lojës dhe se si funksionoi skuadra, nuk mund të pretendoja më shumë nga ky grup. Krijuam 4-5 mundësi të pastra shënimi që, nëse do të ishin konkretizuar këtë ndeshje, do të duhej ta kishim fituar 2 apo 3-0. Treguam se jemi një skuadër. Do të luajmë edhe një miqësore tjetër kundër Katarit në Andorra dhe një pjesë të madhe të kësaj skuadre do ta aktivizoj në atë ndeshje. Do te ketë marzhe përmirësimi. Është e vështirë të punosh për kaq pak ditë me këta djem që vijnë nga skuadra të ndryshme. Do të marr në konsideratë ndonjërin prej tyre, por do ta bëj pas miqësores me Katarin ku do të thërras edhe disa emra të rinj përveç grupit aktual.

Balaj dhe Roshi kanë një eksperiencë të madhe me Kombëtaren dhe vlerat e tyre janë sigurisht më superiore krahasuar me lojtarët e rinj. Kemi luajtur ndaj një skuadre që merr pjesë në Botëror, por nuk është se Arabia më bëri përshtypje të madhe. Muçolli është një djalë që e ndjek prej kohësh dhe besoj se do të jetë i grumbulluar edhe në ndeshjen tjetër. Skuka ka cilësi të mira, karakter, punon shumë mirë, por punon vetëm në funksion të topit, sepse kur nuk e ka topin nuk ka interes shumë për lojën.  Mbrojtja në përgjithësi u soll mirë edhe pse do të kisha dashur të kisha parë pak më shumë siguri, sepse mua më pëlqen më shumë ta sulmojmë kundërshtarin e jo të tërhiqemi. Por këto janë situate taktike që do t’i rishikojmë. Kam besim se ndeshjen e ardhshme do të bëjmë mirë”, shpjegoi Reja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"