Bind serbi Vukmanoviç dhe kroati Gerc, priten firmat me Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2012 | 12:07

Bind serbi Vukmanoviç dhe kroati Gerc, priten firmat me Kastriotin

Kastrioti është në ditët e fundit të mundësisë për kompletimin e skuadrës (nga sot ekipi do të fillojë ta përgatisë ndeshjen e kupës me Kamzën), teksa thuajse e ka plotësuar kontingjentin për të qenë e gatshme në pjesën e dytë të sezonit. Me mbrojtësin 30-vjeçar serb, Branislav Vukmanoviç, i cili ka mbërritur në Krujë të shtunën, pikërisht në kohë për t’u aktivizuar në ndeshjen miqësore me Bylisin, është arritur akordi që ai të jetë në pjesën tjetër të sezonit me Kastriotin. “Unë dëshiroj të aktivizohem më këtë ekip dhe të shkojmë në Kupat e Evropës”, – është shprehur Vukmanoviç për “Panorama Sport”. Bëhet fjalë për një lojtar me përvojë, i cili luan në krahun e majtë të mbrojtjes dhe në 45 minutat që është aktivizuar ndaj Bylisit ka bindur Ndreun. Ky i fundit duket se ka gjetur personin e duhur që do të kombinojë me Turdiun për të blinduar krahun e majtë të prapavijës. Serbi është larguar dje në drejtim të Kragujevacit, qyteti ku banon. Lojtari do të marrë gjërat e nevojshme që do t’i duhen për të jetuar në Tiranë dhe është njoftuar nga klubi të kthehet të mërkurën në skuadër. Edhe për lojtarin tjetër, i cili ishte në provë dhe gjithashtu luajti për 45 minuta në miqësoren e Durrësit, sulmuesin kroat, Vedran Gerc, marrëveshja thuajse është e arritur. Sipas trajnerit Ndreu, sulmuesi ka shumë gjasa që të mbetet në Krujë. Ndërkohë, sot pritet të mbërrijë në Krujë edhe një lojtar tjetër sllav. Bëhet fjalë për mesfushorin malazez, Dordije Cetkoviç, i cili së fundmi është aktivizuar me Zetën. 28-vjeçari është nipi i lojtarit të shquar, Predrag Mijatoviç. Ai ka luajtur në vitet 2006- 2008 me klubin gjerman, Hansa Rostok.

Stërvitja
Kastrioti do të nisë sot përgatitjet për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Kamzës. Kjo sfidë, e vlefshme për turin çerekfinal, do të zhvillohet të shtunën në Krujë. Duke qenë se skema e kupës ka ndryshuar, krutanët kanë shpresa që në grup me Kamzën, Bylisin dhe Tiranën, të kapin minimalisht vendin e dytë për t’u kualifikuar në turin gjysmëfinal. Kjo do të ishte një arritje historike për skuadrën e drejtuar nga Ramadan Ndreu.
Murat Aruçi