Dëmtimi i rrezikshëm, Milito rrezikon të mbyllë karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2013 | 14:15

Dëmtimi i rrezikshëm, Milito rrezikon të mbyllë karrierën

militoËshtë diçka e vështirë për t’u menduar, por ekziston rreziku i madh që Diego Milito mund ta mbyllë përpara kohe karrierën e tij fantastike, pas këputjes së ligamenteve të gjurit në sfidën e Ligës së Europës kundër Kluzhit. 33-vjeçari argjentinas u është nënshtruar dje vizitave të para mjekësore, ndërkohë që sot do të operohet për të shpresuar ngjitjen e plotë të ligamenteve dhe përgjigje pozitive nga seancat riaftësuese. Ndoshta në stafin zikaltër edhe mund ta kishim pikasur frikën e një dëmtimi të tillë, duke qenë që këtë sezon (mbi të gjitha në periudhën nëntor-janar) gjuri i lojtarit ënjtej shpesh. Kjo ka bërë që ai të mungojë në pjesën më të madhe të këtij sezoni, ndërsa nga dje i ka dhënë fund atij. Për më shumë, specialistët i tremben faktit se mosha e madhe, thuajse 34-vjeçare (i feston më 12 qershor) mund të bëjë që rikuperimi i lojtarit të jetë më i ngadaltë sesa kohët normale për dëmtim të tillë (6-7 muaj). Por më shumë se sa kjo, mjekët i tremben se dëmtimi mund të lërë shenja në fizikun e lojtarit në rast të një përsëritjeje në të ardhmen, prandaj hipoteza e një tërheqjeje nga fusha nuk është aspak për t’u skarcuar. Gjithsesi, në pritje të përgjigjeve që do të japin analizat e këtyre ditëve dhe operimi, vetë sulmuesi është mallëngjyer nga mijërat mesazhe dhe urime që i kanë ardhur nga tifozët e shumtë zikaltër, por në të njëjtën kohë nga klube, miq dhe simpatizantë të shumtë në botë. “Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë mbështetësit e mi, mbi të gjithë tifozët e Interit dhe presidentin Morati. Premtoj se do bëj të pamundurën për t’u rikthyer sa më shpejt në fushë, sepse unë nuk dorëzohem, aq më shumë pas këtyre mijëra mbështetjesh që më karikojnë të kthehem edhe më shpejt sesa kohët e rikuperimit”, – tha Milito.
Barosh dhe Van Nistelroi Ndërkohë, edhe pse presidenti Masimo Morati thekson se nuk do të ketë asnjë zëvendësues për Militon, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, drejtori teknik Marko Branka kishte kontaktuar me agjentin e Milan Barosh, sulmuesi çek 31-vjeçar, që kishte prishur kontratën e tij me turqit e Gallatasarajit, por për çështje ligjore ky transferim nuk mund të kryhet. Ndërkohë, kontaktin tjetër Branka e kishte pasur me menaxherin e Rud Van Nistelroit. Bomberi holandez, i cili vendosi të tërhiqet nga futbolli majin e kaluar, pas eksperiencës te Malaga në Spanjë mund të rikthehet nëse Interi e bind, ndonëse për këtë çështje mund të diskutohet në ditët e ardhshme, edhe pse tonet e para të bisedës nuk kanë qenë aspak optimiste. Solidaritet maksimal Diego Milito është mbushur me mesazhe urimi, qoftë në faqen e tij ashtu sikurse në atë të Interit. E gjithë Seria A, me klube dhe pjesëtarë të saj, i ka dhënë forcë dhe shpresë Militos, por urimet nuk kanë munguar nga Argjentina, Australia (me Del Pieron së pari), si dhe nga Turqia, nga ishshoku Uesli Shnajder.

“Mund të jetë gati në shtator, nëse…”
Doktor Xhan Paskuale Ganzit, një ndër specialistët e këtyre dëmtimeve, saktëson kohët e rikthimit të mundshëm të Militos. “Rikuperimi brenda normave është 6 muaj. Nëse ligamenti i gjurit ngjitet siç duhet, vështirë se dëmtime të tilla mund të përsëriten në të ardhmen, ndaj sipas llogarive Diego Milito mund të rikthehet në fushë në muajin shtator. Mosha e madhe? Natyrisht që një 20-vjeçar reagon më shpejt se një 33-34-vjeçar, por mund t’ia dalë, nëse ekzekuton në perfeksion seancat e rehabilitimit”.

“Ky dëmtim, një shuplakë e frikshme”
Pak orë pas dëmtimit të frikshëm të pësuar nga Diego Milito, presidenti i Interit, Masimo Morati, i qëndron pranë futbollistit të tij dhe konfirmon se nuk do të vijë asnjë zëvendësues. “Pas asaj që i ndodhi Militos nuk kemi kohë të mendojmë për merkaton, ndaj e përjashtoj që një zëvendësues i tiji mund të vijë. Diego ka karakter të fortë dhe premton se do të kthehet shpejt në stërvitje dhe fushë. Ajo që i ndodhi ishte një shuplakë e frikshme, ndonëse dëmtimi nuk i zhbalancon objektivat tona: vendi i tretë dhe Liga e Europës”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"