Cikalleshi përfshihet në listën e Ligës së Kampioneve, Kaçe drejt rivalëve të Iraklisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2017 | 13:39

Cikalleshi përfshihet në listën e Ligës së Kampioneve, Kaçe drejt rivalëve të Iraklisit

Në gjysmën e fundit të sezonit të shkuar, Sokol Cikalleshi u huazua nga Bashakshehir tek Akhisar dhe kjo e fundit e kërkon ende me insistim. Mirëpo, skuadra që zotëron kartonin e bomberit të Kombëtares ka të tjera plane me të.

cikalleshi

Shqiptari do të jetë pjesë e skuadrës që do të marrë pjesë në turin e tretë kualifikues në Champions. Nga ana tjetër, në Greqi, mediat vendase raportojnë se menaxheri i Ergys Kaçes është vënë në lëvizje. Nga sa mësohet, ai është takuar me drejtuesit e skuadrës së Iraklisit.

CHAMPIONS

Bashakshehiri do të përballet me skuadrën e Klub Bryzh në turin e tretë kualifikues të Champions-it. I gatshëm për këtë përballje në skuadrën turke do të jetë edhe bomberi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi. Në listën e dërguar nga klubi turk në UEFA, bie në sy prania e Cikalleshit përkrah Adebajor në repartin e sulmit.

Shqiptari është bashkuar me ekipin në fazën përgatitore prej disa ditësh dhe ka bindur me formën e tij jo vetëm me testet fizike gjatë stërvitjeve, por edhe me dy gola. Në këto kushte, duket që Bashakshehir ka ende shumë besim te bomberi kuqezi, për të cilin kanë shpenzuar 2 milionë euro në Kroaci kur e blenë. Cikalleshi ishte një futbollist i rëndësishëm për Basaksehirin dhe gjithashtu u bë edhe shpëtimtari i Akhisarit me golat e realizuar në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar ku luajti si i huazuar.

ERGYS KAÇE

Merkato e transferimeve e lakon edhe një herë Kaçen si futbollist, i cili nuk ka të garantuar sezonin e ardhshëm. Ndonëse mediat greke kanë raportuar se Kaçe ka bërë paraqitje të mira në ndeshjet testuese të PAOK-ut dhe gjatë seancave stërvitore që janë zhvilluar në Holandë, sërish menaxheri i tij është vënë në lëvizje dhe këtë herë për të tentuar një goditje të bujshme.

kace

Mediat greke raportojnë se menaxheri i mesfushorit të Kombëtares ka menduar pikërisht skuadrën tjetër nga Selaniku, Iraklisin. Një ekip që ka rivalitet të madh me PAOK, ndaj raportohet që menaxheri i shqiptarit duhet të imponohet menjëherë në bisedimet që do të kryejë për transferimin e mundshëm të futbollistit të Kombëtares. Mbetet për t’u parë nëse Kaçe do të imponohet tek PAOK-u për të gjetur mjaftueshëm hapësira, apo do të bashkohet me skuadrën tjetër të Selanikut.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"