ATLETIKË/ Kampionati, Gega dhe Smajlaj bëjnë ‘detyrën’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2021 | 21:50

ATLETIKË/ Kampionati, Gega dhe Smajlaj bëjnë ‘detyrën’

Me Tiranën që vijon të mbetet kryeqyte ti i vetëm në botë pa pistë atletike, vitet e fundit Elbasani është kthyer në shtëpinë e atletikës shqiptare. Për dy ditë me radhë stadiumi “Elbasan Arena” priti kampionatin e 83- të kombëtar të atletikës. Dy sportistët e Tiranës, Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, ashtu sikurse pritej, janë shpallur më të mirët e eventit.

Gega dhe Smajlaj

Dy rekordmenët e atletikës shqiptare kanë merituar vendin e parë, ndonëse këto gara i shihnin më shumë si një parapërgatitje për aktivitetet ndërkombëtare. Smajlaj grumbulloi 1109 pikë, ndërsa Gega 1068. Sa u përket ekipeve, vendi i parë për meshkuj i takoi Vllaznisë, e cila grumbulloi 199 pikë, ndërsa për femra vendin e parë e zuri Tirana me 166. Në këtë aktivitet morën pjesë 12 skuadra dhe 130 sportistë, 76 meshkuj dhe 54 femra. S’munguan as 34 atletë nga Kosova, por që u klasifikuan si jashtë gare. FSHA i ndau këto gara përgjatë dy ditëve dhe në tërësi çdo gjë shkoi mirë dhe pa probleme, me përjashtim të “kapriçove” të motit në ditën e parë.

GARAT – Në disiplinën e trehapëshit, Heldi Valikaj i Vllaznisë dhe Joana Hazisllari e Teutës zunë vendin e parë. Në 110 metra me pengesa shkodrani Ravio Rama e preu finishin i pari, ndërsa Melisa Sina e Partizanit ishte më e shpejta në 100 metrat me pengesa. Enea Zdrava e Elbasanit dhe Relaksa Dauti e Tiranës triumfuan në 800 metra. Në 100 metra, më të shpejtët ishin Daniel Guri i Vllaznisë dhe Elisa Myrtollari e Skënderbeut. Admir Dizdari i Teutës dhe Nensi Haxhiu e Studentit morën vendin e parë në hedhje disku. Në kërcimin së larti vendi i parë i takoi Milen Cacos së Skënderbeut dhe Elda Tulës së Vllaznisë. Në 1500 metra vendi i parë shkoi për Enea Zdravën e Elbasanit dhe Relaksa Dautin të Tiranës. Franko Burraj i Vllaznisë dhe Iliana Beqiri e Tiranës fituan garën e 400 metrave. Në 3000 metra triumfoi Tirron Mamusha, si edhe e zakonshmja Luiza Gega, e cila e përshkoi këtë distancë me kohën 9:11:50. Në gjyle kampionë u shpallën Azgan Zeka i Teutës dhe Emiliana Ciko e Studentit.

Anxhelo Danglli i Teutës fitoi garën e 5000 metrave, ndërsa tek femrat Luiza Gega, e cila e përshkoi me kohën 15:54:24. Emiljana Ciko e Studentit triumfoi në hedhjen e çekiçit. Florian Lata i Tiranës dhe Sara Myrtezai e Skënderbeut dolën të parët në 400 metra me pengesa. Izmir Smajlaj në kërcimin së gjati zuri vendin e parë me 7.87 metra, ndërsa për femra e para doli Joana Hazisllari e Teutës. Franko Burraj i Vllaznisë dhe Elisa Myrollai e Skënderbeut fituan garën e 200 metrave. Ndërkohë, në hedhjen e shtizës dolën të parët Mikel Minka i Skënderbeut dhe Asja Sina e Mjeshtërisë Sportive. Ilir Këllëzi i Skënderbeut triumfoi në 10000 metra, ndërsa Redia Dauti e Tiranës u shpall kampione në 3000 metra me pengesa. Në stafetën 4×100 triumfuan atletët e Vllaznisë për meshkuj dhe ato të Skënderbeut për femra.

tabela

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"