60-vjetori i Shqipërisë në Kupat e Europës, që trondit kampionatin e sotëm (PJESA II)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2022 | 20:50

60-vjetori i Shqipërisë në Kupat e Europës, që trondit kampionatin e sotëm (PJESA II)

NGA BESNIK DIZDARI
Siç kam premtuar, po vazhdoj me këtë përvjetor apo temë, që siç e shihni titullohet “60-vjetori i Shqipërisë në Kupat e Europës, që trondit kampionatin e sotëm”. Dhe brenda këtij 60- vjetori po ngjitem për te viti 1964 kur në Shqipëri mbërrin kampionia e parë e Bundesligës, Köln i Gjermanisë, me në krye kapitenin e kombëtares së Gjermanisë, kampionin e botës (1954), Schaffer, dhe kampionin e ardhshëm të botës, Owerath. Madje, edhe me dy nënkampionët e botës, të mbas dy vjetëve: Weber e Löhr. Dhe Partizani – Köln, 0-0, para mbi 25.000 shikuesve të shtrënguar në tribunat e çimenta të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”!

partizani keln

Është një 0-0 përtej historisë. Është absolutisht një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar, një 0-0, të cilin për 90 minuta të tëra Partizani e kërkoi ta shndërronte të paktën në 1-0 për të. Lin Shllaku ndoshta qe lojtari më i mirë dhe këtë nuk e them për episodin e paprecedentë të fundit të ndeshjes kur kapiteni Schaffer, i ndalur në mesin e fushës, e kërkoi me sy ku ishte Lini i madh dhe nxitoi t’i shtrëngonte dorën. Ashtu si kushedi sa të tjerë, e kam parë me sytë e mi këtë episod të rrallë të nderimit të një futbollisti shqiptar prej një kapiteni të madh të Gjermanisë, që vetvetiu flet për përmasat tensionuese dhe të vlerave të kësaj ndeshjeje madhështore…

E, sot, mbas bukur 58 vjetëve, po guxoj të them se ndeshja Partizani-Köln, 0-0, e 9 shtatorit 1964 për Kupën e Kampioneve të Europës, për nga vlerat teknike të futbollit qëndron mbi ndeshjen famëmadhe Shqipëri – RF Gjermane, 0-0, e 17 dhjetorit 1967. Kjo ka qenë ndeshje e qëndresës së madhe, e një mbrojtjeje të hekurt dhe kuptohet që për nga rezultati qe e përmasave botërore, sepse shkaktoi eliminimin e Gjermanisë prej finaleve të Kampionatit Europian në të mirë të Jugosllavisë. Ndërsa ndeshja Partizani – Köln, 0-0, – le pra, ta themi edhe këtu – ishte më shumë se e barabartë, madje me një epërsi të Partizanit të Shqipërisë. Për të mos mbërritur thjesht te titulli i shkrimit të “Sportit popullor” që me germa “kubitale” buçet kësisoj:

“Epërsi e pakontretizuar!”
Për këtë flasin vetë episodet e ndeshjes, të tilla si këto:
Minuta 10 dhe Jashari, i cili shpërthen me kthesën e tij në ajër, vetëm në centimetra larg shtyllës së portierit Schumacher. Mandej minutat 12 e 13 me dy shpërthime të Panos që kulmojnë me minutën 41 kur Ndini humbet rastin më të sigurt për të shënuar. Për të mbërritur te minutat 48 e 49 dhe Partizani që shtang gjermanët me rastet e tij. Dhe mbërrihet te kulmi i minutës 79, kur Pano i vetëm para një mbrojtësi gjerman të tulatur, nuk gjen zgjidhjen e duhur. E po kështu ndodh me rastet e mëvonshme të Krajës e Jasharit…

