Ahmataj: Koha të dalin nga kriza, kujdes Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2018 | 14:26

Ahmataj: Koha të dalin nga kriza, kujdes Lushnjën

Trajneri Julian Ahmataj debutoi me humbje në krye të Kamzës, por ai nuk i ka humbur shpresat që ekipi të realizojë objektivin mbijetesë. Ahmataj nuk dëshiron të merret me çështje që nuk i takojnë profesionit të tij si trajner. “Pa diskutim na vjen keq për atë humbje në Korçë, sepse luajtëm ballë për ballë dhe mund të merrnim një rezultat pozitiv, nëse do të ishim më të kujdesshëm. Nuk dua të flas për arbitrimin apo për gjëra të tjera të klubit, pasi unë përfaqësoj thjesht anën teknike të skuadrës”, u shpreh dje trajneri i Kamzës për “telesport”.

Ahmataj

Tekniku elbasanas kërkon vëmendje nga ekipi ndaj Lushnjës, pasi është një kundërshtar që di të të ndëshkojë. “Ndaj Lushnjës është sfida më e rëndësishme për ne, për sa i përket situatës ku duhet të dalim nga kriza. Lushnja luan futboll shumë të mirë, pavarësisht pikëve që ka. Ndaj, po u le mundësi të luajnë, ata të hapin shumë punë. Pikët janë të njëjta, si me Skënderbeun, si me Lushnjën apo ndonjë ekip tjetër. Duhet të luajmë fort dhe të marrim maksimumin. Të gjitha ndeshjet e mbetura janë finale për Kamzën, ku ne duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë. Kemi dy mungesa për këtë takim, por sërish kontingjenti është i plotë”, u shpreh trajneri i Kamzës, Julian Ahmataj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"