Abazaj largon euforinë, Pogradeci di t’i mundë rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 9:20

Abazaj largon euforinë, Pogradeci di t’i mundë rivalët

Pogradeci duket se ka një “marsh” më shumë këto javë të fundit, ku ka marrë disa fitore të rëndësishme dhe ka ngjitur disa shkallë në tabelën e klasifikimit. Liqenorët vijnë pas dy fitoresh radhazi ndaj dy kundërshtarëve me mjaft emër dhe cilësi si Apolonia dhe Lushnja.

Abazaj222

Rivali i radhës është Besa dhe pogradecarët kanë synim ta mundin edhe atë. Para kësaj ndeshjeje, trajneri Ardian Abazaj ka një mesazh për të tijtë: “Gjatë gjithë javës jam munduar ta ul ekipin me këmbë në tokë, të ketë kujdes nga euforia, sepse çdo takim është mjaft i vështirë dhe vështirësitë sa vijnë dhe rriten.

Jemi një ekip që kemi përballuar kundërshtarë nga më të mirët, por kjo nuk do të thotë se fitojmë vetëm me atë që kemi arritur, fitoret merren duke dhënë maksimumin në fushë”, shprehet trajneri Abazaj. Pogradecarët kanë pasur një javë shumë të qetë në çdo drejtim dhe disa futbollistë që kishin ndier shqetësime të lehta muskulore janë rikuperuar prej dy ditësh. Trajneri Abazaj pritet të hedhë në fushë po atë formacion si në ndeshjen e fituar ndaj Lushnjës:

“Formacioni fitues nuk duhet të ndryshojë, për më shumë që asnjë lojtar nuk ka probleme. Më qetëson fakti se tashmë kam filluar të shikoj me shumë besim edhe nga stoli. Ndeshja kundër Besës është shumë e vështirë, kështu që në varësi të rrethanave mund të kemi edhe ndryshime.

Formacioni i mundshem Pogradeci

Gjithsesi, e përsëris se duhet shumë kujdes, nuk duhet të hedhim asnjë hap fals”. Liqenorët kërkojnë të marrin kryesimin dhe së pari duhet të fitojnë ndeshjen e tyre. Një fitore e mundshme ndaj Besës do të ndikonte pozitivisht për vazhdimësinë e kampionatit te liqenorët, të cilët e kanë lënë krahëve pas atë nisje të dobët të kampionatit.

Romeo Xinxifi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"