BASKETBOLL/ Kapitenia vlonjate “skanon” 2023-shin. Nga trofetë te familja, Tea Memushi: Dua të fitoj gjithçka me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2023 | 16:08

BASKETBOLL/ Kapitenia vlonjate “skanon” 2023-shin. Nga trofetë te familja, Tea Memushi: Dua të fitoj gjithçka me Flamurtarin

Tea Memushi ‘skanon’ Flamurtarin. Kapitenia e skuadrës vlonjate të basketbollit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, flet gjerësisht rreth mbylljes së vitit 2023 si dhe objektivave për vitin e ardhshëm. Me konfirmimin si kampione të Shqipërisë, Memushi thekson se ky vit që po mbyllet është pozitiv, ndërsa synon që gjatë vitit të ri, të fitojnë të gjithë trofetë.

tea memushi1

Tea flet edhe për momentet më të bukura, por edhe për ato më të vështira të këtij viti, ndërsa tregon si është të vish nga një familje sportistësh.

Tea, si do e komentonit 2023-shin e Flamurtarit?

Mendoj se viti 2023 për Flamurtarin ka qenë një vit shumë i mirë. Gjatë rrugës është e vërtetë që i kemi humbur dy trofe, Ligën Unike dhe Superkupën, por e përgjithshmja është pozitive. Ne e ndiejmë këtë energji që në fakt është edhe përgjegjësi, por më shumë energji pozitive që na jep grintë për të arritur suksese. Në tërësi si pjesë e klubit mendoj se në shumë sporte kemi arritur që të bëjmë më të mirën dhe të jemi në majat e renditjeve në disa disiplina. Vetë 2023- shi na ka bërë të përballemi me një sfidë për vitin 2024 që është në nivel Europian, si “Vlora qyteti Europian” për të bërë disa gara dhe aktivitete të mira të këtij titulli.

Cili ka qenë momenti më i bukur?

Momenti më i bukur në aspektin sportiv për vitin 2023 ka qenë pa diskutim fitorja e titullit kampion në Tiranë kundër Partizanit, në një seri finale 3-1 për ne. Ishte një finale shumë e rivalizuar, duke qenë se ai ekip i kishte të gjitha mundësitë për ta bërë garën sa më të fortë. Megjithatë, emocioni ishte shumë i bukur. Të fitosh kampionatin në një garë aq të fortë dhe ta fitosh në shtëpinë e tyre, unë mendoj se ky ishte momenti më i bukur gjatë këtij viti që po mbyllim.

Po ai më i vështiri?

Mund të themi humbja e Superkupës. Ndeshja u bë dramatike, pasi kaloi në dy shtesa. Lojtaret dolën të ngarkuar dhe me personale. Kështu që në aspektin e rezultateve sportive, ka qenë ajo humbje me atë rezultat të ngushtë në “Feti Borova”. Ndërsa e lidhur po prapë me sportin, por me gjendjen time fizike, ka qenë dëmtimi që unë kam pësuar dhe që më ka lënë jashtë për një periudhë të gjatë, thuajse 6 javë, duke e pasur të pamundur që të stërvitesha me topin për një problem që kisha në këmbën e djathtë. Ky ka qenë një moment i vështirë, pasi një dëmtim në nisje të kampionatit të ul moralisht, në një kohë kur ti je përgatitur të jesh luftëtare në nisje të edicionit. Ndeshja e fundit ka qenë ndeshje e Kupës së Federatës që ne kemi fituar. Unë kam stopuar për tu rikthyer më pas në kampionat vetëm 10 ditë më përpara Superkupës. Kur ke një farë përgjegjësie nuk ndihesh mirë që kjo gjë të ndodhë, por nuk e ke në dorë dhe duhet durim. Ishte një periudhë e vështirë nga ana psikologjike, pasi të mërzit, sepse duhet të jesh dhe të japësh kontributin.

tea memushii

Më në fund u vendos edhe kufizimi i numrit për lojtaret e huaja. Si e komentoni këtë vendim të federatës?

Po, është e vërtetë që në Shqipëri është vendosur kufizimi deri në tri lojtare, që do të thotë se dy lojtarë shqiptare duhet të jenë në fushë. Unë e gjykoj të drejtë. Ne ndoshta mund të vuajmë nga vajzat vlonjate që janë gati të shpërthejnë dhe ti bëjnë ballë garës si të barabarta në formacion me lojtaret e rritura. Ato ende nuk janë gati, janë të reja. I kemi disa elementë që brenda dy vitesh do të jenë kontributore të rëndësishme të ekipit, megjithatë na janë afruar dy lojtare. Një na ka ardhur ekipi i të rejave të Përmetit, një nga Studenti. Janë vajza që kanë dëshirë të jashtëzakonshme për të luajtur. Por duhet thënë gjithashtu se vajzat e huaja e forcojnë garën dhe rivalitetin dhe mendoj që numri i lejuar i tyre është i drejtë.

Nisët një sezon në mënyrë shumë të mirë, por gjatë javëve të fundit patët disa luhatje, duke humbur 2 ndeshjet në kryeqytet, Superkupën ndaj Partizanit dhe në kampionat kundër Tiranës. Çfarë ndodhi në këto takime dhe a lëkunden pozitat tuaja pas këtyre dy ndeshjeve?

