Bespalla, djali i një rusi, i cili u bë mit i futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2015 | 19:00

Bespalla, djali i një rusi, i cili u bë mit i futbollit shqiptar

bespella 1

Nga UVIL ZAJMI

Cili ka qenë Niko Bespalla, futbollisti me gjuajtjen e tmerrshme e më të fuqishme që ka parë futbolli shqiptar? Djali i një familje të ardhur nga Rusia, rinia, Lokomotiva, Partizani e Dinamo, te Flora, si dhe rrëmbimi e dashuria me bukuroshen e “Emin Durakut”. Ndëshkimi për një grusht kallaj, deri te puna në fermë. Golat spektakolarë, takimi me Muho Asllanin, drama për humbjen e djalit, futbollist. Çfarë bën sot Nikolla Bespallov, lojtari mit i viteve ’60?
Fëmija i një rusi të bardhë
Historia e Niko Bespallës nuk është vetëm ajo sportive, por edhe familjare. Madje, shumë e veçantë… I ati, Spiridon Bespallov, një rus i bardhë, shumë fisnik, oficer madhor, pas largohet me familjen nga Rusia rreth viteve ’20, vjen në Shqipëri. Fillimisht qëndron në Tiranë, pastaj në Durrës. I martuar me Varvarën, dasmë që e pati bërë në Titograd, lindin tre fëmijë: Nikolla është djalë i vetëm i dy motrave. Ashtu si shumë të tjerë, për pasoja që mund të kishte për kohën e më pas, mbiemri Bespallov u transformua në Bespalla. Kështu e kanë njohur dhe pak e dinë se ai i vërteti është Bespallov, mbiemër i rëndë i denjë për një sportist kalibri.


bespell 2Rinia, shumë shpejt protagonist

I lindur në vitin 1938, Niko Bespalla, shumë shpejt ingranohet me skuadra futbolli të moshave në Durrës, ku dallohet nga të tjerët. Luante mirë dhe u aktivizua me të rinjtë e Lokomotivës. Në vitin 1956, federata organizoi një turne kombëtar dhe qyteti i Durrësit do të përfaqësohej me një skuadër të seleksionuar me futbollistë nga Kavaja, Shijaku e Durrësi. Të rinjtë e Durrësit janë kampionë, ai është kapiten skuadre dhe trajneri Adem Karapici e afron me skuadrën e parë të Lokomotivës. Është vetëm 19 vjeç, sezoni futbollistik 1957 luhet me tetë ekipe dhe papritur ai realizon 17 gola. I gjatë 1.72, ka një gjuajtje të fortë që e dallon nga të tjerët, si dhe një fizik robust, as sa konsiderohet nga specialistët si futbollist me të ardhme.
Shërbimi ushtarak, te Partizani
Viti 1957. I zbuluar si talent ai merret për të kryer shërbimin ushtarak trevjeçar te Partizani, ku qëndron deri në vitin 1960. Fiton dy herë titullin kampion, duke qenë pjesë e triumfit të skuadrës në Lajpcig, kur klubi zuri vendin e dytë dhe mori medaljet e argjendta. Luan në krah të Maliqatit, Deliallisit, Ndinit, Fagut, Merjes, Haxhiut, Dedës, Shllkaut, Panos, Resmjes, Krajës, etj., me trajnerë Borini, Spahiun. Mbante në fanellën numrin 8, që për kohën tregonte edhe pozicionin si gjysmësulmues që futbollisti kishte në fushë. Por, para transferimit një ngjarje sportive do të regjistronte një tjetër moment historik të karrierës së tij…
Penalltia e humbur …
Kur kanë mbetur edhe tri minuta lojë dhe rezultati është 0-0 arbitri Ramazan Kuka pat akorduar një penallti për Lokomotivën, që luante kundër Partizanit në Tiranë. Të pranishmit në “Qemal Stafa” kanë mbajtur frymën, kur Bespalla i është afruar pikës së bardhë, ka goditur fuqishëm, por topi është pritur nga Maliqati. Ndërkohë, Partizani ka shfrytëzuar hutimin e durrsakëve dhe në pak çaste ka shënuar dy herë duke e fituar ndeshjen 2-0. Ka qenë 3 nëntori i 1957, atë ditë nuk e harron, pasi një javë më vonë do ta merrnin të kryente shërbimin ushtarak te Partizani. Por humbja e penalltisë ka lënë një shije jo të mirë te tifozët: “E dije që do të shkoje te Partizani, prandaj e ke humbur qëllimisht”, ishin akuzat ndaj tij. Por, ka qenë e kundërta: “Dy javë më ka dhembur dora nga pritja e gjuajtjes sate”, i ka thënë Sulejman Maliqati kur u takuan së bashku në klub. Dhe sfida e parë me fanellën e Partizanit në një miqësore ndaj rusëve të Krilla Sovjet. Një përballje krejt rastësore, por çuditërisht e lidhur edhe me prejardhjen e tij. Madje, nuk do të ishte as e para dhe e fundit ndaj rusëve.
