60-vjetori i Shqipërisë në Kupat e Europës, që trondit të sotmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2022 | 17:27

60-vjetori i Shqipërisë në Kupat e Europës, që trondit të sotmen

Nga BESNIK DIZDARI
Ky është një 60-vjetor krejt i veçantë. Daton më 26 gusht 1962 kur në stadiumin “Idrottsparken” të Norrköping-ut, Partizani humbet 0-2 ndeshjen me këtë kampione, asokohe të Suedisë. Kjo ishte pjesëmarrja e parë e Shqipërisë, që fillonte kështu me pjesëmarrjen në Kupën e Kampioneve të Europës (sot Liga e Kampioneve). Kësisoj jemi mû në 60-vjetorin (1962-2022) e pjesëmarrjes së parë shqiptare në Kupën e Kampioneve. Aventura e Shqipërisë niste pra, në këtë gusht 1962 me ndeshjen IFK Norrköping (Suedi) – Partizani 2-0. Dhe kthimi mbas pak ditëve në Tiranë, më 12 shtator 1962, që do të ishte një barazim i madh 1-1.

Collage Maker-20-Jul-2022-05.27-PM

Futbolli i klubeve shqiptare në Europë, i nisur me një eliminim dinjitoz të 60 vjetëve më parë përmbledh një histori modeste, ndonjëherë nderuese, sa zhvilluese po aq vendnumëruese, sa krenare po aq kryeulëse. Por edhe me disa ngjarje të mëdha, megjithatë.

Për saktësi historike po e fillojmë duke paraqitur dy skeda të fillimit të pjesëmarrjes sonë, të cilat në thelb na kujtojnë dy ndeshje të rralla, të paharrueshme në krejt përmbajtjen e tyre befasuese për një vend të vogël si Shqipëria – e vetmja e cila kishte munguar të shfaqej në Europë në shtatë vitet e para të Kupave të Europës (1955-1962). Për fat, do të ishte një mungesë që ajo me gjeopolitikën e regjimit të saj do ta përsëriste edhe herë të tjera. E të duket sikur ne mbetemi te befasia e pjesëmarrjes së parë, dy ndeshjeve tona të para që kanë këtë pamje të paharrueshme historike:

Norrköping, 26.08.1962.
St.: “Idrottsparken”.
IFK NORRKÖPING – PARTIZANI 2-0
IFK NORRKÖPING: Nyholm – Lind, Rosander – Ohlsson, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Björklund, Martinsson, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.
PARTIZANI: Maliqati, – Deliallisi, Frashëri, Papadhopulli, Shllaku – Ndini, Merjja, – Kraja, Pano, Resmja, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.
GOLAT: Bild 55’, Rosander 74’
GJYQTAR: L.Gulliksen / NOR.
SHIKUES: 12.271

Tiranë, 12.09.1962.
St. kombëtar “Q.Stafa”
PARTIZANI – IFK NORRKÖPING 1-1
PARTIZANI:
Janku – Deliallisi, Frashëri, M.Papadhopulli, Ndini – Shllaku, Gjoka, Kraja, Jashari, Pano, Resmja. TRAJNER: L.Boriçi.
IFK NORRKÖPING: Nyholm – Lind, Rosander – Björklund, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Martinsson, Kindvall, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.
GOLAT: Kindvall 6’, Kraja 48’
GJYQTAR: V.Korelius / CZE.
SHIKUES: 25.000.

Këto ishin dy ndeshjet e para të atij edicioni të Kupës së Kampioneve, një lloj turi kualifikues, siç përcaktohej të ishte, ku fituesja e këtij çifti përurues do të bënte pjesë në 28-shen e turit të parë. E vërteta ishte se duke rezistuar në ndeshjen e parë, atë të 26 gushtit 1962 në Norrköping deri në të 55’, Partizani i Loro Boriçit kishte mbajtur në ankth “Idrottsparken” të Norrköping-ut.

Mandej ndeshja e kthimit në Tiranë, një 1-1 i paharrueshëm, çka befasonte Europën e futbollit se si kishte qenë e mundur që Shqipëria të kishte vonuar kësisoj të merrte pjesë në garat e klubeve! Tre kombëtaras të shquar të Suedisë, Nyhol, Bild dhe Johansson, shto këtu dy kombëtarasit e tjerë të një talenti të madh që sapo mbërrinin, siç ishin 20-vjeçari Nordqvist dhe 19-vjeçari Kindvall, të drejtuar nga trajneri hungarez Vilmos Varszegi, i përvijonin kampiones së Suedisë një skuadër të mrekullueshme, çka bënte që të ngriheshin edhe më lart kuotat e paraqitjes së kampiones shqiptare. Në turin e dytë, IFK Norrköping, tash i pafat, do të takonte Benfica-n legjendare (ajo që do të mbërrinte deri në finalen me Milanin 1-2) të Eusebios, Augustos, Torresit, Colunas dhe Simoesit: 1-1 në IFK Norrköping dhe natyrisht 1-5 në Lisbonë.

