EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu është rival më i fortë sesa Tirana në këtë garë”, Hyka: Dinamo e ka fatin në dorë, ia del në Shkodër (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2024 | 21:58

EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu është rival më i fortë sesa Tirana në këtë garë”, Hyka: Dinamo e ka fatin në dorë, ia del në Shkodër (E PLOTË)

Mes emrave që drejtojnë ekipet e akademisë së Dinamos është edhe Jahmir Hyka, i cili karrierën si futbollist e ka nisur pikërisht me fanellën blu.

hyka

Më pas ka provuar disa eksperienca në Europë dhe ka luajtur Kombëtaren dhe për Tiranën në Superiore, ndërsa aktualisht drejton ekipin U-15 të Dinamos. Sigurisht që e ka ndjekur edhe skuadrën e parë, për të cilën gjykon se meriton të jetë në 4-shen e parë. Si rival të bluve Hyka sheh më shumë Skënderbeun sesa Tiranën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thekson se Dinamo e ka në duart e saj fatin e pjesëmarrjes në “Final 4”, por i duhet të marrë pikë të shtunën kundër Vllaznisë, në një ambient ku sipas tij luhet futboll komod.

Jahmir, a e keni ndjekur Dinamon gjatë këtij kampionati, si ju është dukur?

Po, e kam ndjekur. Dinamo e nisi me vështirësi kampionatin, por më pas gradualisht e mori veten dhe ja ku është tani, në garë për në “Final 4”. Ka në grup lojtarë të mirë, ka bërë ndeshje të mira, ka pasur momentet e saj të mira, por ka pasur edhe luhatje, si të gjitha skuadrat e kampionatit. Besoj se me atë që ka treguar gjatë sezonit e meriton të ketë në 4-shen e parë në fund.

Ka një garë të fortë me Tiranën dhe Skënderbeun për vendin e 4-t, që Dinamo e mban aktualisht. Si e shihni këtë garë në 3 javët e fundit?

Është një garë shumë e fortë, që po i jep më shumë bukuri kampionatit në këtë moment. Nuk është gara për kreun, por është mjaft interesante dhe të shohim si do të shkojë deri në fund. Mendoj se Dinamo, përderisa është në vend të 4-t, e ka fatin në duart e saj. Duhet ta mbrojë këtë pozicion dhe besoj se do ta mbrojë. Si rival të Dinamos më shumë shikoj Skënderbeun sesa Tiranën në këtë duel për vendin e fundit që të jep mundësinë për të synuar titullin pastaj nëpërmjet atyre ndeshjeve të tjera.

Pse Tirana më pak rivale sesa Skënderbeu?

Sepse Tirana ka pasur shumë luhatje gjatë sezonit, nuk ka qenë një skuadër stabël. Pastaj ato problemet e saj në klub, që ndikojnë në ndeshjet e kampionatit. Nuk është se e përjashtoj Tiranën nga kjo garë, ka edhe ajo shanset e saj, si Dinamo dhe Skënderbeu, pasi edhe kalendarin e kanë të vështirë që të tria. Por them se Dinamo ka atë avantazhin që është aktualisht e katërta.

Por ka një ndeshje të vështirë në Shkodër këtë fundjavë. Si e parashikon?

Jo vetëm kjo ndeshje, të gjitha ato që kanë mbetur janë të vështira. Në Shkodër e dimë që është një ambient shumë i mirë për të luajtur futboll dhe mendoj se do të jetë ndeshje e bukur. Për mendimin tim, edhe një barazim do të bënte punë në këtë ndeshje, kurse fitorja do të ishte ideale në këtë moment shumë të rëndësishëm të kampionatit. Uroj të kthehet me pikë nga Shkodra. Vllaznia është skuadër e fortë, ka pasur një ecuri shumë të mirë, më pas disa rezultate jo të mirë që sollën dhe ndryshimin e trajnerit.

Çfarë shije ju lë ky futboll që luhet në Superiore, në krahasim me kohën kur luanit për Tiranën?

Ndoqa nga afër derbin mes Tiranës dhe Partizanit dhe ishte vërtet diçka e bukur atmosfera në “Air Albania”, ambienti, stadiumi. Ne nuk kishim këto kushte që janë tani, por mund të them se sërish futbolli ishte i bukur. Janë kohë të ndryshme dhe ajo që dua të veçoj ka të bëjë me lidhjen me fanellën. Ne kishim më të fortë këtë lidhje, e ndjenim më shumë përgjegjësinë për skuadrën që përfaqësonim.

Këtë ua them shpesh lojtarëve të vegjël që stërvit te Dinamos, që ta shfrytëzojnë në maksimum këtë mundësi që u është dhënë. Punojmë në kushte jashtëzakonisht të mira tani, ndërkohë që mundësitë janë shumë të mëdha për të gjithë, për të luajtur me skuadra jashtë vendit.

Kush mendoni se e fiton titullin kampion në Superiore me këtë formulë të re që është aplikuar këtë sezon?

Shumë e vështirë ta parashikosh, sepse është diçka e re. Egnatia e meriton të jetë kampione, sepse ka qenë skuadra më e mirë këtë sezon, skuadra më stabël. Nëse do të ishte me grumbullim pikësh, do ta kishte fituar ajo, pa dyshim.

Me këtë formulën e re gjithçka mund të ndodhë, sepse janë ndeshje teke. Nuk janë as dy ndeshje, që të japin mundësinë për të bërë diçka më shumë. Vështirë të thuash se kush ka më shumë apo më pak shanse. Futbolli ka befasitë e veta, varet si merr ndeshja dhe mund të ndodhë që të fitojë skuadra më pak e kuotuar. Të shohim çfarë do të ndodhë realisht.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"