bespa 3Tifoz i Dinamos, ikën nga Partizani
Ndonëse e iu lutën të qëndronte te Partizani, një ndjenjë tjetër e shtynte të shkonte te Dinamo. Tifoz me këtë skuadër që në fëmijëri, pa mbaruar ushtrinë (viti 1960), ndërsa luhet faza e dytë, ai është pranuar te Dinamo dhe emri i Bespallës figuron i regjistruar si efektiv te ky klub. Në nëntor luhet një takim miqësor midis Partizanit dhe një ekipi rumun e në banketin e organizuar mungon vetëm Bespalla, i cili tashmë e kishte shpallur ndarjen me Partizanin, për të hapur një tjetër cikël, atë me Dinamon. Nuk pati presion nga titullarët e lartë ushtarakë të kohës, por vetëm Resmja, Jashari ishin miqtë që tentuan t’ia ndryshonin mendjen, por pa dobi.
Largimi dhe kthimi surprizë
Janar, janë ditët e para pranë klubit të ri. Skuadra, lojtarë qëndrojnë të sistemuar dhe flenë në dhomat e stadiumit “Dinamo”, që për shumë vite ka shërbyer edhe si klub. I kanë caktuar një të tillë bashkë me portierin Mile Qoshe, por i mërzitur, i paambientuar me mjedisin e ftohtë të stadiumit, vendos ta braktisë Dinamon. Bashkë me futbollistin A. Dume, pa njoftuar askënd, kthehet në Durrës dhe fillon stërvitjen me Lokomotivën. Ndërkohë, kampionati ende nuk ka filluar dhe në prag të tij, Dinamo luan një ndeshje miqësore në Shijak me Erzenin. Për të parë takimin i pranishëm është edhe Bespalla. “Shkova për të ndjekur ndeshjen, – tregon ai. – Më vijnë tifozët e Erzenit dhe të Dinamos e më luten që të luaj në pjesën e dytë me Dinamon”. Një palë këpucë, mbathje, fanellë dhe pamenduar gjatë Bespalla shfaqet në fushë me Dinamon. Pas pak ditësh, në kryeqytet, skuadra dinamovite luan një tjetër miqësore me Vllazninë, që mbyllet me një gol të Bespallës. “Bespalla luan me Dinamon jo me dokumente të rregullta. Ai është lojtar i Lokomotivës dhe duhet të kthehet në Durrës”, shkruante gazeta “Sporti Popullor” e kohës.
