Bushi pas suksesit kuqezi: Fituam se kishim durim. Më habiti shiriti i kapitenit, portierin e kemi për “marshallah”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2021 | 20:59

Bushi pas suksesit kuqezi: Fituam se kishim durim. Më habiti shiriti i kapitenit, portierin e kemi për “marshallah”

Alban Bushi, trajneri i përfaqësueses Shpresa, e ka cilësuar zbatimin e detyrave dhe durimin si çelësin e suksesit në ndeshjen e fituar sot nga U21 ndaj Sllovenisë.

Bushi

Ai deklaroi për “RTSH” se ekipi kishte kryer me përpikmëri detyrat e caktuara, por ndërkohë nuk vendosi objektiva edhe pse ekipi ka 9 pikë pas 4 ndeshjesh.

“E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, Sllovenia ka një ekip shumë fizik. Dua të falënderoj lojtarët, pasi zbatuan me përpikmëri udhëzimet. Ishte një ndeshje që donte shumë durim, si Muçi si Karrica bënë shumë volum loje, duke e ndihmuar skuadrën edhe në mbrojtje. Ne jemi një ekip i vogël, modest, nuk jemi sa Sllovenia, pasi ata dolën barazim 2-2 kundër Anglisë para pak ditësh. Nuk ishte një Slloveni e përgjumur, ata na vunë në vështirësi nga krahu i majtë i sulmit të tyre. Në pjesën e dytë më pas, ekipi bëri gjithçka siç duhet.

Shiriti i kapitenit? Muçi ishte kapiten, por u habita kur ia pashë Pëllumbit. Por Jorgo më tha që e kam fat dhe ashtu ndodhi. Pritjet e Tafas? Portieri është për “marshallah”, sepse ishte ndër më të mirët në fushë. Është puna e portierit të ndihmojë ekipin, duhet të na japë shumë garanci se me këto ekipe nëj gabim të kthehet në gol. Jemi të gëzuar për këto tri pikë që morëm, kishim probleme në sulm, pasi Karrica është lojtar krahu, por u detyruam ta aktivizonim në sulm, pasi nuk kishim alternativa.

Është e vërtetë që kemi 9 pikë, por nuk është se ne do të kemi objektiva, pasi kemi rivalë të fortë. Objektiva kanë Gjermania, Italia, Anglia. Ne kemi ndeshjen e radhës Ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Unë dua të falënderoj lojtarët për durimin që patën për të arritur te fitorja”, përfundoi Bushi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"