ANALIZË/ Pse fitorja me Apoloninë pati rëndësi të veçantë për Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 22:59

ANALIZË/ Pse fitorja me Apoloninë pati rëndësi të veçantë për Vllazninë

Vllaznia e nisi fazën e tretë me “detyrat e shtëpisë” të përfunduara me sukses. Pas dy barazimeve dhe një humbjeje në tri javët e fundit, shkodranët arritën të ktheheshin te fitorja ndaj Apolonisë në “Loro Boriçi”.

vllaznia

Edhe pse ishte një sukses me një kundërshtar të zonës së poshtme, për të besuarit e trajnerit Brdariç trepikëshi pati vlerë të veçantë. Së pari, Vllaznia diti të bënte detyrën, duke mos i komplikuar situatat, pas tri rezultateve jo të mira në 270 minuta e fundit para duelit me Apoloninë. Një fitore karakteri, që tregon edhe një herë se skuadra e trajnerit Brdariç gjen forca për t’u ringritur edhe kur rritet presioni ndaj saj, jo vetëm nga rezultatet, por edhe nga presionet e ndryshme.

Edhe pse sulmi po vuan në këtë moment, ekipi di ta gjejë shpëtimin nga lojtarë të tjerë, duke treguar se Vllaznia nuk është e varur nga individë të veçantë, pasi çdokush i ka mundësitë për të realizuar. Së fundmi, kuqeblutë nuk kishin luksin për të bërë një tjetër hap të gabuar, aq më shumë me një kundërshtar që lufton për mbijetesë, por që ka ditur të frenojë ndjekësit e Vllaznisë, Partizanin dhe Laçin.

Me trepikëshin ndaj Apolonisë, shkodranët nuk u dhanë asnjë shans ndjekësve që të afroheshin duke mbajtur në +6 distancën nga vendi i dytë. Me këtë fitore Vllaznia tregoi sërish se është një skuadër me stofin e duhur për të luftuar për objektivin madhor, por duhet pranuar se edhe fati e ka ndihmuar shpesh, madje edhe ndaj Apolonisë, ku në fund mund t’i kishte ikur fitorja nga dora.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"