Kaq e qartë është epërsia e Partizanit ndaj skuadrës gjermane, saqë shtypi shfaq madje, një lloj kritike disi të nervozuar duke pretenduar jashtëzakonisht shumë. Deri aty sa të bëjë përgjegjëse për mosfitimin e ndeshjes katërshen sulmuese Kraja – Bespalla – Pano – Jashari. Shkrimi ngre lart mbrojtjen e Partizanit, ndonëse pohon se ajo nuk pati shumë punë, çka i vë vulën epërsisë partizanase. Dhe ngre lart Shllakun “e gatshëm, të sigurt, të qartë në veprimet e tij”. Mandej komenti kritik që përcakton meritën e Partizanit, teksa thekson: “Partizani manifestoi një përgatitje të mirë fizike, e teknike më të mirë se kundërshtari”.

Pavarësisht nga kjo mënyrë e guximshme e të gjykuarit të ndeshjes, e vërteta është se atë ditë futbolli shqiptar ka paraqitur një nga shfaqjet më të bujshme të nivelit të tij, përballë kampiones së një shteti të majës së futbollit botëror. Sot, ne që ishim të pranishëm në stadium, e kujtojmë atë ndeshje si diçka thuajse magjike, të jashtëzakonshme, të një krenarie të vetvetishme të Partizanit tonë – kampione e një shteti të vogël, që sapo kishte nisur të merrte pjesë në Kupën e Europës me klubet.

Ndërkaq, trajneri gjerman, Knofle, nuk ngurron të ngrejë lart Partizanin kur thotë: “Ekipi ynë luftoi mirë në mbrojtje dhe jemi shumë të kënaqur nga rezultati… ndryshe nga sa mendonim, skuadra e Partizanit u paraqit një kundërshtare serioze… dhe është një skuadër e mirë për të cilën çdo kundërshtar duhet të ketë respekt… Në radhët e saj ka talente…”

Dy javë më vonë, më 23 shtator 1964, në ndeshjen e kthimit në Köln edhe pse me humbje 0-2, Partizani e ruajti portretin e tij tejet tërheqës të Tiranës, duke merituar respektin e 45.00 shikuesve. Humbja 0-2 është krejt normale, aq më tepër kur kujton se deri në minutën e 80-të rezultati ishte në barazim 0-0.

Kështu apo ndryshe, mbas 6 dekadave na duhet të nderojmë fort futbollistët e Partizanit Mikel Janku, Fatbardh Deliallisi, Teodor Vaso, Fatmir Frashëri, Osman Mema, Lin Shllaku, Kolec Kraja, Niko Bespalla, Miço Ndini, Panajot Pano, Robert Jashari, por dhe Foto Andoni e Tomor Shehu të ndeshjes së dytë. Këta ishin djemtë e paharrueshëm të Partizanit shqiptar të drejtuar me aftësi të madhe nga trajneri Loro Boriçi – i cili 10 prej këtyre lojtarëve do t’iu blatonte plot siguri fanellën e Kombëtares së Shqipërisë.

Ndërkaq, paraqes prej arkivit tim, edhe në këtë rast, këto dy skeda të një rëndësie të paparë historike për futbollin tonë, ku shifra e 26.483 spektatorëve të duelit të Tiranës, tregon se dikush ka arritur të mësojë numrin e imtë të biletave të shitura të ndeshjes së “Qemal Stafës”, i shkatërruar sot për të ndërtuar një të ri pa histori:

Tiranë. 09.09.1964. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”
PARTIZANI – KÖLN 0-0
PARTIZANI: Janku – Deliallisi, T.Vaso, Frashëri, O.Mema – Shllaku, Kraja – Bespalla, Ndini, P.Pano, Jashari.
TRAJNER: L.Boriçi.
KÖLN: A.Schumacher – Pott, Regh – Weber, Wilden, Sturm – Thielen, Schaffer, C.Müller, Overath, Hemmersbach.
TRAJNER: G.Knöpfle.
GJYQTAR: S.Varazdinec / YUG.
SHIKUES: 26.483.

