Çalhanoglu: Titulli në derbi do të ishte çmenduri, por nuk do ta teproj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2024 | 10:26

Çalhanoglu: Titulli në derbi do të ishte çmenduri, por nuk do ta teproj

N ë rast se Interi do të shpallet zyrtarisht kampion i Italisë në derbi, sigurisht që telekamerat do të kërkojnë më shumë se kurrë një personazh: Hakan Çalhanoglu. Ish-mesfushori i Milanit tradhtoi kuqezinjtë për të veshur fanellën zikaltër. Dhe si për ironi të fatit, një sezon më vonë titullin e fituan kuqezinjtë, duke tallur turkun gjatë festimeve. Por tani ai mund të festojë përpara fytyrës së milanistëve, por premton se nuk do t’i kalojë limitet dhe se do të jetë korrekt.

calhanoglu

Në një reagim për “CBS Sports Golazo”, Çalha thotë se fitorja në derbi do të ishte çmenduri. “Nëse Interi do ta fitojë titullin kampion në derbi do të ishte diçka e jashtëzakonshme dhe një çmenduri e vërtetë. Por do të jetë një ndeshje e vështirë. Shpresoj që të jetë e bukur dhe korrekte mbi të gjitha. Sigurisht që edhe festimet duhet të jenë të qeta, sepse kujtoj mënyrën se si festuan kuqezinjtë në të shkuarën dhe unë dua të jem shumë herë më i qetë”, tha fillimisht autori i 10 golave në këtë sezon.

RRITJA- Mesfushori provon të shpjegojë atë që ka ndryshuar në këtë skuadër në krahasim me të kaluarën. “Jemi rritur shumë sidomos pasi humbëm finalen e Champions-it kundër Sitit. Tani jemi një nga 5 klubet më të forta në botë. Kemi një trajner shumë të mirë. Për të nuk është aspak e lehtë, por ne lojtarët mundohemi t’ia thjeshtësojmë punën. Ashtu siç ndodh me lojtarët që përmirësohen me kohën, ndodh edhe me trajnerët. Inzagi është një person shumë i hapur. Jemi rritur të gjithë bashkë. Ai provon shumë gjëra në stërvitje dhe Interi tani ka fituar një rëndësi të veçantë në arenën europiane. Ishte edhe më përpara, por nuk luante kaq bukur futboll. Tani iu pëlqen të gjithëve që e shohin. Trajneri është duke bërë një punë të jashtëzakonshme”, shtoi më tej Hakan.

ELIMINIMI- Sigurisht që nuk mund të kalonte pa u prekur edhe tema e nxehtë e këtij sezoni, eliminimi nga Champions-i. “U eliminuam me penallti, kundër një skuadre shumë të fortë dhe me eksperiencë si Atletiko. Tani fokusi maksimal është te kampionati sepse duam patjetër të fitojmë titullin kampion. Duam të vendosim sa më shpejt të jetë e mundur yllin e dytë në fanellë”, theksoi organizatori zikaltër.

ROLI I RI- Ai tregon gjithashtu me krenari mënyrën se si po interpreton në perfeksion një rol të ri në karrierë. “Kush më njeh, e di që unë jam një numër 10 dhe isha i famshëm në të shkuarën për goditjet e dënimit. Kur u largua Brozoviç trajneri më tha të bëja këtë rol dhe më pëlqen shumë. Jam rritur në të tjera aspekte. Ndonjëherë jam si një mbrojtës i shtuar dhe ndryshoj pozicionet me shokët e skuadrës. Kështu jeta e kundërshtarëve është e vështirë. Më përpara isha më i lehtë në lojë, tani jam më agresiv për të rikuperuar topat”, tha 30-vjeçari.

E ARDHMJA- Në fund, një pyetje në lidhje me të ardhmen dhe mundësinë që të luajë me fanellën e Gallatasarait. “Jo. Unë jam i lumtur tek Interi. Duhet të jem i sinqertë që më pëlqen të luaj në Itali dhe të qëndroj në nivele të larta në Europë. Ndoshta një ditë në të ardhmen e largët mund të jetë një opsion”, përfundoi Çalha.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"