Eksperiment i Shqipërisë, “shfryn” 3-0 ndaj San Marinos

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 8, 2014 | 20:20

Eksperiment i Shqipërisë, “shfryn” 3-0 ndaj San Marinos

fotoja kryesoreKombëtarja rikthehet në identitet. Pas një serie humbjesh radhazi (kujtojmë që nuk fitonim prej tetë takimesh, që nga miqësorja me Armeninë në 2013-ën), skuadra e drejtuar nga Xhani De Biazi “shpërthen” ndaj një kundërshtari, pak të thuash, modest. Dy gola në pjesën e parë nga Mavraj e Vajushi dhe një tjetër në fraksionin e dytë të lojës të sigluar nga Vila i dhanë një fitore të lehtë Shqipërisë, në një 90- minutësh të luajtur gati me një portë. San Marino, vendi i 207-të në renditjen FIFA, nuk arrin të rrezikojë asnjëherë seriozisht portën e mbrojtur nga Berisha në pjesë të parë dhe Shehi në të dytën. Kjo tregon edhe për rivalin me të cilin u përballëm në miqësoren e mbrëmshme, e cila më shumë sesa për të përgatitur kualifikimet e Europianit, vlejti për një seri debutimesh, në të dy kahet. “Merr frymë” disi më lirshëm De Biazi, i cili duhet të ketë marrë indikacione të vlefshme nga skemat e përdorura, por edhe lojtarë të veçantë, sidomos nga Vajushi, i cili ra në sy jo vetëm për eurogolin e minutës së 30-të, por edhe lëvizshmërinë në fushën e blertë. Shkodrani, që ka pasur një marrëdhënie disi problematike me trajnerin italian, i ka dëshmuar këtij të fundit se është i vlefshëm për fushatën kualifikuese të EURO 2016, që nis në shtator.

Ndeshje miqesore, Stadiumi Olimpik i Serravales
SAN MARINO – SHQIPERIA  0-3

Golat: Mavraj 27′, Vajushi 32′, Vila 73′
SAN MARINO: Simonçini, Dela Vale, Batistini, Kiaruci (A.Dela Vale 87′), Palaci (A.Gesperoni 76′), Biordi (L.Gasperoni 85′), Bonini (Bianki 70′), Kombi, Kolombini, Tosi (Çervelini 61′), Selva (Rinaldi 78′). Trajner: Pieranxhelo Manzaroli
SHQIPËRIA: E.Berisha (Shehi 46′), Lila (Qose 74′), Aliti, Mavraj, Hysaj (Rrahmani 82′), Vila, Lilaj (Kaçe 46′), Abrashi, V.Rama (Cikalleshi 58′), Vajushi (Dosti 71′), Kapllani. Trajner: Xhani De Biazi
KARTONË I VERDHË: Tosi 53′
Gjyqtarë: Marko Borg, Masimo Zanoti, Andrea Guidi (Maltë)

1Ndeshja – Takimi nis menjëherë me kuqezinjtë që spostojnë lojën në gjysmëfushën e vendësve. Këta të fundit mundohen të mbrohen me shumë lojtarë, aq sa kanë një rreshtim deri diku të çuditshëm: 6-3-1, ku në pamje të parë të lihet përshtypja se kuqezinjtë do ta kenë tejet të vështirë që të depërtojnë në zonën kundërshtare. Por nuk është ashtu. Vertikalizimet e Lilaj dhe heraherës edhe të Abrashit e Mavrajt, në më shumë se një rast gjetën Kapllanin e Vilën prapa krahëve të mbrojtjes, por kuqezinjtë nuk i shfrytëzuan mirë topat që patën në dispozicion. Gjithsesi, goditja e parë e rrezikshme vjen në minutën e 17-të për tanët. Rama ekzekuton një goditje këndore nga e djathta e sulmit kuqezi, topi shkon në zonën e vogël të portës vendëse, ku Mavraj ngrihet dhe godet fort me kokë, por mbi tra. Katër minuta më pas Kapllani bën lëmsh mbrojtjen e San Marinos dhe e kthen topin te Abrashi, që godet fort mbi vijën e 16 metrave. Topi devijohet në këndore. Rritet presioni i kuqezinjve, që thellojnë zotërimin e topit dhe qarkullimin e tij. Për pasojë del në dritë edhe goli i parë: goditje dënimi e ekzekutuar nga e djathta e sulmit tonë prej Vajushit gjen kokën e Mavrajt, që zhytet bukur me kokë dhe shënon. Çlirohen kuqezinjtë dhe nga ky moment nisin të luajnë edhe më të qetë. Pikërisht në kësi rastesh vjen edhe dyfishimi: Vajushi në ecje e sipër në hyrje të zonës lëshon një të majtë, e cila, pasi godet shtyllën, ndalet në rrjetë me portierin vendës të shtangur. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e dyfishtë të Kombëtares sonë, që e nisi pak si e ngrirë, por me kalimin e minutave lojtarët u koordinuan si duhet dhe ditën të bënin diferencën ndaj modestëve vendës.
Administrimi – Pjesa e dytë është disi më e shpenguar, duke qenë se bëhen edhe shumë zëvendësime. Kështu De Biazi hedh në fushë Kaçen për Sabien Lilajn dhe Orges Shehin për Berishën. Vendësit nuk kanë mundësi të reagojnë, ndaj Shqipëria vijon të dominojë në çdo drejtim, duke shfaqur dëshirë për ta thelluar rezultatin. Në minutën e 68-të, Kaçe “peshkon” bukur në hyrje të zonës Kapllanin, i cili, pasi përgjum topin, gjuan, por sfera bllokohet nga një mbrojtës dhe përfundon lehtësisht në duart e portierit. Mundohet shumë sulmuesi për të gjetur rrugën e rrjetës dhe për të fituar edhe besimin e humbur, duke qenë se ka vite që nuk realizon me Kombëtaren, por atë që nuk e bën dot Kapllani e realizon Vila. Mesfushori gjendet pas krahëve të mbrojtjes dhe ballë për ballë me portën lëshon një silurë fluturimthi, duke e çuar topin e rrjetë. Nuk ka më histori kjo ndeshje, përveç faktit se në fushë të dy trajnerët u “bëjnë” qejfin të grumbulluarve, duke bërë secili nga 6 zëvendësime, aq sa lejohen për një ndeshje miqësore (nëse kalohet ky numër FIFA dhe UEFA nuk e njohin si zyrtare). Mbyllet me këtë rezultat, identik si ai i 16 gushtit 2006, kur skuadra jonë drejtohej nga Oto Bariç.

