BASKETBOLL/ Akuzat e presidentit të Teutës, Arqile Gorea, për trukim, Bushati: S’ka tendencë nga arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2024 | 18:03

BASKETBOLL/ Akuzat e presidentit të Teutës, Arqile Gorea, për trukim, Bushati: S’ka tendencë nga arbitrat

Pas akuzave të rënda nga Arqile Gorea në drejtim të Federatës Shqiptare të Basketbollit, ka ardhur edhe reagimi i FSHBsë me anë të sekretarit të përgjithshëm Franko Bushati. Ish-basketbollisti i mirënjohur shqiptar, tashmë prej 2 muaj në rol drejtuesi, në një prononcim për “Panorama Sport” i është përgjigjur kreut të skuadrës durrsake.

FRANKO BUSHATIN

Bushati thekson se nga ana e FSHB-së nuk ka asnjë presion ndaj klubeve, ndërsa paralajmërimi që iu dërgua disa ditë më parë Teutës, i është dërguar edhe skuadrave të tjera, të cilat e kanë mirëpritur, ndërsa thotë se gjithçka është bërë në bazë të rregullores. “Sigurisht ashtu sikurse i ka ardhur edhe reagimi i mëparshëm do të ketë reagim zyrtarë. Ajo që mund të them është se i njëjti paralajmërim i është dërguar edhe ekipeve të tjera, pra nuk ka qenë vetëm për Teutën.

Jemi dy djem të rinj që kemi ardhur në federatë dhe po provojmë të bëjmë sa më mirë punën, ndërsa në këto 2 muaj kemi gjetur bashkëpunim shumë të mirë”, shprehet fillimisht Bushati, i cili më tej thekson se akuzat pa prova janë të papranueshme: “E thashë, u kemi dërguar paralajmërim ekipeve të tjera, të cilat kanë reaguar në mënyrë shumë pozitive, sepse është një rregullore që nuk e kam sjellë unë, por e kam gjetur dhe flet shumë qartë.

Domethënë, akuzat pa prova nuk janë të pranueshme. Për zotërinë mund të them që nëse ka prova, atëherë do të merren të gjitha masat për çdo arbitër, apo pjesëtar të federatës që akuzon zotëria. Por deri tani nuk na kanë sjellë asnjë provë, kështu që nuk është e pranueshme. Gjithashtu, shikoj që më paska përmendur edhe luksin tim, që e paska shqetësuar dhe do ta marr në konsideratë sugjerimin e tij. Le ta paraqesë edhe këtë ankesë, që ta diskutojmë së bashku me atë të arbitrave”, deklaron 38-vjeçari. RISIA – Franko Bushati flet edhe për një risi të futur në FSHB, me takime ndërmjet gjyqtarëve dhe ekipeve, ndërsa thekson federata mbetet e hapur për diskutime me të gjithë:

“Ekipet e tjera janë treguar shumë bashkëpunuese, ku në kuadrin e ndryshimeve unë kam takim konstant mujor me skuadrat. Në dhjetor zhvilluam takimin, ndërsa zotëria nuk ishte i pranishëm edhe pse ishte i ftuar, ndërkohë që ekipet e tjera ishin prezente. Kjo federatë është e hapur dhe të gjithë mund të flasim dhe bisedojmë për problemet apo shqetësimet.

Pra, diçka që më përpara nuk bëhej dhe ne do të vazhdojmë ta aplikojmë. Të hënën do të kemi për herë të parë takim me arbitrat dhe trajnerët e Superligës. Pra, me njerëzit që e duan basketbollin deri tani kemi pasur bashkëpunim shumë pozitiv. Mendoj që po bëjmë një punë shumë të mirë së bashku me Klaudio Ndojës, skaut për talentet e basketbollit. Po sinjalizojmë lojtarë shqiptarë në të gjithë botën, potencial për të veshur fanellën e Kombëtares”, deklaron sekretari i përgjithshëm i sportit të koshit.

SHORTI –

Një nga kërkesat e vazhdueshme të Teutës ka qenë gjithnjë edhe caktimi i arbitrave me short, por për këtë çështje, Bushati shprehet se janë vetë që klubet nuk e duan në këtë formë, deklaron se gabimet mbeten njerëzore, duke garantuar se nuk ka asnjë tendencë në këtë aspekt: “Kjo është diçka që vetë klubet mund ta vendosin, por as nuk e parashikojnë dhe e mendojnë diçka të tillë.

E përsëris, të hënën për herë të parë në federatë do të kemi takim me arbitrat dhe me trajnerët, me video, dhe mund të diskutohet çdo problem. Në basketboll njëri fiton dhe tjetri humb dhe të gjithë trajnerët e mëdhenj e theksojnë se gjithmonë kush bën më pak gabime, pasi kështu është ky sport. Mjafton të shikojmë në NBA këtë javë, ku trajnerët kanë marrë gjoba mbi gjoba.

Gjithashtu në Euroligë, Panathinaikosi para dy javësh, pra polemika do të ketë dhe është normale, por ne punojmë që të kemi sa më pak probleme. Ajo që mund të garantoj është se në gjitha këto ndeshje nuk ka tendencë, sigurisht ka gabime njerëzore nga arbitrat ashtu sikurse gabojnë edhe lojtarët. Me arbitrat po punojmë shumë, duke zhvilluar takime konstante javore. Më datë 4 ishin edhe në Kosovë për një tjetër kurs kualifikimi dhe trajnimi, kështu që ne jemi në paqe me veten tonë dhe po bëjmë çdo gjë në mënyrën e duhur”.

FINALJA E FEMRAVE –

Bushati e komenton edhe finalen e Kupës në radhët e femrave, takim i zhvilluar në Vlorë: “Në finalen e Kupës për femra, kush është dashamirës i sportit ka shijuar një super ndeshje, një super organizim dhe kjo është ajo që ne kërkojmë të bëjmë dhe të gjithë janë të barabartë”. Një ndeshje që prodhoi gjithashtu polemika për arbitrimin, me Partizani që vendosi të bojkotonte ceremoninë e medaljeve në shenjë proteste.

Sekretari i FSHBsë flet për mungesën e të kuqeve në ceremoni, ndërsa shprehet se finalen e fitoi skuadra që e dëshironte më shumë trofeun: “Unë deri para dy muajsh kam qenë vetë në parket si lojtar dhe emocionet e ndeshjes janë të pakontrollueshme. Normalisht është diçka që nuk duhet të ndodhte, por ndodhi. Unë personalisht kam humbur dy finale dhe çfarë përjetohet në ato momente, por jam i sigurt që edhe Partizani, gjithashtu edhe trajnerja për të cilën kam shumë respekt, e dinë shumë mirë që në ndeshje gabimet më të mëdha kanë qenë nga ana e Partizanit.

Nëse mund të bëj edhe një koment teknik që ndoshta edhe nuk më takon, mendoj që në finale fitoi ekipi që e dëshironte më shumë fitoren. Kjo është diçka që ndodh në sportin tonë”, përfundon Franko Bushati.

Lexo edhe: Basketboll/ Presidenti i Teutës, replikon me federatën. Gorea: FSHB-ja të ndalë presionet dhe trukimet me arbitra

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"