Si një student i ri, 19-vjeçar, kam qenë i pranishëm diku aty në tribunën anësore, por fare pranë me atë qendrore, të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Dhe kam përjetuar edhe unë si njeri midis 25.000 shikuesve kryeqytetas një ndeshje të rrallë jo vetëm në të dhënat e shifrave 1-1 (gol i Kolec Krajës), por sidomos në një ndeshje tejet taktike, që vetëm një Loro Boriç i mbështetur edhe te të rinj të tillë si Janku, Frashëri, Shllaku, Gjoka e Pano, ia kishte arritur të shpaloste. Në kujtesën tonë të pashlyeshme atë shtator plot diell të vitit fatal për ne, 1962, gjithçka mbeti një futboll modern i nivelit të lartë, një brilant i pashlyeshëm i futbollit shqiptar.

Dhe ka ndodhur plot 60 vjet më parë!

Për fat, kemi foton e rrallë, historike, të para kësaj ndeshjeje ku Partizani dhe kampionia e Suedisë, IFK Norrköping, kanë pozuar së bashku në një foto të miqësisë, “Fair Play” unik europian edhe për sot. E botuar në shtypin tonë sot për herë të dytë, kjo foto të emocionon tejet, teksa paraqet një Shqipëri futbollistike të harruar, por ndoshta në nivel klubesh më ndërkombëtare se kurrë.

Tiranë, 12.09.1962. Stadiumi kombëtar “Q.Stafa”. Para ndeshjes Partizani - IFK Norrköping 1-1. Lojtarët e Partizanit (me fanella të errëta, në të vërtetë kanë qenë të kuqe) radhazi: lart nga e majta: Kolec KRAJA, Miço NDINI, Refik RESMJA, Robert JASHARI, Miço PAPADHOPULLI. Ulur nga e majta: Tomor GJOKA, Fatmir FRASHËRI, Fatbardh DELIALLISI, Panajot PANO, Mikel JANKU, Lin SHLLAKU.

Tiranë, 12.09.1962. Stadiumi kombëtar “Q.Stafa”. Para ndeshjes Partizani – IFK Norrköping 1-1. Lojtarët e Partizanit (me fanella të errëta, në të vërtetë kanë qenë të kuqe) radhazi: lart nga e majta: Kolec KRAJA, Miço NDINI, Refik RESMJA, Robert JASHARI, Miço PAPADHOPULLI. Ulur nga e majta: Tomor GJOKA, Fatmir FRASHËRI, Fatbardh DELIALLISI, Panajot PANO, Mikel JANKU, Lin SHLLAKU.

Ndërkohë, kemi dhe një foto tjetër të një stili krejt modern, të fotoreporterit tonë të madh, Petrit Kumi, asokohe i “ATSH”-së, sot gjithnjë i fortë teksa ka tejkaluar 90 vjetët, ku Panajot Pano na shfaqet në stilin e shpërthimit të tij të njohur.

E pra, çka ishte ajo ndeshje?

Ajo u zhvillua në terrenin e mrekullueshëm të sapopërtërirë të “Qemal Stafës” – çka lejoi një liri të madhe teknike. Një pjesë e parë e sunduar prej suedezëve, por një pjesë e dytë, që për sot e kësaj dite mbetet një nga brilantet më të ndritshme të futbollit shqiptar, sepse po mbërrihej përballë një prej “ekipeve më të mira që ka luajtur në fushat tona”, siç theksojnë në shkrimin e tyre – model gazetarie edhe për sot – autorët Napolon Roshi e Kristofor Grillo. Ishte kampionia e Suedisë, IFK Norrköping (Norçeping në shqipet), e asaj Suedie, e cila katër vjet më parë kishte qenë nënkampione e botës, çka për sot duket e paimagjinueshme. E kam fjalën jo për euforikë të sotëm të gazetarisë, por për ata që dinë mirë të krahasojnë e të zotërojnë mendimin e vërtetë futbollistik. Dhe kur mendon mandej se kjo ishte pjesëmarrja e parë e Shqipërisë me klubet në Europë, atëherë gjithçka merr përmasa edhe më të mëdha.

