Analiza e drejtorit të Burrelit: Duhet të ishim më lart në renditje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2023 | 22:07

Analiza e drejtorit të Burrelit: Duhet të ishim më lart në renditje

Pas 16 javësh kampionat, Burreli grumbulloi vetëm 15 pikë, duke u pozicionuar në vendin e nëntë, që do të thotë ndeshje shtesë në fund për qëndrimin në Kategorinë e Parë.

LLESHAJ

Në një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori i klubit matjan, Marjan Lleshaj, pretendon se skuadra e tij duhet të ishte më mirë në renditje.

Pas 16 ndeshjeve të zhvilluara, jeni në zonën e ftohtë të renditjes. Keni pritur më shumë nga skuadra?

Duhet të ishim më lart në renditje. Një gjë e tillë e bazoj te disa ndeshje të mira që skuadra ka zhvilluar, si në shtëpi ashtu edhe jashtë saj. Pozicioni që ka aktualisht skuadra në renditje nuk i përgjigjet aspak lojës që kemi bërë.

Cilat ndeshje iu kanë mbetur peng?

Në përgjithësi skuadra ka prodhuar lojë, por na ka munguar finalizimi. Janë disa ndeshje që kemi treguar se jemi të denjë për t’u përballur si të barabartë me çdo kundërshtar. Në ndeshjet me Flamurtarin, Bylsin, Vorën dhe Elbasanin, jo vetëm që kemi qenë të barabartë, por kemi treguar personalitet. Fitoret me Flamurtarin dhe Apoloninë konfirmuan diçka të tillë, si rezultat i motivimit dhe vlerësimit të futbollistëve.

Keni humbur me skuadrat që keni rivale si Luzi dhe Lushnja…?

Janë dy ndeshjet me të dobëta, sidomos me Luzin në fushën tonë. Kemi pësuar një humbje befasuese me shifrat 1-5, në një kohë që vinim pas fitores në transfertë ndaj Tomorit. Ndeshja ndaj Luzit mund të themi se ishte si një ëndërr e keqe për ne.

Me grupin që keni aktualisht, mendoni se nuk do të rrezikoni qëndrimin në Kategorinë e Parë?

Mendoj se kemi mundësi për të dhënë më tepër si ekip. Filozofia e lojës sonë është e bazuar te loja kolektive dhe jo te individë të caktuar.

Për të qenë realist, kjo skuadër nuk është ndërtuar për të qenë prentendente, por për mesin e artë të renditjes dhe pse të mos synojmë edhe zonën e “play off”-it. Në skuadër kemi futbollistë të eksperiencës, të cilët me punë dhe sakrificë, mund të arrijnë gjithçka.

NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"