“Arrijmë objektivin që kemi”, Gjinollari: Ndeshje e vështirë me Dinamon, por fiton Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2023 | 17:26

“Arrijmë objektivin që kemi”, Gjinollari: Ndeshje e vështirë me Dinamon, por fiton Teuta

Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës. Kjo pasi përveç se ka pasur mundësinë të përgatitet më së miri sa i përket rritjes së formës fizike, ka dhe harmoninë në favor. Mbrojtësi i durrsakëve, David Gjinollari, ka analizuar gjendjen e ekipit, ndërsa ka shprehur edhe synimet për sfidën e radhës ndaj Dinamos.

gjinollari-1

David, sa i ka shërbyer “pauza” e kampionatit Teutës?

Gjatë kësaj periudhe jemi munduar që të bëjmë një përgatitje sa më të mirë për të qenë në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Dinamos.

Si është gjendja e skuadrës para këtyre dy sfidave të javës që vjen?

Jemi të kënaqur me paraqitjet që ka bërë skuadra, si në seancat stërvitore, ashtu edhe në ndeshje. Në tërësi jemi mirë. Kemi bërë mirë në përgjithësi, përjashto disa luhatje që janë të pranishme në sport. Kjo ecuri na jep shpresë për të arritur objektivin që kemi.

Sa e vështirë do të jetë përballja me Dinamon?

Është një skuadër që pavarësisht mungesës së pikëve, ka bërë lojëra të mira dhe do të jetë e vështirë. Kanë lojë të mirë në tranzicione, por si çdo ekip, edhe Dinamo ka pika jo të forta. Të dielën nuk do ta marrim ndeshjen me stres dhe do të hyjmë me qetësi në fushë.

A e keni gjetur ritmin e duhur te Teuta?

Unë e kam zakon të them: si punon, ashtu të kthehet. Asgjë nuk vjen thjesht, gjithçka duhet merituar.

Ju kënaq një pikë apo synoni me çdo kusht fitoren?

Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë. Por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses, duhet të kalojë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën që t’ia dalim ndaj Dinamos.

Ndeshjet në vijim bëhen gjithnjë e më delikate. A i përballon Teuta?

Për ne nuk ka rëndësi kush është përballë, ajo që vlen është që të futemi në çdo ndeshje për të marrë piket e plota. Në çdo ndeshje duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë të Teutës, atë që presin të shohin të gjithë. Ekipi është përgatitur për të treguar maksimumin e vet dhe për të dhënë 100%.

Z.QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"