Köln. 23.09.1964. St. “Murngersdorfer Stadiun”.
KÖLN – PARTIZANI 2-0
KÖLN:
A.Schumacher – Rumor, Regh – Benthauz, Weber, Sturm – Thielen, Schaffer, C.Müller, Overath, Löhr.
TRAJNER: G.Knöpfle.
PARTIZANI: Janku – Deliallisi, T.Vaso, Frashëri, O.Mema – Shllaku, F.Andoni – P.Pano, Ndini, Jashari, T.Shehu.
TRAJNER: L.Boriçi.
GOLAT: Sturm 80’, Overath 90’
GJYQTAR: D.Huber / SUI.
SHIKUES: 45.236.

Janë skeda, që flasin vetë për madhështinë e këtyre ndeshjeve. Vështroni! Të dy golat e kampiones së Gjermanisë i përkasin, pra, minutave 80 dhe 90! S’ka nevojë për koment. Loro Boriçi me këto dy ndeshje, përveç ato të IFK Norrköping-ut suedez, ka dy kryevepra të tjera të tij, pa harruar ndeshjet e tij me Kombëtaren apo me Partizanin – kampion i Ballkanit më 1970-ën. Në ndeshjen e Köln-it gjithçka ka qenë një ankth i vërtetë dhe betoni shqiptar është plasaritur vetëm në fund dhe vetëm me sakrifica të jashtëzakonshme të kampionëve të parë të Bundesligës. Dueli ka pasur jehonë në të gjithë Europën e futbollit, dhe sot mbas 58 vjetëve na duket si legjendë, edhe pse nuk përbën një kualifikim.

Historia në foto
1964. Kupa e Kampioneve të Europës.
PARTIZANI – KÖLN, 0-0.

Kolec Kraja dhe portieri gjerman Schumacher, të fiksuar në këtë foto artistike të rrallë të gazetës “Sporti popullor”, të cilën po e botoj këtu për herë të dytë.

kolec kraja dhe shumaker

* Edhe më e rrallë është kjo foto tjetër, e gjetur në faqen e internetit, pa autor dhe lirshëm për ta marrë atë. Rasti këtu është edhe më unikal.

Kapitenët Shefer dhe Deliallisi para ndeshjes Partizani - Köln 0-0 në vitin 1964

Nga mbrapa fotos, siç po e botojmë bashkangjitur, lexohet serbisht: “Nogometnij susret Partizan – Köln 0-0. Tirana – Albanija 9.IX.1964. Sudi: Varazdinec, Radunoviç, Strmecki. ‘Kineska Lopta’. Kuriozitet”.
E përkthyer në shqip do të thotë: “Takimi i futbollit Partizani-Köln 0-0. Tiranë – Shqipëri 9.IX.1964. GJYQTARË: Varazdineç, Radunoviç, Strmeçki. ‘Topi kinez’. Kuriozitet”.

290698029_783088149717859_1731901001777381470_n (1)

Gjithçka të lë të kuptosh se fotoja ku janë kapitenët Schaffer dhe Deliallisi së bashku me gjyqtarët, duhet të jetë foto që u përket këtyre të fundit. Informacioni tjetër i rrallë është se ndeshja qenka luajtur pra, me top kinez, çka ndoshta rregullorja e UEFA-s e asokohe nuk e lejonte dhe gjyqtarët qenkan çuditur. Mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik, mallrat kineze po pushtonin Shqipërinë.

* * *

Po sot?… E pra? Si ka mundësi që kampionati i Shqipërisë i vitit 1964 ka formuar një Partizan të tillë europian? Dhe si ka mundësi që 58 vjet më vonë ne nuk kemi një skuadër klubi të atij rangu të 58 vjetëve më parë, që i përket gati mesi i shekullit të kaluar?!… Përveç të tjerave, me të gjithë lojtarë shqiptarë të dalë prej kampionatit të Shqipërisë?

E kësaj here nuk po shkojmë te ndeshje të tjera të paharrueshme të viteve ‘70, sidomos ‘80. Por qëndruam vetëm te starti shpërthyes “suedezo-gjerman” i Partizanit, për nga niveli i lartë europian që ai demonstroi.

