“Arbitrat të mos shohin klasifikimin, por të respektojnë garën”, Moçka: Turp, na thonë “Pse luani…”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2020 | 8:39

“Arbitrat të mos shohin klasifikimin, por të respektojnë garën”, Moçka: Turp, na thonë “Pse luani…”

Sikur të mos mjaftonin problemet që kanë, Flamurtari tashmë po dëmtohet edhe prej arbitrave. I këtij mendimi është edhe Shpëtim Moçka, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, është ndalur gjerësisht tek ajo penallti që morën kundër në Durrës. Jo vetëm e quan të paqenë, por rrëfen se në këto 180 minutat e fundit po u ushtrohet edhe presion. Lojtarëve u është thënë “përse luajnë”, derisa janë në vendin e fundit. Gardiani thekson se ky është amatorizëm, ndërsa paralajmëron se garën do ta respektojnë deri në fund.mocks

Flamurtari shkëlqeu në Durrës, ju vjen keq që nuk morët më shumë se një pikë?

Po, patjetër. Ne meritonim më shumë në atë ndeshje, pasi ishim më lart se kundërshtari. Kishim disa raste të pastra për shënim. Jam i mendimit që ndikoi edhe arbitri në rezultat me penalltinë e paqenë.

Çfarë mendoni për rastin e penalltisë?

Të gjithë ata që e kanë parë atë ndeshje, e kanë të qartë tashmë. Pamjet flasin vetë që nuk kishte lidhje fare me penallti, pasi lojtari kundërshtar u hodh në një mënyrë sikur po hidhej në pishinë.

Ndiheni të diskriminuar nga arbitrat, duke qenë se jeni në fund të klasifikimit?

Po, shumë, pasi në çdo ndeshje kemi pasur shumë penallti të paqena në disfavorin tonë. Arbitrat duhen të jenë të përgjegjshëm dhe nuk duhen të shikojnë klasifikimin, por të gjykojnë me një standard dhe të respektojnë garën. Gjë që nuk po e bëjnë, pasi na kanë dëmtuar në shumë takime. Nëse do të ishte ndryshe, ne do kishim disa pikë më shumë në tabelën e klasifikimit.mocka

Disa lojtarë të Flamurtarit janë shprehur pas ndeshjes se futbollistët e Teutës u kanë thënë “po ju për çfarë luani”. Si është e vërteta?

Po, është e vërtetë. Na ndodhi edhe në Ballsh kështu. Kjo situatë është e palogjikshme. Kur ekipet e tjera na thonë ‘përse luani’, i bie që më mirë të mos futemi në fushë dhe të mos luajmë më futboll. Ky nuk është profesionalizëm mendoj, por amatorizëm.

I keni më shpresat te mbijetesa, apo luani të respektoni garën?

Ne duhet të respektojmë garën deri në fund. Ekipi ka zhvilluar takime shumë të mira javët e fundit. Edhe lojtarët e rinj kanë treguar që po rriten ndeshje pas ndeshjeje dhe do t’i bëjmë hyzmetin deri në fund derisa matematika të na lejojë.

Ndeshja e radhës me Vllazninë, çfarë premtoni?

Po, kemi ndeshjen e fundit të fazës së tretë me Vllazninë. Jam besimplotë se do marrim maksimumin nga ky takim. Duam vetëm fitoren.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"