Dimo: Apolonia ime më zhgënjeu, Shensoji trajneri më i mirë. Ja pengu te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2018 | 20:08

Dimo: Apolonia ime më zhgënjeu, Shensoji trajneri më i mirë. Ja pengu te Skënderbeu

Pas një periudhe të gjatë si pjesë e Apol onisë, ka ardhur koha që kapiteni i saj dhe një nga emrat që ka spikatur më shumë ndër vite te kjo skuadër, Amarildo Dimo, të mos jetë më pjesë e skuadrës fierake. Kjo gjë është deklaruar nga drejtuesit e klubit të Apolonisë, në listën që kanë publikuar me emrat që do të mbeten pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm. Dimos i skadon kontrata më 1 korrik të këtij viti dhe pavarësisht dëshirës për të vazhduar, klubi nuk i ka ofruar një rinovim.

Dimo Apolonia

Futbollisti që ka luajtur për një sërë skuadrash, si: Bylis, Luftëtari, Apolonia etj., është shpallur dhe tri herë kampion me Skënderbeun e Korçës. 35-vjeçari ka rrëfyer gjithçka në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. “Tek Apolonia peng më ka mbetur sezoni i parë kur u riktheva (2014-2-15), edicion që nuk arritëm ta mbanim dot skuadrën në Superiore.

Ndërsa te Skënderbeu, eliminimi me penallti nga Çernomorets, që na hoqi mundësinë që atë vit të luanim në fazën e grupeve në Ligën e Europës”, tregon ndër të tjera Dimo në intervistën e tij për gazetën.

Pas kaq vitesh dhe pas kaq eksperiencash, vjen dhe “divorci” juaj me Apoloninë? Cila është ndjesia e parë?

Sigurisht që nuk është një ndjesi që më lë shije pozitive dhe ndihem i zhgënjyer, pasi mendoja se kishim pritshmëri të mëdha. S’është se nisesha se do më bënin dhuratë apo ta lidh me politikat e klubit, por mendoj se kam dhënë një kontribut të vlefshëm, ndaj dhe e prisja një kontratë të re. Unë e ndiej veten në formë shumë të mirë dhe normal që do të dëshiroja të vazhdoja.

Si do ta përkufizonit Apoloninë si skuadër?

Më vjen keq, po duhet thënë. Apoloninë e shoh si një skuadër në një tranzicion të tejzgjatur dhe pa objektiva të qarta, sezon pas sezoni. Kjo ecuri është një dhimbje e madhe për të gjithë ne që kemi luajtur me këtë skuadër, por edhe për sportdashësit dhe dashamirësit e Apolonisë.

Dimo dhe Orelesi dalin me Skenderbeun

Në karrierën tuaj keni luajtur me një sërë skuadrash. Cilën nga këto përvoja do të veçonit më tepër?

Pa dyshim që periudha më e bukur kanë qenë 3 sezonet që unë kam luajtur te Skënderbeu ku kemi fituar 3 kampionate, 2 Superkupa të Shqipërisë, si dhe kemi qenë 2 herë finalistë të kupës. Por, edhe eksperiencat e mia te Luftëtari, Bylis dhe Apolonia kanë qenë me mbresa pozitive dhe pa dyshim që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek unë.

Nga gjithë ata që ju kanë trajnuar, cilin trajner do të veçonit dhe pse?

Do të doja të thosha fjalë pozitive për shumë, por do të veçoja Naxhi Shensojin te Bylis. Ishte një trajner karizmatik, shumë profesional dhe që dinte të merrte më të mirën nga grupi, pavarë- sisht përbërjes. Kishte karakter dhe mentalitet fituesi.

Po tek Apolonia?

Tek Apolonia ndaj përshtypjet më pozitive për Elidon Demirajn. Një trajner i përkushtuar, plot devocion dhe që ka punuar përmes shumë vështirësive e në presion të jashtëzakonshëm. Ishte njeri serioz dhe shumë punëtor, njeri që nuk dinte të bënte kompromise, jo shumë mediatik dhe nuk bënte shou në faqe virtuale, por produktiv në fushën e lojës.

A ka një peng sportiv Dimo?

Tek Apolonia peng më ka mbetur sezoni i parë kur u riktheva (2014-2-15), edicion që nuk arritëm ta mbanim dot skuadrën në Superiore. Ndërsa te Skënderbeu, eliminimi me penallti nga Çernomorets, që na hoqi mundësinë që atë vit të luanim në fazën e grupeve në Ligën e Europës.

Tefik Osmani, Dimo etj ne stervitje me Skenderbeun

Cilin futbollist do të veçonit si kundërshtarin më të vështirë?

Unë kam luajtur edhe mbrojtës, edhe mesfushor, edhe sulmues. Si sulmues do të veçoja si një kundërshtar të vështirë mbrojtësin Dritan Smajli, në atë kohë luante me Vllazninë e më pas me Kukësin. Ishte i fortë në dyluftime dhe nuk dinte të dorëzohej.

Nëse do të ktheheshit pas, me cilën skuadër nga të cilat jeni aktivizuar nuk do të luanit?

Nuk jam penduar për asnjë vendim dhe mendoj se gjithmonë kam bërë zgjedhjen e duhur në kohën e duhur.

Prej vitesh kapiten i Apolonisë dhe një nga modelet më pozitive për t’u ndjekur nga të rinjtë. Këshilla juaj për ta…

Po e them me pak fjalë: talenti të çon deri diku, ndërsa karakteri dhe puna të bëjnë të suksesshëm.

Është një largim përfundimtar i juaji nga futbolli i luajtur apo… ?

Absolutisht që nuk do të largohem. Është ende larg ai moment. Jua thashë edhe më lart, unë e ndiej veten fare mirë dhe janë treguesit e mi në fushën e lojës që e dëshmojnë diçka të tillë. Ndaj jam i gatshëm për të vazhduar në një ekip tjetër.

Keni pasur kontakte?

Jo, sepse kam respektuar dhe kam pritur vendimin e klubit e nuk mund ta ndërmerrja një hap të tillë, sepse nuk është as etike dhe nuk e kam pjesë të karakterit tim.

Çfarë i duhet Apolonisë për t’u rikthyer në nivele elitare?

I duhet profesionalizëm dhe njerëz me përvojë, që e njohin sportin dhe jo që janë anonimë e që kanë pak ose aspak lidhje me futbollin. I duhen dhe të gjithë ata që janë larguar, gjithmonë në kontekstin profesionist të fjalës. Ana montare gjithashtu është shumë e rëndësishme, por edhe vlerësimi real i gjithë faktorëve, një element që tek Apolonia ka çaluar.

Qershori është muaji i Kampionatit Botëror. Për cilën skuadër do të bëni tifozllëk dhe cilin ekip shihni si favorit?

Do të doja të fitonte Italia (qesh), pasi jam tifoz i saj. Mendoj se është një mungesë e madhe në Botëror. Megjithatë, do të më pëlqente të fitonte Anglia ose Spanja.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"