EKSKLUZIVE/ Kërcënimi me pagat te Kukësi, Shkurtaj i përgjigjet Gjicit: Rrogat nuk duhen vënë në diskutim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 20:36

EKSKLUZIVE/ Kërcënimi me pagat te Kukësi, Shkurtaj i përgjigjet Gjicit: Rrogat nuk duhen vënë në diskutim

Vasil Shkurtaj është pa dyshim lojtari kryesor i Kukësit, e një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar. Me 7 gola në 9 ndeshje të luajtura, 27-vjeçari tregoi se është i domosdoshëm për Kukësin.

Shkurtaj

Në momentin më të mirë ai u dëmtua dhe i mungoi ekipit në tri ndeshjet e fundit. Tashmë sulmuesi ka nisur stërvitjen me skuadrën e kërkon të jetë sa më shpejt i gatshëm për trajnerin Duro.

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport“, Vasil Shkurtaj tregon për dëmtimin e tij, se si e ka parë ekipin gjatë këtyre javëve, si dhe çfarë pret në vijim. Sulmuesi u premton tifozëve të Kukësit dhe presidentit Gjici se ai dhe e gjithë skuadra do të bëjnë gjithçka që ekipi të jetë aty ku duhet dhe për këtë arsye të gjithë po punojnë fort.

Sa u përket rrogave që kreu i klubit tha se nëse nuk do të ketë rezultate, futbollistëve mund t’u mbahen pagat, Shkurtaj thotë se ato nuk duhet të preken, por gjithsesi është e drejtë e presidentit. Sulmuesi beson shumë te rikthimi i fuqishëm i ekipit, e për këtë ai jep recetën.

Disa javë jashtë fushave, pse ju mbajti kaq gjatë ky dëmtim?

Kuadricepsi është muskuli themelor edhe do kohën e vet që të shërohet mbas një kontraktimi të fortë. Akoma, edhe tani mbas kaq ditësh, nuk jam 100%, dhe pse po bëj maksimumin në aspektin e terapive mjekësore të ndërthurura me programin stërvitor.

Shkurtaj

Si ju është dukur ekipi këtë periudhë që e keni parë nga jashtë dhe çfarë mendoni se nuk ka funksionuar?

Në këto 3 ndeshje kanë munguar shume lojtarë të rëndësishëm të ekipit, Abazaj, unë, Limaj, Musta, kapiteni Musolli me Laçin, megjithatë ekipi ka luftuar edhe besoj meritonte më shumë pikë. Me Laçin për shembull nuk duhej të jepej ajo penallti, për mendimin tim. Do flisnim ndryshe sot nëse ai episod mjaft i dyshimtë do të gjykohej drejt.

Fakti që edhe Partizani ka pasur oshilacione, është një ngushëllim për ju?

Nuk është vetëm Partizani, edhe Tirana barazoi, Teuta gjithashtu. Por, ne duhet të përqendrohemi në ndeshjet tona. E kam thënë edhe më përpara, kundërshtari ynë është vetvetja.

Safet Gjici

Presidenti Gjici pret kthesën, madje ka thënë se nuk ka rroga po nuk fituat. Cili është komenti juaj?

Presidenti ka investuar, dhe patjetër kërkon rezultate, por të jetë i sigurt që të gjithë ne jemi në të njëjtën njësi vale. Edhe ne të gjithë kemi të njëjtin objektiv. Do bëjmë gjithçka në fushë për të arritur rezultatet e duhura dhe për të realizuar objektivat e klubit. Sa u përket rrogave, mendimi im është se nuk duhet të vihen në diskutim, por është presidenti ai që vendos.

Sa e ndien ekipi presionin e rezultateve?

Presion ka, por si futbollist profesionist në një ekip që pretendon për kampion, duhet ta pranosh.

Nuabueze i Laçit është shkëputur me gola, mendoni se do e kapni?

Nuk është objektivi im primar të arrij apo tejkaloj këtë sulmues. Çdo lojtar bën më të mirën për ekipin e tij. Ka shënuar shumë, por mos harroni që kam humbur 3 ndeshje për shkak të lëndimit në një moment që kam qenë në gjendje shumë të mirë. Nuk është justifikim, por fakt. Unë së pari kërkoj të ndihmoj ekipin tim, natyrisht me gola. Tashmë kam objektiv primar të kaloj dëmtimin, të rikthehem në formën më të mirë, pastaj kampionati është i gjatë dhe koha do ta tregojë. Kam shumë besim te vetja, uroj vetëm të mos dëmtohem më dhe pastaj golat do i shumëfishoj, nuk e kam atë hall.

Çfarë prisni nga vetja dhe shokët e ekipit që të përmirësoni?

Besoj se ka ardhur koha të tregojmë çfarë ekipi jemi dhe të marrim atë që meritojmë. Thjesht, pres të luajmë siç dimë, të dëfrehemi në fushë, të mos jemi të ngurtë, të luftojmë si një trup i vetëm, të mos i druhemi askujt e pastaj çdo gjë do të vijë. Kualitetet nuk na mungojnë, madje i kemi me bollëk, thjesht të bëjmë këto që përmenda dhe të kemi fatin me vete dhe rezultatet e ecuria e mirë nuk do të mungojnë.

Kur besoni se Kukësi do të dalë në lojën e tij dhe do të ketë rendimentin e kërkuar ashtu siç e thatë edhe ju më lart?

Jemi ndeshur me të gjithë nga një herë, ndaj tani e dimë çfarë ekipesh kemi përballë edhe duhet t’i vlerësojmë të gjitha njësoj. Dimë çfarë kërkojmë dhe dimë çfarë duhet të bëjmë.

Bylisi ka surprizuar këtë sezon, madje ju mundi dhe në takimin e parë. Si e shikoni ndeshjen e radhës dhe a u druheni ballshiotëve?

Do jetë ndeshje e vështirë. Bylisi është ekip që luan me shpirt dhe ka lojtarë me eksperiencë dhe kjo e ndihmon. Ndoshta nuk i vlerësuam sa duhet ndeshjen e parë, por këtë herë nuk do jetë njësoj. Do të luajmë fortë për të marrë fitoren.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"