BASKET/ Besëlidhja pa frena, shkëlqejnë edhe Kamza me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2023 | 13:48

BASKET/ Besëlidhja pa frena, shkëlqejnë edhe Kamza me Apoloninë

Me tri përballje të zhvilluara mbrëmjen e djeshme kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka hapur javën e dhjetë. Besëlidhja vijon marshimin, duke shënuar vetëm fitore, si e vetmja skuadër e pamposhtur në kampionat.406797173_18261349549207404_9220819974797269460_n

Për lezhjanët përballja me Skënderbeun e vendit të fundit në “Asllan Rusi” ishte një formalitet. Një sfidë pa histori, e fituar me rezultatin e thellë 136-62 (32-16, 43-12, 31- 11, 30-23). Duke parë edhe rivalin modest, trajneri Afrim Bilali përdori rotacion të gjerë në këtë sfidë, duke aktivizuar vetëm lojtarët vendorë, ndërsa nuk u dha asnjë minutë amerikanëve dhe Julian Hamatit. Megjithatë, edhe pse me ndryshime të shumta në formacion, Besëlidhja vijoi trendin e sukseseve treshifrore dhe me një fazë mbrojtje të mirë. Diferencat mes ekipeve ishin të mëdha në të katërta periodat, ndërsa gjithçka u mbyll me +74 pikë për lezhjanët. Gjashtë lojtarë të Besëlidhjes shkuan në kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa MVP u shpall Vinsent Grazhdani, autor i 35 pikëve, 19 kërcimeve dhe 2 asistimeve. Për korçarët rendimentin më të lartë e pati Anxhelio Gjikas me 17 pikë, 7 kërcime dhe 2 asistime.

Fitore treshifrore shënoi edhe Kamza, teksa mundi Fierin me rezultatin 109-72 (27-17, 24-16, 34-17, 24-22) në takimin e zhvilluar në palestrën “Halit Coka”. Skuadra e Eni Llazanit ishte superiore në të katërta periodat, duke mos e diskutuar për asnjë moment suksesin. Pesë lojtarë të Kamzës prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa vlerësimin MVP e meritoi amerikani Dominique Keyes me 28 pikë, 12 kërcime dhe 2 asistime. Për Fierin edhe këtë herë nuk mjaftoi Brando Anyanwu, teksa amerikani ishte shënuesi më i mirë i sfidës me 29 pikë, duke i shtuar edhe 10 kërcime e 5 asistime. Apolonia mori një tjetër fitore me vlera për zonën “play off”, teksa mposhti Elbasanin në transfertë me rezultatin 79-98 (20-23, 22-30, 16-23, 21-22).

Fierakët e bënë kryesisht diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, duke e mbyllur me festë në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Nga ana tjetër, verdheblutë vijojnë rënien e lirë, teksa pas 3 fitoreve në javët e para regjistruan disfatën e gjashtë radhazi në kampionat. Jamarcus Jones me 25 pikë, 15 kërcime dhe 2 asistime udhëhoqi fierakët në këtë sukses. Për Elbasanin më i miri ishte Xhino Leka, autor i 28 pikëve. Java e dhjetë do të kompletohet sot me takimet Flamurtari-Tirana dhe Partizani-Vllaznia.

HGFJG

A.DUSHKU/V.MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"