Transferim i rrallë, normal për kohën
Për të bërë kalimin zyrtar të Bespallës te Dinamo, klubi kishte projektuar një variant, krejt unik për kohën. Luhet një turne për Kongresin e 5-të të Partisë dhe në Durrës, në një miqësore janë përballë LokomotivaBesëlidhja. Me drejtorin e stadiumit “Dinamo” ai niset herët paradite për në Durrës, duke u paraqitur fillimisht në Degën e Brendshme, te Kopi Niko. Pastaj në fushën e vjetër, atje ku do të realizohej edhe transferimi zyrtar: Sipas marrëveshjes, ai kishte veshur fanellën e Lokomotivës, bërë paraqitjen me skuadrën, si dhe shkelmimin simbolik të topit, duke u larguar më pas nga fusha, pa kuptuar askush se çfarë po ndodhte. Nuk i foli njeri, ai u largua në heshtje nga Durrësi. Te Dinamo tashmë e prisnin Jareci, Halili, Gjoci, Halluni, Verria, Tallushi, Bushati, Lubonja, Duro, Rreli, Beliu, Vorfi, Vila dhe trajneri Zyber Konçi.
Dashuria dhe rrëmbimi i bukuroshes
Ardhja në Tiranë te Dinamo është e lidhur me tri momente të paharruara për jetën e tij: Luan me klubin e njohur shqiptar, që e ka regjistruar në Politeknikumin “7 Nëndori”, por edhe dashurohet. Një dashuri jo si të tjerat. Ndërsa vinte në klub, duke kaluar pranë shkollës “Emin Duraku”, zbulon bukuroshen Flora, një atlete, pinjoll i familjes Dajçi, personazhe të njohur të atletikës. Ka mjaftuar një tingëllimë zileje e biçikletës ruse femrash me të cilën ai lëvizte, për t’ia tërhequr vëmendjen, madje në këtë dashuri kanë kontributin e tyre edhe T.Çutra, A.Janku, Balluku, V.Lleshi e Sejdini, nxënës të një klase, që e lajmëronin se kishte ardhur Niko. Pastaj rrëmbimi, kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe, një histori dashurie si në filma, që e tillë është edhe sot. Lindën katër fëmijë, dy djem e dy vajza, nga të cilët djali…
besp 4Në Bullgari, ndeshja më e bukur
Në karrierën e tij gati 20-vjeçare ka luajtur më shumë se 400 ndeshje, kampionate, kupa, por edhe sfida ndërkombëtare. Por, atë të zhvilluar në Bullgari, sfida për Kupën Ballkanike Levski i Sofjes-Dinamo, e vlerë- son si ndeshjen më të bukur të tij. Ndeshja përfundoi në barazim 2-2. Për Dinamon ishte Bushati autori i dy golave. Megjithatë, për Bespallën kjo sfidë mbetet më e veçanta: e kujtuan si lojtar të marrë nga Barcelona, për atë çfarë demonstroi gjatë 90 minutave. Ndërkohë, me Kombëtaren nuk ka asnjë ndeshje. Janë vitet e mospërfaqësimit në aktivitetet europiane (1953-’57 dhe 1958-’63). Vetëm turne me ekipin përfaqësues të Tiranës, që konsiderohej në mjaft takime si ekipi kombëtar, si dhe me klube në Bashkimin Sovjetik apo vendet e Lindjes. Nga 1 maji i ’58-ës, kur në Tiranë u luajt kundër RDGJ (1-1) gol i Krajës, skuadra kombëtare u rikthehet takimeve zyrtare. Kjo ndodhi në vitin 1963, saktësisht më 29 qershor, në Kopenhagë 4-0 me Danimarkën.
Me Bylykun, dyluftimi i paharruar
Nuk ka pasur frikë nga asnjë mbrojtës dhe asnjë kundërshtar. Vetëm kundër Nuri Bylykut të 17 Nëndorit e ka pasur të vështirë. Ai ishte një lojtar fanatik për trajnerin, i fortë dhe me një markim të “bezdisshëm” për kundërshtarin. Gjithmonë trajneri e vendoste në mbulimin e lojtarëve më problematikë që kishte skuadra tjetër. (Një duel i tillë historik është edhe ai Pano-Bylyku, i njohur për rivalitetin sportiv midis futbollistëve). I tillë ka qenë edhe dyluftimi Bespalla-Bylyku. Ndërsa Besën e kishte skuadrën, së cilës i shënonte në vazhdimësi. Madje, edhe rekordin me katër gola në një ndeshje e ka regjistruar pikërisht me Besën në Kavajë.
