Burreli, finalja e radhës për skuadrën ballshiote. Abazaj: Bylisi rimerr kreun, mbetemi të pathyeshëm nga rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 23:26

Burreli, finalja e radhës për skuadrën ballshiote. Abazaj: Bylisi rimerr kreun, mbetemi të pathyeshëm nga rivalët

Ndeshja me Burrelin është finalja e radhës për Bylisin. Trajneri Arian Bellai së bashku me stafin e tij kanë zgjedhur një tjetër program për këtë periudhë, nisur edhe fakti se skuadra ka qenë e mbingarkuar. Në periudha të ndryshme ekipi ka zhvilluar edhe tri ndeshje në tetë ditë.

MARIN ABAZAJ BYLIS

Megjithatë, duke qenë se kjo fundjavë do të jetë pushim për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, Bellai ka menduar që një pjesë të lojtarëve t’i angazhojë me skuadrën U-21, duke qenë se kanë ndeshje delikate në transfertë me Vllazninë. Marin Abazaj, një nga pikat e forta të Bylisit, për “Panorama Sport” flet për ecurinë e deritanishme dhe takimet e radhës që e presin Bylisin, duke filluar nga transferta e Burrelit.

“E rëndësishme është që skuadra reagoi në sfidën me Besën. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Na kanë hapur më shumë punë ekipet e vogla, pasi luajnë ngjeshur e madje mbrohen me forca të shumta. Bylisi po mendon për ndeshjen e radhës me Burrelin në transfertë. Në fakt, gara është e gjatë dhe unë them se ne do e rimarrim kreun. Jemi skuadër me shumë eksperiencë dhe të mësuar me sfida. Pastaj, asnjë nga rivalët tanë nuk na ka mundur këtë sezon.

Në takimet e radhës do të bëjmë maksimumin që të grumbullojmë pikët e plota. Burrelin e respektojmë, që për ne është po aq i fortë sa Elbasani. Matjanët kanë ekip që luajnë futboll dhe kanë një grup simpatik dhe e kanë treguar forcën e tyre brenda dhe jashtë fushe. Ne do shkojmë për më të mirën dhe këtë periudhe e shohim si reflektim dhe për një ristart të vrullshëm të garës”, tha pogradecari, i cili këtë sezon është një nga pikat e forta të Bylisit, ku ka spikatur me golat e shënuar.

ERJON SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"