Dinamika e dy takimeve të fundit ka qenë totalisht e ndryshme. Në ndeshjen kundër Tiranës, ekipi vinte jashtëzakonisht i lodhur. Brenda asaj jave ne bënin ndeshjen tonë të tretë, duke qenë se ishte java e festave të Pavarësisë. Në Vlorë kishim pritur ekipin e Bashkimit që është një ekip shumë i mirë. Ishte një ndeshje miqësore, por nuk u trajtua për tu anashkaluar dhe dhamë më të mirën. Më pas kishin ndeshjen me Partizanin në Superkupë, që na lodhi pasi shumë, u zgjat në minutazh dhe kaloi në shtesa. Kështu që kundër Tiranës ndikoi shumë lodhja e madhe fizike që ne kishim, por edhe psikologjike, megjithatë ne patëm mundësi ta fitonim. Te humbasësh me një pikë nuk është disfatë. Të dyja këto ndeshje nuk na i lëkundin pozitat tona as në renditje, por edhe fakti që kemi humbur me Partizanin, nuk na bën që të kemi frikë apo të demoralizohemi dhe të largohemi nga objektivat tanë, që janë të fitojmë çdo trofe që është në garë, duke filluar nga Kupa e Shqipërisë në janar.

Ky vit solli ndryshime në klub. Trajnerja Elona Hasanaj është emëruar drejtuese e klubit, ndërsa Klevis Kaso nënkryetar bashkie, si i shikoni këto lëvizje?

Ndryshime në klub si ngritjen në detyrë të Klevisit si nënkryetar bashkie i fokusuar te sporti dhe te aktivitet sportive. Mendoj se Elona dhe Klevisi kanë një marrëdhënie shumë të mirë dhe e gjejnë gjuhën shumë mirë me njëri-tjetrit. I shikoj si me një mision të përbashkët për të bërë më të mirën për sportin në qytet. Për sa i përket Elonës, unë e njoh edhe në aspekte më të afërta, pasi e kam pasur trajnere edhe në ekipin e të rejave. Pata fatin ta kem sërish kur u ktheva në Vlorë në ekipin e të rriturave. Është një person që e kam shumë përzemër. Duke ditur pasionin që ajo ka për basketbollin mendoj se nëse këtë e vë në dispozicion të të gjitha disiplinave mendoj se do të ketë shumë gjëra të mira. Është një person që me të vërtetë sportin e ka jetën e saj dhe do që çdo sportist dhe çdo disiplinë të marrë më të mirën nga bashkia dhe nga burime të tjera për ta rritur sportin në performancë. Kështu që mendoj se këto dy ndryshime do ti shërbejnë për mirë sportit në qytet.

memushi basket flamurtari

Nga detyra e re, tashmë Hasanaj nuk është më trajnerja juaj…

Po i dedikohet me kohë të plotë drejtimit të klubit, por nuk e shikoj më larg skuadrës. Më vjen mirë që edhe profesor Agim Dalipi ka një natyrë të ngjashme. Objektivat i kanë të njëjta, ka grint. Mendoj se janë të lidhur dhe më shumë i lidh dëshira për ta parë sa më mirë ekipin e basketbollit dhe të vajzave. I shikoj në sinkron dhe të koordinuar. Besoj se në pozitën e drejtoreshës së klubit do të jetë më pranë të gjitha ekipeve.

Ju ishit pjesë e delegacionit në Bruksel, ku tërhoqët titullin “Vlora Qyteti Europian i Sportit”. Çfarë do të thotë ky titull për Vlorën?

Pata nderin që të isha pjesë e delegacionit për të tërhequr titullin. Ishte një garë dhe të dalësh fituese në garë është emocionuese. Ishte shumë e gëzueshme që Vlora në Shqipërinë e vogël dhe në hartën e Europës mund të duket edhe më e vogël, por të jetë epiqendra e sporteve për vitin 2024. Është një ngjarje që duhet përgëzuar. Ky titull do të thotë shumë për Vlorën dhe do të na shërbejë shumë. Kryetari i bashkisë e ka thënë që kjo është pozitive për ekonominë, por edhe për turizmin që janë prioritetet të qytetit dhe vendit. Do të promovojë Vlorën si qytet turistik por edhe për elementët sportive.

Çfarë prisni nga viti 2024 në aspektin sportiv?

Presim që të arrijmë të gjithë objektivat që kemi dhe të fitojmë të gjithë trofetë.

Po në aspektin personal, çfarë prisni?

Unë jam tip optimiste dhe pritshmëritë i kam pozitive. Pres gjëra të mira dhe shëndet për familjen time. Do të jetë për mua një vit i mbushur me dashuri dhe gëzim. Shpresoj të jetë i tillë. Unë i mirëpres surprizat dhe sfidat pasi ato më rrisin edhe më shumë dhe më të fortë. Një vit i mbushur me realizime dhe objektivave. Këtë ua uroj edhe tifozëve vlonjatë, shqiptarë dhe shëndeti primar. Më lejoni tu shpreh urime e mia të gjithë lexuesve tuaj.

Babai juaj, Eqerem Memushi, është trajner i njohur në futboll dhe ju ndjek në pallatin e sportit. Si është të jeni një familje sportistësh dhe çfarë ju këshillon?

Babai im i ndjek sportet. Më ndjek në pallatin e sportit dhe i shikon ndeshjet me kujdes. Është një person që më mbështet. Për sa i përket këshillave, më thotë që të bëj kujdes për aspektin tim shëndetësor dhe fizik, pasi ekipi ka nevojë për mua dhe se duhet të japë kontributin tim edhe për shumë vite të tjera. Ai më sugjeron që të pasurit një kondicionin fizik nuk të jep lodhje dhe je më i freskët dhe më i përqendruar. Është një person që më shtyn për të bërë stërvitje dhe për të arritur gjendje sa më të mirë fizike.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"