Goditja, e cila i hoqi nishanin nga trupi
Sezoni 1963-1964, është vendosur përfundimisht në Durrës, titullar me Lokomotivën që luan kundër Partizanit. Në një çast të lojës tenton t’i shkë- putet mbulimit të Papadhopullit, i cili ndërhyn rëndë duke e goditur me taka në bel, i gris fanellën, njëkohësisht i shkëputet nga trupi një nishan, që i shkaktoi një plagë në trup të cilën ia mjekuan. Nuk e harron atë moment kur nuk pa nishanin, pasi pati një çast hutimi dhe tronditje nga gjaku që i rridhte. Fanellën e asaj ndeshjeje e qepi dhe për shumë takime luajti me të, madje për një kohë të gjatë e ruante si të vetmin trashëgim nga jeta sportive. Por, koha, rrethanat, moskujdesi, indiferenca bënë që ta humbiste për të mos e gjetur kurrë atë, si të vetmin kujtim që i kishte mbetur nga karriera.
Pse më ngjason me Sivorin e famshëm
Nuk e di, por Niko Bespalla të kujton Omar Sivorin e famshëm, ishargjentinasin e Juventusit të viteve ’60. Një karrierë thuajse e afërt në mjaft aspekte: E njëjta shtatlartësi dhe paraqitje, i njëjti pozicion në fushë, inteligjencë natyrale, aftësi dribluese, ego, agresivitet loje, protagonist për skuadrat dhe kohën që luajtën, rebelë në fushë dhe jashtë saj. Edhe Bespalla i kundërshtonte vendimet e arbitrave, duke protestuar me dorën lart që e kishte si shenjë mosaprovimi të vendimeve të tyre. Me arbitrin e njohur shkodran Bakir Dibra ka edhe largimin më spektakolar nga fusha e lojës… Sezoni 1963-’64, në Durrës, luhet Lokomotiva-Besa. Dibra e thërret, i kërkon numrin për ta këshilluar. Nga nervozizmi, Bespalla i kthen kurrizin… E dënuan 5 ndeshje, pasi sjelljen e tij Komisioni i Disiplinës e konsideroi si gjest antisportiv.
Kur e kujtuan të arratisur
Viti 1962, ndodhet në Stamboll me skuadrën e Dinamos për Kupën Ballkanike. Krejt papritur në Tiranë u hap fjala se Pano e Bespalla janë arratisur. Të shqetësuara, dy motrat e tij trokasin në dyert e Ministrisë së Brendshme për t’u informuar. Nuk i presin e as i japin informacion, pasi edhe ata dyshonin për lajmin që qarkullonte. Natyrisht që në pak ditë situata u qetësua dhe u sqarua se lajmi nuk ishte i vërtetë. Por, duhej të vinte vapori “Partizani”, me të cilin udhëtonte skuadra në kthim, që në portin e Durrësit dy motrat që prisnin anijen, të përqafonin vëllanë e tyre.
