Basketboll/ Presidenti i Teutës, replikon me federatën. Gorea: FSHB-ja të ndalë presionet dhe trukimet me arbitra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2024 | 15:24

Basketboll/ Presidenti i Teutës, replikon me federatën. Gorea: FSHB-ja të ndalë presionet dhe trukimet me arbitra

Në klubin e Teutës nuk është pritur aspak mirë letra e marrë nga Federata Shqiptare e Basketbollit, me FSHB-në që i ka paralajmëruar për një reagim të durrsakëve në rrjetet sociale pas ndeshjes së Kupës kundër Vllaznisë. Arqile Gorea, presidenti i Teutës, një prej skuadrave kryesore të basketbollit shqiptar, ka shpërthyer në replika të forta ndaj FSHB-së.

Arqile Gorea

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gorea akuzon sekretarin e ri të federatës, Franko Bushati, por gjithashtu në shënjestër të tij është edhe presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.

Gorea, keni marrë një letër paralajmërimi nga FSHB-ja në lidhje me deklaratën e klubit pas ndeshjen me Vllazninë. Si e komentoni?

Faktikisht është pak e çuditshme, sepse është e dyta ndeshje e këtij edicioni në Shkodër. Në ndeshjen e parë në kampionat edhe federata e pranoi njëanshmërinë e arbitrave, madje mori edhe masa ndaj tyre. Edhe në ndeshjen e dytë ishte e njëjta panoramë, por me një sekretar të ri shkodran që kishte ardhur të shihte ndeshjen. Për mendimin tim çudia më e madhe nuk duhet të ishte ankesa jonë, por mënyra e paraqitjes së sekretarit të ri në sallë, me një kapuç leshi me viza dhe i pa kuruar minimalisht, as në rangun e punëtorëve të fushës së basketbollit.

Ndërsa, kur lexon shkresa të tilla direkt të shkon mendja se çfarë arsimi ka ky njeri, sepse normalisht çdo njeri që fillon punë, gjëja e parë që bën për t’u treguar njerëzve dhe ambientit që e rrethon, tregon kush është. Çfarë arsimimi dhe karriere ka dhe me çfarë misioni ka ardhur.

Për sa i përket karrierës, duhet pranuar se sekretari Bushati ka qenë një prej basketbollistëve më të rëndësishëm shqiptar të dekadave të fundit…

Nuk e njoh nga afër karrierën, por përderisa ka debutuar edhe me ekipin kombëtar them që ka qenë lojtarë i mirë. Por kjo nuk do të thotë që karriera e tij nuk ka qenë në favor të interesave të tij, sepse mund të kishte luajtur këtu në Shqipëri. Kështu që kur atje iu pre rruga e interesave, pra e flakën, kërkoi kamerdaren e atdheut për t’u punësuar. Por ky njeri nëse duhet të ishte në kondita normale, puna e parë që duhet të bënte, duhet të merrte në analizë aktivitetin e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Pse FSHB-ja ka rezultatet më të ulëta në historinë e basketbollit shqiptar, në një kohë kur ka tarifat më të larta në historinë e basketbollit shqiptar?!

Pra, ky njeri nëse do kishte lexuar dy rreshta, duhet ta kishte nisur me një falënderim për të gjithë ne që kontribuojmë për rrogën e tij, si kontribuojmë edhe për rrogat e atyre arbitrave dallaveraxhinj me bilbil në gojë, që trukojnë ndeshjet. Njerëz që kanë arritur deri aty sa të acarojnë nervat e sportistëve dhe të rrihen në parket. Shokët e tyre kanë dalë edhe pa ndjenja nga fusha dhe kjo nuk ardhur pa arsye. Kemi rreth 10 vite që kërkojmë që njësia e arbitrimit të jetë e pavarur dhe ti nënshtrohet shortit. Pse nuk e bën federata këtë?

