Broja mbreti i “Instagram”-it, si ka ndryshuar numri i ndjekësve të lojtarëve shqiptarë pas një viti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2023 | 13:10

Broja mbreti i “Instagram”-it, si ka ndryshuar numri i ndjekësve të lojtarëve shqiptarë pas një viti

Golat, paraqitjet pozitive, por edhe jeta e reklamuar në rrjete sociale e futbollistëve, patjetër që kanë një impakt edhe te tifozët. Në ditët e sotme njëra prej platformave që përdoret më shumë është “Instagram”-i dhe duke qenë se një vit më parë “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim në lidhje me ndjekësit që lojtarët e Kombëtares kanë, tani ka ardhur koha që të shohim se si ka ndryshuar numri i ndjekësve.

Armando Broja festa e golit

Nëse u referohemi faqeve zyrtare në këtë rrjet social, kuqezinjtë kanë një shikueshmëri të lartë dhe nëse do të nxirrnim një renditje se cili është më i ndjekuri, tabela do të ishte si më poshtë: Armando Broja, futbollisti i Çelsit mbetet në krye, madje nga 250 mijë persona që e ndiqnin një vit më parë, sulmuesi ka arritur të shkojë mbi dyfish, teksa tani numëron 534 mijë njerëz, të cilët e ndjekin. Normalisht edhe kampionati e shteti ku Broja luan kanë një shikueshmëri shumë herë më të lartë.

Pas tij vjen Rei Manaj, aktualisht luan te Sivaspori në Turqi dhe në krahasim me vjet, sulmuesi ka shtuar rreth 57 mijë ndjekës.

Një rritje të madhe ka pësuar edhe “Instagram”-i i Kristjan Asllanit. Mesfushori që mbylli një sezon me Interin dhe shkoi deri në finalen e Ligës së Kampioneve nga 84 mijë ndjekës ka arritur të shkojë në 238 mijë.

Vendin e katërt e mban Elseid Hysaj, edhe pse pas një viti mbrojtësi nuk ka qenë shumë aktiv në rrjete sociale me postime pasi ka humbur rreth 3 mijë ndjekës.

Më tej vijon Armando Sadiku, që popullaritetin në internet e mori gjatë “Euro 2016”, ku shënoi edhe golin e vetëm të Shqipërisë dhe nga 201 mijë fansa që kishte para një viti, tani është në shifrën 193 mijë.

Pas tij renditet Marash Kumbulla që është rritur me 20 mijë ndjekës, por nëse shohim Tomas Strakoshën, vëmë re se portieri po ikën “pikiatë” nga ndjekësit. Për një vit, ai ka humbur 18 mijë ndjekës.

Ndërkohë, rritje të madhe ka pasur edhe zbulimi i Silvinjos, Jasir Asani, por një vit më parë nuk ishte pjesë e Kombëtares, ndërsa tani ka 73 mijë ndjekës, rritur këto edhe pas xhiros në rrjet që kanë bërë supergolat e tij. Ndërkaq, ka edhe lojtarë që e kanë mbyllur llogarinë në “Instagram”, siç është Ernest Muçi.

44545

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"