bes 5Braktisja e kryeqytetit
Te Dinamo, Bespalla luajti në dy vite, 1961 dhe 1962. Largimi i tij përfundimtar nga klubi dhe kryeqyteti ishte i papritur. Ka një gjendje të mirë fizike, është në formë dhe me Dinamon është titullar. Në stadiumin “Dinamo” do të luhet për Kupën Ballkanike, midis Dinamos dhe Levskit të Sofjes, kur trajneri e thërret dhe i komunikon se do të qëndrojë në stol për të qenë më i freskët për pjesën e dytë. I revoltuar, qëndron në dhomë, kundërshton të zhvishet e të ulet në stol e ndërsa i nervozuar lëviz në korridorin e katit të dytë të stadiumit, përballet me Kadri Hazbiun. Të nesërmen, zhvillohet një mbledhje urgjente dhe vjen urdhri që e përjashton nga aktiviteti sportiv. Rikthehet pas një viti, por jo me Lokomotivën, por e lejojnë të luajë në Shijak me Erzenin, në kategorinë e dytë. Luan në finale ndaj Lushnjës, një ndeshje e paharruar: tension, madje edhe armë u dëgjuan. Fitoi Erzeni, por federata përsërit ndeshjen që u riluajt në Tiranë dhe Lushnja fitoi takimin. Vetëm në sezonin 1963-’64, do të jetë titullar me Lokomotivën, ku gjen miqtë e tij, trajnerin Tom Gjini, por edhe Telin, Cikon, P. Konomin, Dajën, Golashin, Gramin etj.
Goli që e bëri të famshëm
Numri 42 është ai i këmbës, që e bëri të njohur për shumë dekada. Goli më i bukur, që i dha më shumë famë, është ai i realizuar kundër Partizanit, në Durrës në sezonin futbollistik 1964-’65. Ja si e kujton Mikel Janku, portieri i njohur atë moment: “Arbitri akordoi një goditje dënimi për Lokomotivën, ballore rreth 30 metra larg. Organizova murin mbrojtës duke i lënë një hapësirë të vogël pozicionit tim. Pasi ka vendosur topin, Bespalla fillon numërimin mbrapsht, pra me kurriz nga topi që shoqërohej në kor gjithmonë nga publiku. Vetëm 16 hapa, kthehet merr vrull dhe godet. Ka qenë një gjuajtje rrufe, predhë e vërtetë, të cilën nuk munda ta ndal dhe topi përfundoi në rrjetë”. Për Bespallën, ai ritual ka qenë sistematik në ndeshje kur jepej një goditje dënimi. “Ishte një distancë vrulli që më jepte shpejtësi e forcë goditëse, pas së cilës topi merrte një parabël, që ishin karakteristike për goditjen time. I gjithë stadiumi e priste me padurim një moment të tillë. Por edhe Teliti ka pasur një gjuajtje të tillë”, tregon Bespalla.
Ndaj Këlnit, për një gjuajtje
Partizani luajti në Kupën e Kampioneve ndaj Këlnit të Overatit. Viti 1964, shtator, në “Qemal stafa”. Stadium i tejmbushur ku luhej takimi i parë dhe Bespalla është marrë si përforcim me një motiv: vetëm për gjuajtjen bombë që zotëronte. Dhe çasti erdhi. Ishte dhënë një goditje për Partizanin, në një pozicion shumë të favorshëm për Bespallën, nga porta nga kodrat. Ndërsa ai po përgatitej të godiste, Pano e Jashari janë kombinuar midis tyre, duke e humbur këtë mundësi shënimi. Madje ajo sfidë ka edhe dy detaje të veçanta, por, për t’iu shmangur çdo verifikimi, edhe radiokronistët ishin udhëzuar të mos ia përmendnin emrin, por vetëm: “Topin e ka gjysmësulmuesi…”. Dhe në takimin e kthimit në Këln, ai nuk udhëtoi me skuadrën, pasi ishte dhënë një urdhër për të mos e marrë. Të njohur të familjes kërkuan ta takojnë, duke menduar se do të ishte pjesë e skuadrës, por të zhgënjyer janë larguar nga hoteli kur janë njoftuar se “për arsye dëmtimi” Bespalla nuk ka ardhur në Këln.