Gjithashtu edhe për shortin, FSHB-ja ka deklaruar shpesh herë që numri i arbitrave ndërkombëtarë nuk është i mjaftueshëm dhe një short i mundshëm mund të ulte cilësinë e gjyqtarëve në ndeshje të caktuara…

Çfarë e ka penguar kryetarin e federatës që ka 12 vite dhe që numëron mbi 200-300 basketbollistë që e kanë lënë sportin, për ti trajnuar dhe për ti bërë arbitra. Madje, do ti kishte bërë një nder shumë të madh basketbollit, sepse do të kishte seleksionuar njerëz nga familje të mira, të shkolluar, që nuk do të kishin kurajë siç ndodh sot që një rrugaç me bilbil në gojë i jep antisportiv një profesori universiteti.

Kjo është federata, sepse kjo gjë fillon nga kryetari i federatës. Z.Ponari i bëj apel që ti vendosë gishtin kokës dhe të kuptojë që disa gjëra që nuk bëhen me inate. Kapaciteti nuk është një enë që mbushet me inat, as me intriga dhe leksione shkolle partie. Kapaciteti përpos biotendencës dhe gjenealogjisë kërkon punë serioze dhe investim, jo për të grabitur, por investim për të grabitur nga rreshtat e librave të literaturës atë çka është njerëzore për ti shërbyer shoqërisë.

Qëndrimet tuaja prej kohësh kanë qenë gjithnjë të ashpra për mënyrën e funksionimit të FSHB-së…

Më vjen jashtëzakonisht keq që ky sekretar nuk ka pikën e informacionit, jo për federatën, por edhe për statusin ligjor të federatës. E para ai nuk mund të japë as paralajmërime dhe as vendime, pasi kemi një federatë që nuk ka ende komision ligjesh. Kryesia e federatës akoma nuk është e miratuar nga Gjykata e Tiranës, madje edhe kryetari i FSHB-së. A kupton ky njeri që jeton në një habitat të paligjshëm që financohet nga ne budallenjtë pasionistë të basketbollit.

Vjen një njeri i flakur nga basketbolli italian të na japë leksione. Është e çuditshme se si mund të na vijë një letër e tillë, në një kohë kur nuk kishte asnjë fjalë fyese në deklaratën tonë. Këtij zotërisë na i paska ardhur keq sepse i ka shkuar kapuçi i lolos shtrembër, ndërsa mua nuk duhet të më vijë keq që sakrificat, mundi dhe buxheti i ekipit merren nëpër këmbë nga ca hajdutë dhe birë hajdutësh, të cilëve federata u ka dhënë nga një bilbil në gojë dhe i përdor për të trukuar ndeshjet.

Keni ndonjë apel, apo mesazh për këtë situatë?

Prandaj edhe një herë dua ti them të ashtuquajturit sekretar dhe tutorit të tij që të mos tallen me djersën, mundin dhe sakrificat e njerëzve që po e mbajnë gjallë dhe po kontribuojnë për basketbollin. Në qoftë se duan të kontribuojnë, e para e punës le të bëjnë transparencën e fondeve të federatës. Në këtë mënyrë të gjithë njerëzit ta kuptojnë se ku shkojnë lekët e tyre, sepse ne nuk e kemi federatën për të shpenzuar financat tona, por e kemi për ti mirë administruar në favor të basketbollit.

Ndërsa sekretarit i them që nëse ka ardhur për të bërë punë do ta ndihmojmë, por nëse ka ardhur për të na bërë presion, të shkojë në ndonjë bahçe bostani dhe të trembë laraskat. Edhe një herë u bëj thirrje që merruni me zhvillimin e basketbollit, sepse e keni katandisur në pikën më fundore dhe mos u merrni me veprime tendencioze në adresë të njërit apo tjetrit që nuk deformon realitetin për t’iu bërë ju elozhe. Një gjë është e qartë, nallania nuk bëhet këpucë apo atlete basketbolli, gjithashtu as kërcuri nuk bëhet jastëk, prandaj zotërinj ndiqni rrjedhën e kohës që i vendos në vend gjërat dhe do t’i vendosë patjetër edhe në basketboll.

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"