De Biazi, Lala dhe Bushi ne stolin e kombetares“Ja pse e pata frikë San Marinon”
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, ka bërë rezymenë e takimit të djeshëm, duke nxjerrë edhe pikat e dobëta dhe pozitive të skuadrës. Në një intervistë dhënë “Panorama Sport”, direkt pas takimit të djeshëm, tekniku italian lëshon një deklaratë disi të çuditshme, teksa pohon se kishte pasur frikë nga San Marino. Gjithsesi, këtë gjë tekniku e lidhi me faktin se Kombëtarja vinte nga dy humbje dhe me moralin përtokë.
Një fitore e lehtë, ndaj një skuadre pak të thuash modeste, apo jo mister?
Ishte një ndeshje e lehtë në pamje të parë, pasi kishim të bënim me një kundërshtar të dobët, por edhe shumë problematike, sepse mund të turpëroheshim.
Në ç’kuptim?
Shikoni dhe uroj të më besoni, por unë nuk u ngrita thuajse fare nga stoli, pasi deri në mbyllje të pjesës së parë kisha këtë lloj ideje që më kalonte në kokë se mund të bënim ndonjë gabim dhe dridhesha nga emocionet e tepërta. San Marino është vendi i 207-të në renditjen e FIFA-s, por imagjinoni pak sikur ata të na kishin marrë një barazim, pasi ne do të kishim luajtur pak a shumë sikundër bëmë ndaj Rumanisë dhe Hungarisë. Gjithsesi, mund t’ju them se, përtej faktit se kishim të bënim me një kundërshtar të lehtë, më pëlqeu loja e pjesës më të madhe të lojtarëve që luajtën sonte (mbrëmë).
Cili ju pëlqeu më shumë?
Nuk është mirë të zëmë emra lojtarësh, pasi unë analizën e bëj si skuadër në tërësi. Ajo që vlen është fakti se u duk qartë se donin që të tregonin vlerat e tyre, ndaj dhe në asnjë çast nuk dolën nga detyrat që u pata dhënë.
A mund të themi se Vajushi është një lojtar i konfirmuar?
Vajushi ka qenë gjithnjë pjesë e Kombëtares, por problemi i tij ishte se në pjesën më të madhe të kohës, kur më është dashur, ka qenë i dëmtuar. Gjithsesi jam i kënaqur nga ai.
Po tre debutuesit?
Sa u përket tre debutuesve, një gjë është e sigurt, do të vijojnë të jenë pjesë e Shpresave dhe në të ardhmen do shikojmë që t’i ingranojmë me Kombëtaren.
Ju shqetësoi fakti se nuk shënuan sërish sulmuesit?
Kjo është një gjë konstante tashmë në skuadër, gjithsesi, sonte (mbrëmë) pashë se edhe ky repart tentoi të bënte më të mirën. Ndërkohë, pak rëndësi ka kush shënon, për mua vlen më shumë disiplina në lojë dhe shpirti i garës, pavarësisht se kemi të bëjmë me një miqësore, apo ndeshje zyrtare kualifikimesh.
Pas tri miqësoreve, a jeni i kënaqur nga skuadra?
Absolutisht jo. Nuk jam i kënaqur me këto tri miqësore. Nuk mundet të jem vetëm sepse fituam ndaj San Marinos. Më shumë na ka ngelur peng ndeshja me Hungarinë, pasi luajtëm përballë një kundërshtari më të dobët sesa ne dhe bëmë një lojë me shumë gabime. Gjithsesi mendoj se ishin tri takime, nga ku nxorëm disa mësime të vlefshme për ndeshjet kualifikuese që nisin në shtator. Megjithatë, kemi ende shumë gjëra për të rregulluar.