E kam si sot në mendje, të pashlyeshmen pjesë të dytë të asaj ndeshjeje. Suedezët për 45 minuta të tëra kthehen mbrapa, për të ruajtur fitoren. Nuk do t’ia arrijnë. Madje, do t’u duhet të evitojnë edhe vetë humbjen. Them kështu sepse goli i anuluar i mjeshtrit 32-vjeçar Refik Resmja – në mos më gabon kujtesa – shënuar qysh në minutën e parë të kësaj pjese, ishte një vendim krejt i padrejtë i gjyqtarit çekosllovak Vaclav Korelius.

Goli u realizua mbas një lëmshi të krijuar prej një topi që vinte nga goditja e këndit. Gjyqtari Korelius u vu në pozitë mjaft të vështirë, kur mbas ndeshjes, në hotel “Dajti”, pyetjes së Roshit iu përgjigj me një ndalesë dhe me gjysmë zëri tha se iu duk se portierit suedez i qe zënë rrezja! Ky do të ishte edhe goli më historik i Resmes sonë të madh, në fund të karrierës së tij…

Megjithatë, barazimi ishte punë e kryer. Nuk kalojnë veç pak sekonda, minuta 48, dhe dyshja Pano – Kraja nuk përmbahet. E nis furinë e tij Panajoti dhe finalizon Koleci, mbas driblimit të pamëshirshëm që ai i bën mbrojtësit suedez Lind: dhe 1-1!

“Shqiptarët janë të fortë, patën epërsi në ajër dhe në tokë, kishin vullnet për fitore…”, do të pohonte presidenti i klubit suedez, Seggi Andersson.

“…Futbollistët e Partizanit patën epërsi teknike, në driblime e finte… Loja e Partizanit i kaloi parashikimet tona”, pohonte kapiteni i skuadrës suedeze Johansson.

Teknikë, driblime, madje dhe finte, vullnet i madh për fitore. Ky ishte Partizani europian i premierës shqiptare 60 vjet më parë – çka sot duket se krejt papritmas kërkon t’i kundërvihet paraqitjes së klubeve shqiptare në Kupat e Europës datuar 2022 të shekullit XXI.

Sigurisht nuk harrojmë se ajo premierë ka qenë një eliminim për kampionen e Shqipërisë, po për ne që ishim në stadium, ajo është ndier si një kualifikim mirëfilli. Kështu, ngaqë futbolli që paraqiti Partizani, madje edhe në ndeshjen e parë të humbur, ishte i nivelit të lartë europian.

Nëse sot mendohemi disi më gjatë, na shkon mendja te një lloj studimi që ndoshta duhej bërë me kohë, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje: Si ka mundësi që kjo Shqipëri pa asnjë pjesëmarrje të mëparshme europiane asisoj, të arrinte të paraqiste këtë nivel të lartë europian? Unë këtu po guxoj të jap përgjigjen e parë të kësaj pyetjeje: Ky vend i vogël, edhe pse sapo niste izolimin e madh, tashmë i sapondarë edhe prej të ashtuquajturave “demokraci popullore” me në krye Bashkimin Sovjetik, prej të cilave, dihet, mësoi jo pak, e kishte futbollin e saj edhe pse modest si një lloj fabrike talentesh. Me të cilët, një trajner i madh si Loro Boriçi, do të dinte t’i mbarështronte, në këtë rast përmes taktikës së sulmit të shpejtë, duke pasë në krye një Pano e një Krajë, të ndihmuar më nga mbrapa prej një Jashari, Resme a Gjoke – një taktikë të cilën në pjesën e dytë të ndeshjes, nuk ia arritën ta kuptonin as suedezët e shquar. Nuk e merrnin me mend mbase se mund të kishte një taktikë boriçiane të llojit 3-2-3-2, ndonëse nuk më takon mua të bëj takticienin…

Ajo që më takon të bëj sadopak si gazetar, është që ta çoj mendjen për te krahasimi fort “i guximshëm” me të sotmen. Dhe përsëri po pyes: A vërtet nuk prodhon më talente asisoj Shqipëria jonë e futbollit? Dhe përgjigjja: Jo, jo, ajo prodhon edhe sot. Por ajo ndodhet përballë një pengese shumë të madhe: pengesa e një drejtimi jo fort për së mbari.

