Arifi: Me Vllazninë duhej të mbyllej barazim, luajtëm më mirë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2024 | 20:53

Arifi: Me Vllazninë duhej të mbyllej barazim, luajtëm më mirë ne

Ergis Arifi shënoi të shtunën ndaj Vllaznisë një gol mjaft të bukur në minutën e 78-të, por Teuta nuk arriti ta mbante rezultatin dhe u përmbys nga shkodranët.

arifi

Në një prononcimin për “Panorama Sport” pas humbjes 2-1 me kuqeblutë, 17-vjeçari pohoi se Teuta nuk meritonte të humbiste, por futbolli pranon çdo rezultat në fund. Talenti i durrsakëve foli për sfidën e humbur me shkodranët dhe për ndeshjen e radhës ndaj Kukësit, të premten në “Niko Dovana” në orën 16:00.

Sa keqardhje keni pas kësaj humbjeje në minutat e fundit?
Ishte një ndeshje për barazim. Jam i kënaqur nga loja, pa modesti them se luajtëm më mirë se kundërshtari, megjithëse dihen vlerat e tyre. Po të ishim me fat në disa raste që na u krijuan, do t’ia dilnim. Ky ekip ka një ego të madhe. Bëmë lojë të mirë, u kënaqën edhe tifozët tanë, por më vjen keq që nuk morëm atë që donim. Humbja ishte jo e merituar, por ky është futbolli. Duhet ta pranojmë… Tani duhet të analizojmë me vëmendje gabimet që bëmë dhe të dimë të ringrihemi menjëherë.

Fakti që keni oshilacione, sa e ka rënduar psikologjikisht skuadrën?
Për hir të së vërtetës ekipi jo vetëm që nuk është rënduar, por përkundrazi jemi plot entuziazëm për të vazhduar luftën tone deri në fund. Sigurisht që këtë entuziazëm na e sjellin lojërat e mira që kemi bërë. Me lojërat, gradualisht vijnë edhe rezultatet.

Çfarë sfide prisni me Kukësin të premten?
Është një moment i sezonit kur të gjitha ekipet kanë motivimet e veta. Pres të jetë një ndeshje shumë e vështirë, kundër një skuadre mjaft të përgatitur. Në këtë sfidë dhe do të synojmë maksimumin, ashtu si në çdo takim tjetër.

Ju duhen pikët, por në të njëjtën kohë edhe Kukësi po lufton për mbijetesë. E bën të vështirë ky fakt këtë duel?
Çdo ndeshje është e vështirë, prandaj ne si në çdo rast do të hyjmë për fitore dhe për të dhënë maksimumin tonë, pavarësisht ekipit që kemi përballë. Do të vazhdojmë fort për të plotësuar synimet tona, ku si fillim na lind detyra të braktisim vendin që kemi në renditje. Kemi një grup shumë të mirë, të palodhur në çdo aspekt dhe tani mendojmë vetëm për objektivat, asgjë tjetër.

Si e shihni ecurinë e ekipeve pranë jush. I druheni një shkëputjeje të paarritshme më pas?
Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve pranë nesh. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur nivelin ndeshje pas ndeshjeje.

ZAMIR QYPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"