“Çdo gjë për ndeshjen e vitit të Flamurtarit”, Ferko flet për përplasjet Troisi-Iakoveli: Nuk merremi me telenovela braziliane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2023 | 23:19

“Çdo gjë për ndeshjen e vitit të Flamurtarit”, Ferko flet për përplasjet Troisi-Iakoveli: Nuk merremi me telenovela braziliane

Alfred Ferko e sheh Flamurtarin në elitë. Edhe pse u dogjën shanset për ngjitjen direkte, ai beson se do t’ia dalin me anë të fazës “play off”. Rrugë e gjatë dhe e vështirë, por drejtori thekson se në Vlorë nuk kanë frikë dhe do t’i luajë të gjitha shanset. Në një intervistë për “Panorama Sport”, paralajmëron se në fund do ta bëjnë një analizë të detajuar për gabimet e bëra. Vlerëson punën që po bën Diego Lunga, ndërsa akuzat e Mateus Iakovelit për Marcelo Troisin i cilëson telenovelë braziliane.

alfred ferko

Kanë mbetur edhe 180 minuta nga kampionati i rregullt. Çfarë prisni nga dy ndeshjet?
Presim që të blindojmë vendin e tretë. Më vjen keq që nuk shkuam në dy vendet e para, por tani këtë detyrë kemi dhe bëhemi gati për “play off”-in. Do t’i luajmë të gjitha shanset tona për ndeshjen e vitit. Nuk kemi rrugë tjetër.

A keni frikë mos ju rrëshqet këmba me Besëlidhjen dhe me Apoloninë, sikundër ndodhi me Tomorin?
Vetëm fjala frikë nuk ka ekzistuar kurrë në Vlorë dhe te Flamurtari (qesh). Nuk e kemi dhe nuk do të kemi, kurrë!

A keni bërë një analizë për situatën e krijuar?
Ne gjithnjë flasim, por analiza përfundimtare do të bëhet në fund. Tani duhet të shikojmë çdo gjë me optimizëm për të shkuar deri në fund, për të tjerat pastaj… analiza bëhet në fund. E rëndësishme është që ne jemi në lojë deri në fund. Nuk është se i humbasim shpresat.

Konkretisht çfarë nuk ka shkuar te Flamurtari së fundmi?
Të thashë që analiza bëhet në fund. Të gjithë veprimet që kemi bërë dhe stërvitjet, janë bërë për të mirën e Flamurtarit. Diçka nuk ka shkuar mirë në momente të veçanta, por ne jemi në lojë akoma. Nuk mund të hedhim asgjë poshtë.

Longo ka fajësuar Troisin për gjendjen e ekipit. Keni një koment?
E rëndësishme është që Longo po bën një punë shumë të mirë. Po mundohet që të punojë me ekipin i qetë dhe është i vetëdijshëm për atë që na pret. Është një ndeshje që duhet të luhet gjithçka për objektivin që i kemi vënë vetes që në fillim. Nuk i komentoj këto gjëra, pasi janë të vogla. Vjen një moment dhe çdo trajner ka një filozofi të tijën.

Nëse kaloni dy kundërshtarët e Kategorisë së Parë në “play off”, në fund mund të diskutoni ngjitjen me Kukësin, që momentalisht është e 8-ta në elitë. Do të donit ndonjë skuadër tjetër?
Unë e kam thënë që nuk ka asnjë preferencë. Kush të jetë, le të jetë. Ne do t’i luajmë të gjitha për një ndeshje.

Keni një koment për akuzat e rënda të Iakovelit ndaj ish-trajnerit Troisi?
Flamurtari nuk merret me telenovela. I takojnë pjesës së Brazilit. Ne jetojmë në Vlorë dhe në Shqipëri. Ata njerëz i falënderuam për atë që bënë edhe deri aty dhe mirupafshim.

Por ju si drejtues i klubit keni qenë në dijeni të këtyre situatave?
Absolutisht jo. As nuk më takon të merrem dhe as nuk i komentoj. Rrugën e tyre e dimë dhe ju thamë faleminderit për ato që kontribuuan për ne. Deri aty dhe boll, aty e mbyllëm.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"