Një vit më vonë, më 1963, Partizani fiton 1-0 në Tiranë me kampionen e Bullgarisë, Spartak Plovdiv, përsëri me golin e pamungueshëm të Kolec Krajës. Dhe humbje 1-3 në Plovdiv. Po sensacioni i madh do të ndodhte një vit tjetër më vonë, më 1964. Do ta rikujtojmë në një shkrim të ardhshëm, gjithnjë përmes problematikës krahasuese me të sotmen…

Dhe po e mbyll me portretin e Refik Resmes, për ne legjendë, në të timin “Who is Who in Albanian Sport”.

“WHO IS WHO IN ALBANIAN SPORT” (“Kush është Kush në Sportin Shqiptar”)
REFIK RESMJA (1930-1997)

Futbollist. I 17 Nëntorit të Tiranës (Sportklub Tirana), i Partizanit dhe i Kombëtares së Shqipërisë. Qysh nga kampionati i vitit 1949, në 16 vjet rresht ai ka qenë sinjifikativi i futbollit në Shqipëri. Ka luajtur vetëm 5 ndeshje me Kombëtaren thjesht për shkak të ndërprerjeve të historisë së saj në periudha të ndryshme. Një artist futbolli, siç do të përcaktonte një komentator, Refik Resmja mbetet një nga interpretuesit më tipikë të futbollit të kohës. Një sulmues i lindur, prototipi i gjysmësulmuesit të majtë, po aq sa një “numër 10” klasik, Resmja ishte dhe një sulmues i shkëlqyeshëm krahu, i sprinteve të fuqishme, i papërmbajtshëm. Një goditës i pagabueshëm i portës me të majtën e tij unikale, ai hyri në histori dhe me goditjet e dënimit të cilat i interpretonte deri në stilin e nivelit botëror të futbollit. Barrierat më të fuqishme të portierëve dorëzoheshin para tij në kësi rastesh. Ai është 7 herë kampion i Shqipërisë me Partizanin (1954, 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964) ndoshta i vetmi në këtë shifër. Në 5 kampionate të Shqipërisë ai është kryeshënuesi: 1951 (59 gola), 1953 (9), 1955 (15), 1956 (17), 1959 (me 6 gola si dhe G.Merja e P.Pano, në këtë rast pa të dhëna përfundimtare). Është fitues i 4 Kupave të Shqipërisë (1957, 1958, 1961, 1964).

REFIK RESMJA

REFIK RESMJA

Autori i këtushëm, si anëtar i saj, ia ka arritur të bindë IFFHS-në (Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit) që ta njohë rekordin e tij fenomenal të 59 golave në 26 ndeshjet e kampionatit kombëtar të Shqipërisë të vitit 1951, çka përbën një nga më të lartat në historinë e vetë futbollit botëror dhe që e vendosi Resmen midis 5 më të mirëve në renditjen e botës në këtë tregues, gjithnjë simbas IFFHS-së. Në ndeshjet Partizani – Puna e Beratit, 14-0, Partizani – Puna e Fierit 11-0 dhe Partizani – Puna e Qytetit Stalin 9-0, Refik Resmja shënoi në secilin prej tyre nga 7 gola, çka përbën një nga më të lartat në historinë e vetë futbollit botëror. I një teknike virtuoze, çorientues mbrojtjesh, sa shënues i befasishëm aq dhe harkues i çmueshëm i topave për gola nga krahu i majtë, Resmja, përveç të tjerave, një interpretues tejet i veçantë i kthesave në ajër (“rovesciata”), mbetet futbollisti i teknikave të mëdha, i një arsenali të pafund. Plot temperament, i një etike të lartë sportive, i një ndjeshmërie pasionante të futbollit, ai i tronditi stadiumet e RD të Gjermanisë në turneun e 1958-ës të medaljeve të famshme të argjendta të Partizanit, ku Resmja u nderua me një Kupë gjigante për mjeshtërinë e gjuajtjes së tij.

Si trajner i Partizanit, ai fitoi një Kupë të paharrueshme të Shqipërisë më 1968 dhe në mënyrën më të bujshme e drejtoi skuadrën tonë historike në fitoren e parë për futbollin shqiptar ndaj një klubi të madh të Europës Perëndimore: 1968, Partizani – Torino 1-0, Kupa e Kupave të Europës. Ishte trajner edhe me skuadrat Kombëtare të të rinjve dhe Shpresa të Shqipërisë. Ai ishte edhe pedagog i edukimit fizik. Përveç disa dekoratave të larta sportive, Refik Resmja mban titullin “Nderi i Kombit” dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. (Autori BESNIK DIZDARI)

——————————
* Ribotimi i këtij shkrimi, i çdo pjese të tij, është i rezervuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"