Çoba, i sigurt: Vllaznia është për Europë, i shënoj sërish Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 18:00

Çoba, i sigurt: Vllaznia është për Europë, i shënoj sërish Partizanit

Mehdi Çoba, autori i golit të vetëm në përballjen ndaj Teutës, është shprehur i kënaqur me rrjetën e shënuar, por më tepër me trepikëshin, që mungonte prej shumë ndeshjesh te Vllaznia. Çoba ka folur për “Panorama Sport” edhe për përballjen e radhës ndaj Partizanit, e vlefshme për javën e 34-t të Kategorisë Superiore.

coba partizani

Në fazën e tretë sulmuesi ishte autori i golit të fitores ndaj Partizanit, i shënuar në minutën e 90-të. Një gjë të tillë dëshiron ta përsërisë sërish, por më shumë kërkon një tjetër fitore të ekipit të tij. Sulmuesi beson se Vllaznia do të kualifikohet në kompeticionet europiane në fund të këtij sezoni. Goli i tij u dha një sukses të rëndësishëm shkodranëve ditën e djeshme kundër Teutës. Mehdi Çoba u tregua edhe njëherë vendimtar për kuqeblutë në fitoren 1-0 kundër durrsakëve. Sulmuesi shkodran po kalon formën e tij më të mirë. Jo vetëm dy golat në dy javët e fundit kundër Kastriotit dhe së fundmi Teutës, por edhe loja ka qenë në nivelin e duhur. Mëngjarashi duket i rilindur me trajnerin Sedlsoki, që i ka dhënë besimin e duhur.

Një gol me vlerë prej tri pikësh, sa i rëndësishëm ishte në këto momente?
Ishin shumë të rëndësishme këto tri pikë dhe jam shumë i kënaqur me këtë fitore të arritur. Kishte disa ndeshje që na mungonte fitorja, por ekipi e kërkoi me këmbëngulje këtë triumf. Ky sukses na jep shpresë për objektivin minimal, që tani kemi për të arritur.

Me ardhjen e Sedloskit duket se ka ardhur në rritje edhe loja juaj. Çfarë ka ndikuar?
Mendoj se deri më tani e kam shpërblyer besimin e tij, pavarësisht se një lojtar ka gjithnjë më shumë për të dhënë. Po gëzoj një formë pozitive dhe është një moment që duhet shfrytëzuar në maksimum, në radhë të parë për objektivat e skuadrës, por edhe ato personale. Falënderoj stafin teknik me në krye Sedloskin, që po më japin besim.

A ka Vllaznia shanse për t’u kualifikuar në kompeticionet europiane?
Mendoj se ekipi është në rrugën e duhur për të qenë në Europë. Unë besoj se do ta arrijmë këtë objektiv.

Të dielën luani ndaj Partizanit, si e shikoni këtë përballje?
Është një ndeshje shumë e bukur, por edhe shumë e fortë. Megjithatë, ne do të shpresojmë dhe do të punojmë që ta fitojmë edhe këtë betejë.

U keni shënuar “demave” në fazën e dytë, dëshironi ta bëni një gjë të tillë edhe kësaj here?
Unë punoj për ekipin dhe më e rëndësishmja është që të fitojmë, por nëse është rasti për të shënuar, do të bëj maksimumin që ta dërgoj topin në rrjetë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"