Demi: Partizani, më i mirë se FSHF-ja. Shefi i gjyqtarëve ta rregullojë korrupsionin me Dukën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2017 | 19:35

Demi: Partizani, më i mirë se FSHF-ja. Shefi i gjyqtarëve ta rregullojë korrupsionin me Dukën

Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, në një intervistë të dhënë për RTSH-në, ka komentuar edhe deklaratën e lëshuar një ditë më parë nga presidenti i Komitetit të Arbitrimit, Tahir Kastrati. Ky i fundit pranoi se thuajse të gjithë gjyqtarët kishin gabuar në javën e 34-t të Superiores, ndërsa ftoi presidentët e klubeve të denonconin nëse kishin prova për korrupsion.

demi

“Më ka bërë përshtypje deklarata e fundit e presidentit të Komitetit të Arbitrimit, Tahir Kastrati, i cili së fundmi i ka kritikuar të gjithë arbitrat për ndeshjet e javës së 34 të kampionatit. Nuk dua të merrem me arbitrimin.

Kastrati i ka bërë thirrje edhe presidentëve të klubeve të jenë sa më bashkëpunues dhe t’i denoncojnë me fakte, sigurisht nëse kanë, gjyqtarët e korruptuar. Them se më parë Kastrati duhet t’i bëj thirrje presidentit të vet të FSHF-së dhe vetes së tij, meqë është edhe president i Komitetit të Arbitrimit, në mënyrë që ta rregullojnë këtë punë sa më mirë”, ishte ironia e Demit.

Sipas tij, klubi po ecën në rrugën e duhur, pa aleanca si dhe sa i përket cilësisë administrative, do të jetë në një nivel shumë më të lartë sesa ata që e drejtojnë futbollin në vendin tonë.

“Është një Partizan që po ngrihet nga dita në ditë më i mirë. Këtë punën e aleancave nuk dua ta dëgjoj se çfarë bëjnë të tjerët, ne si Partizan do të jemi gjithmonë në garë sipas rregullave. Partizani do të jetë mbi nivelin e Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo është e sigurt”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"