Dinamo, firmos edhe mesfushori Tahiraj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2014 | 9:00

Dinamo, firmos edhe mesfushori Tahiraj

Mehmeti flet para DinamosMesfushori me tipare sulmuese i ardhur nga Bylisi, Xhuljo Tahiraj, do të jetë pjesë e Dinamos për sezonin e ri futbollistik. Talenti 19- vjeçar u është bashkangjitur kryeqytetasve që në startin e përgatitjeve, ndërsa është juridikisht pjesë e skuadrës për sezonin e ri, duke hedhur firmën në kontratë. Aftësitë e tij premtuese kanë bërë që drejtuesit e 18 herë kampionëve të vendit të marrin shërbimet e lojtarit në formë huazimi për një vit nga Bylisi. Me afrimin e tij, drejtuesit blu kanë mbyllur dhe merkaton. Firma e Tahirajt vjen pas lojtarëve të tjerë me emër të afruar gjatë merkatos si: Ferraj, Xhafaj, Turdiu, Thana, Guga dhe Duqi. E ndërsa konkurrenca është shtuar te blutë, pritet që mesfushori të konkurrojë denjësisht për një vend në formacionin e Dritan Mehmetit.
Zisi – Përpos emrave të afruar në këtë merkato, drejtuesit e Dinamos kanë menduar edhe për të ardhmen. Kështu, te blutë janë afruar lojtarë të rinj në moshë, të cilët më parë kanë luajtur në akademi të ndryshme sportive si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Disa ditë më parë kanë firmosur Olsi Laçi dhe Silvestre Shkalla, dy mbrojtës të dalë nga shkolla e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi” në kryeqytet. Ndërsa dje i është bashkangjitur Dinamos dhe Niko Zisi. Sulmuesi, i cili është rritur në akademinë e Arisit të Selanikut, është bërë pjesë e Dinamos për sezonin e ri futbollistik. I datëlindjes 24 gusht 1995, Zisi shihet si element premtues për të ardhmen.
Enigma – Dinamovitëve, nga sa mësohet, në ditët në vijim pritet t’u bashkohet edhe një tjetër lojtar. Në kampin blu diskutohen rolet e qendërmbrojtësit dhe sulmuesit, ndërsa drejtuesit e mbajnë të fshehtë emrin e futbollistit. Ka disa alternativa, por nga burime pranë kryeqytetasve theksohet se bëhet fjalë për një lojtar me potencial. Emri i tij mbahet enigmë për disa arsye, që janë diskutuar mes klubit dhe lojtarëve në fjalë. Drejtuesit e klubit synojnë që të ndërtojnë një skuadër pretedente, me qëllim ngjitjen në një kategori më lart.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"