Dhe pyetja që vërtet të mundon: përse kështu?

Do të mundohem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje në shkrimin e nesërm të një ritmike stilistike krejt tjetër që titullohet me një fjalë të vetme: “Përse?…” Ndërsa sot po përfundoj me rubrikën time “që po ia kushtoj Lin Shllakut, mjeshtrit tonë të madh, të paharrueshmit Lin Shllaku”.

“Who is Who in Albanian Sport” (“Kush është kush në sportin shqiptar”)
LIN SHLLAKU (1938-2016)

LIN SHLLAKU

Futbollist i Vllaznisë, i Partizanit dhe i Kombëtares së Shqipërisë. Është padyshim ndër më të mëdhenjtë e të mëdhenjve të futbollit shqiptar. Vinte nga farishtja e pashtershme e futbollit të Shkodrës së tij, fanellën e skuadrës së të cilës e veshi pa i mbushur 17 vjetët. Por te Partizani, Lin Shllaku do të bëhej jo thjesht firmë e parë e futbollit shqiptar, por një kolos i vërtetë, ndonëse i futbollit të një shteti të vogël si Shqipëria.

Ai është një nga futbollistët më universal të futbollit shqiptar. E nis si sulmues me Vllazninë, por papritmas e kthejnë paksa mbrapa. Te Partizani e nis si gjysmësulmues, por shpejt është gjysmëmbrojtës tipik, siç thuhej asokohe. Dhe menjëherë mesfushor. Shllaku ndoshta është krijues ndër të parët i mesfushorit në Shqipëri, që sapo përcaktohej në vitet ’60 edhe në futbollin europian. Por jo vetëm kaq. Ai është një universal i pashtershëm. Nuk luajti mbase vetëm sulmuesin e krahut. Të gjitha rolet e tjera ishin të tijat sa herë që kjo të ishte e nevojshme për trajnerët: sulmues e gjysmësulmues, qendërsulmues, gjysmëmbrojtës dhe i mesit të fushës, organizator i sulmeve të skuadrës, të paramenduara e të improvizuara. Mandej një qendërmbrojtës sa “i lirë”, por sidomos i stilit të ashtuquajtur “stopper”. Bllokues i kundërshtarëve si një shkollë më vete, goditës i pamëshirshëm i portës në çdo pozicion. E po aq i tillë ai ishte edhe në goditjet e dënimit. Nga ana “sociale” e futbollit, ai ishte një kapiten i sprovuar, deri në cilësimin “kapiten i madh”, siç e quajtën gjermanët. I një teknike racionale, deri në më modernen e mundshme, pa lajle e lule, por me një efikasitet thuajse të pagabueshëm, Lin Shllaku ishte njeriu – skuadër.

Ndërkaq, duke kaluar te rezultatet e tij, ai vjen e bëhet edhe më origjinal në pasurinë e biografisë së tij. Kampion i Shqipërisë me Partizanin më 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964, 1971, që do të thotë 7 herë, gjithnjë si një protagonist mbi protagonistët. Shllaku ynë i paharrueshëm edhe Kupat e Shqipërisë i kishte po aq të tijat, teksa me Partizanin fitoi edhe në këtë rast plot 7 të tilla: 1957, 1958, 1961, 1964, 1966, 1968, 1970. Duke mbërritur deri te kapiteni i Partizanit, kampion i Ballkanit më 1970. Është pjesëtar i Partizanit në medaljet e argjendta të dy turneve ndërkombëtarë të Ushtrive të vendeve të lindjes, në Lajpcig 1958 dhe Hanoi 1964. Luajti vetëm 13 ndeshje me Kombëtaren për shkak të ndalimit të herëpashershëm të pjesëmarrjeve të saj. (Autori BESNIK DIZDARI)

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 60-vjetori i Shqipërisë në Kupat e Europës, që trondit të sotmen

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"