Berisha-Shehi, portierët kapitenë të përfaqësueses
Në mungesë të Lorik Canës, dje trajneri De Biazi ia besoi shiritin e kapitenit portierit titullar Etrit Berisha. Për këtë të fundit ishte hera e parë që niste një ndeshje me Kombëtaren si kapiten. Portieri i Lacios ka luajtur deri më tani 19 ndeshje me fanellën kuqezi. Mirëpo, interesant ishte fakti, se në fillimin e pjesës së dytë, Berisha u zëvendësua nga Orges Shehi dhe shiriti mbeti te ky i fundit. Durrsaku e mbajti atë gjatë 45 minutave të dyta, edhe pse në fushë ishin futbollistë “veteranë” të Kombëtares si Edmond Kapllani, që ka luajtur 41 ndeshje. Gjithsesi, kjo pak rëndësi ka, edhe pse sulmuesit mund të mos i ketë ardhur mirë që nuk ishte ai kapiteni. Zgjedhja e De Biazit ishte e veçantë, jo vetëm me Berishën, por edhe Shehin, që dje luajti takimin e 6-të me fanellën kuqezi.

Mavraj dhe Vajushi, golat e parë si kuqezi
Mërgim Mavraj dhe Armando Vajushi e kanë bërë dje sefte me fanellën e Kombëtares shqiptare, teksa kanë shënuar për herë të parë që nga veshja e fanellës kuqezi. Pas 17 ndeshjesh me përfaqësuesen, mbrojtësi kosovar realizoi dje në miqësoren ndaj San Marinos. Nga ana tjetër, mesfushori i talentuar shkodran realizoi në takimin e tij të gjashtë me Kombëtaren kuqezi. Vajushi shënoi një supergol, pas goditjes me të majtën nga jashtë zone. Ndërsa Mavraj i dha avantazhin Shqipërisë pas goditjes me kokë në minutën e 28-të. Golin e tretë për kuqezinjtë në testin e djeshëm e realizoi Emiljano Vila. Si për koincidencë, ky ishte i treti për të në 27 ndeshje me përfaqësuesen. Më parë durrsaku i Kombëtares ka shënuar në miqësoret ndaj Qipros dhe Iranit.

Debutojnë Rrahmani, Qose dhe Dosti
Ndeshja miqësore ndaj San Marinos do të mbahet mend gjatë nga tre futbollistë, të cilët vijnë pas eksperiencës me Kombëtaren U-21, të drejtuar nga Skënder Gega. Bëhet fjalë për mbrojtësin Amir Rrahmani dhe mesfushorët Kristi Qose e Albi Dosti. Të tre debutuan dje me fanellën kuqezi të Kombëtares, teksa u aktivizuan në pjesën e dytë. I pari u fut në fushë durrsaku Dosti, teksa zëvendësoi Vajushin, ndërsa më pas Qose, i cili është bashkë me Kaçen pjesë e PAOK-ut. Kur duheshin edhe 8 minuta që takimi të përfundonte, De Biazi aktivizoi edhe Rrahmanin, për të cilin ky sezon ka qenë mbresëlënës. Mbrojtësi i Partizanit debutoi pak ditë më parë me Kosovën, ndërsa dje te Kombëtarja shqiptare.

tifozetDy mijë shqiptarë, festë në stadiumin “Serravalle”
Nuk kishte si të mungonin tifozët kuqezi në stadiumin “Serravalle” të San Marinos. Afro dy mijë shqiptarë ishin të pranishëm dje në shkallët e stadiumit, teksa ndeshja ngjante sikur luhej në shtëpi për kuqezinjtë dhe jo në transfertë. Me qindra emigrantë shqiptarë, kryesisht ata që jetojnë në Itali, e kthyen takimin në një festë. Gjatë gjithë lojës, ultrasit e Kombëtares “Tifozët Kuq e Zi” kanë mbështetur fuqimisht skuadrën. Këtë herë Kombëtarja nuk i zhgënjeu, duke fituar pastër, pavarësisht faktit se përballë kishte një skuadër modeste, që në 121 ndeshje të zhvilluara, kishte arritur vetëm një fitore në historinë e saj. Megjithatë, në fund, tifozët dolën të kënaqur, ndërsa pritën futbollistët në dalje të stadiumit. Në “Serravalle” dje ka qenë e vështirë të shikoje tifozë vendës. Ndërkohë, sipas mediave të San Marinos, një biletë kushtonte vetëm 5 euro dhe dje vetëm nga interesimi i shqiptarëve stadiumi ka arkëtuar 10 mijë euro fitime. Skuadra modeste e San Marinos pësoi dje humbjen e 118 në 122 ndeshje të zhvilluara deri më tani.
LEONARD KARAJ

 






www.minuta90.com