Më 1967-ën, shtatë vjet heqje lirie
I kanë privuar lirinë për një grusht me kallaj, vlefta e të cilit shkonte deri në 25 mijë lekë. Punonte si magazinier në Ndërmarrjen NIL Prodhime dhe ishte një mik që ia kërkoi. Por e kanë “zbuluar” dhe sipas nenit 80, ai veprim konsiderohej përvetësim i pronës së pasurisë socialiste. E kanë dënuar me 7 vjet heqje lirie, një vit në Spaç, pastaj në kampe pune. Karriera e tij tashmë kishte përfunduar. Drama kishte goditur atë, familjen, miqtë, opinionin sportiv. Askujt nuk i besohej se njëri nga futbollistët më të famshëm, Niko Bespalla, ishte ndëshkuar nga gjykata për një grusht kallaj. “Mundet të ishte edhe si një hakmarrje nga braktisja që i bëra klubit, një veprim që acaroi zyrtarët e dikasterit”, gjykon Bespalla.
b 7Në fermë, e kërkon Muho Asllani
Pas burgut, burrë e grua në sektorin e Sukthit të fermës. Muho Asllani vizitonte fermën. Bespallën e largojnë për të mos e takuar, ndërsa shoferi i tij, Petrit Pullazi, për një çast ka parë Florën, gruan e tij dhe i thotë Muho Asllanit: “Kjo është gruaja e Niko Bespallës”. “Po Niko ku është?”, iu drejtua ai. “E kanë fshehur”, ishte përgjigjja. Ka urdhëruar t’ia sjellin aty për ta takuar. Shpejt e kanë njoftuar dhe me një biçikletë ka mundur të vijë. Pasi e ka parë të rënë moralisht, të dëshpëruar, e ka përqafuar. Në pension, Niko Bespalla doli në vitet ’90, duke punuar deri ditën e fundit te kjo fermë, për të trashëguar vetëm një pasuri monetare prej saj, shumën prej 125 mijë lekësh të vjetër të një pensionisti tashmë.
Sa afër dhe larg vdekjes Fusha, kundërshtarët, asgjë nuk e ka mposhtur, por viti 1981 ka qenë më i trishtuari për të, gruan, familjen, kur papritur i ndahet nga jeta djali në moshë të re, i cili, pas një viti në gjendje kome, nuk mundi të jetonte më. Vitet e fundit, vetë ai u godit nga një shqetësim, një plagë në këmbën e djathtë, pikërisht tek ajo që i dha famë. Luftë disamujore për ta mposhtur dhimbjen e për të jetuar. Ka kaluar një kalvar të patreguar, nga njëri spital te tjetri. Një angazhim i madh i mjekëve, në tentativë për ta shpëtuar, kanë mundur t’ia kthejnë shëndetin, entuziazmin dhe dëshirën për të jetuar e treguar. Trashëgimtari i vetëm, Justini, ka luajtur me Teutën, ndërsa ka shpresë tek i nipi. 75-vjeçar, sot Niko Bespalla është shumë simpatik, ruan një kujtesë të mahnitshme, të shtang kur dëgjon t’i tregojë ngjarjet, personazhet deri në detaje. Niko ka qenë një mit i vërtetë për kohën dhe sot, ashtu thjesht, jeton së bashku me Florën, në një apartament në Durrës. Nuk do të kishte bërë asnjë sport tjetër përveç futbollit, edhe pse detin e ka pasur shumë pranë. Pak vite, (’93-’97) punoi si trajner i moshave në Shijak. Nuk shkon në stadium edhe pse deri pak kohë më parë në tribunën VIP të “Niko Dovana”-s ka qenë një ndenjëse me emrin e tij vendosur nga Leshteni e Hasanbelliu. Nga ajo kohë, pak relike i kanë mbetur. I vjen keq për fanellën e famshme dhe medaljet e argjendta që nuk i ka më. Diku të dhë- na e të pakthyera, diku të falura, arkivin e ka me pak kujtime të mbetura. Është njeriu që jetoi kohën e futbollistëve ikona të viteve ’50, luajti në krah me legjendarët e viteve ’60 duke qenë edhe ai protagonist i padiskutueshëm midis tyre. Në veçanti, edhe për gjuajtjen e famshme!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"