Besa rrëmben një “xhevahir” nga Trepça ‘89, klubi po planifikon edhe tri përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 10:02

Besa rrëmben një “xhevahir” nga Trepça ‘89, klubi po planifikon edhe tri përforcime

Besa nuk i ndahet shkollës kosovare të futbollit. Nëse në shtator morën Berishën e Mehmetin dhe në janar erdhi Shurdhiqi, Reçica dhe Hysenin, kanë siguruar shërbimet një tjetër lojtari.

Besa Perja

Klubi ka arritur të bëjë të tijin, një mesfushor të talentuar nga Trepça ’89. Endrit Emini është ndoshta i vetmi nga prurjet e fundit, që vjen me statusin e titullarit. Ai ka luajtur për 3 sezone rresht në formacion me ekipin nga Mitrovica, ndaj eksperienca nuk i mungon aspak. 19-vjeçari mund të quhet pa frikë si blerja më e rëndësishme e skuadrës së Lorenc Pashjes. Ai ka zbarkuar në Kavajë, duke u vënë direkt nën urdhrat e trajnerit. Nga burime pranë Nexhat Bizhdilit, mësohet se ky nuk do të jetë afrimi i fundit. Pritet një portier, një mesfushor, por edhe një qendërmbrojtës. E thënë troç, grupi po riformatohet totalisht. Themi kështu, pasi nga kontingjenti që mbylli 2023-shin kanë mbetur shumë pak elementë.

Portieri Kaloshi, mbrojtësit Ramilli, Kapo, Perja e Bali, Balla apo sulmuesi Spahiu. Nuk përmendëm këtu Nurjen, pasi momentalisht nuk po stërvitet me verdhezinjtë. Thuhet se ka marrë leje, por pa përcaktuar nëse do të rikthehet më te Besa. Vetëm Ali ka rezistuar në mesfushë. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për sulmin, ku pas largimit të Xhebraimit e Lilës, ka mbetur Spahiu i cili nuk po stërvitet me grupin. Ky i fundit vijon të jetë i dëmtuar. Besa sot do të luajë miqësoren e dytë pas asaj me Bylisin.

Kavajasit do të udhëtojnë drejt Vorës, ku do të masë forcat me vendësit. Nuk do të jetë ndeshja e vetme testuese, pasi kanë në plas që të përballen edhe me Apoloninë në fundjavë. Miqësoret shihen të domosdoshme duke llogaritur që lojtarët kanë nevojë të njohin njëri-tjetrit dhe grupi të harmonizohet sa më shumë tashmë. Mbi të gjitha, kur 60% e formacionit kanë ardhur nga merkatoja e janarit.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"