1963: Dy fitore 3-0 Greqisë dhe Shqipëria në 16-she të Europës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2014 | 20:12

1963: Dy fitore 3-0 Greqisë dhe Shqipëria në 16-she të Europës!

Besnik DizdariNga BESNIK DIZDARI
Ky është një jubile krejt i çuditshëm. Është një 50-vjetor thjesht sepse për herë të parë në një ndeshje eurobotërore Shqipëria ka marrë pjesë në kampionatin e dytë të Europës, atë të 50 viteve më parë, të vitit 1964. Në të vërtetë Shqipëria këtë e ka 51 vjet më parë dhe mua që po më pëlqen ta kthej në jubile duke i thënë “gjysmë shekulli më parë”.
Ai ka qenë një fillim sensacional, i bujshëm, siç mund të thuhet në shqipet. Sepse ka qenë një fillim me fitore dhe madje me kualifikim. A vërtet kështu ka ndodhur?…
Vështroni dokumentin që po botojmë. Është dokument zyrtar i UEFA-s. E shkruar e zeza në të bardhë:
“Shqipëria- Greqia 3-0, 31 mars 1963. Stadiumi Qemal Stafa-Tiranë”. Dhe, siç e shihni, “ad litteram” është kështu: “PRELIMINARY ROUND – 31 MARCH 1963
ALBANIA – GREECE3-0
Qemal Stafa – Tirana”.
Tashmâ ndeshja njihet edhe si rezultat. Se si mosdashje e Greqisë për ta luajtur atë, këtë e dimë qysh më 1963. Si rezultat “autentik” atë e njoh qysh plot 10 vjet më parë, kur kam shkruar rreth fitores historike të Shqipërisë, 2-1 ndaj Kampiones së Europës, Greqisë më 4 shtator 2004. Kjo është dita e vetme deri më sot kur për herë të parë në jetën e saj Shqipëria arriti që për 24 orë të kryesonte një grup të Europës për kualifikimet e një Botërori. Ky qe verdikti i parakohshëm i një fitoreje të paralajmëruar si prej zotave të antikitetit, historia e bujshme e një fitoreje që dukej se mbërrinte nga “nëntoka” e vitit 1963, kur lind episodi i parë i marrëdhënieve dramatike të Kombëtareve të futbollit të Shqipërisë dhe të Greqisë.
Ka qenë pikërisht 13 janar 1962, ditë kur shtypi shqiptar njoftonte se Shqipëria do të merrte pjesë për herë të parë në kampionatin europian të futbollit. Dhe shorti kapricioz që si “për inat” sendërton çiftin Shqipëria-Greqia! Dhe buja në fjalë tejet lakonike: “Shqipëria kualifikohet për turin e dytë të Kupës së Europës midis skuadrave kombëtare, për shkak të refuzimit të Greqisë për t’u ndeshur me Shqipërinë!”.
Me një fitore tryeze Shqipëria hynte kështu në 16- she të Europës që sot e kësaj dite përbën përfshirjen më të lartë të Kombëtares shqiptare në kualifikimet e gjithë historisë së saj modeste. Nuk mund të kishte fillim “më të bukur”: të kalosh turin, të jesh një nga 16 skuadrat më të mira të Europës pa luajtur asnjë minutë! Por me rezultat “konkret” 3-0. Pra, jo me futboll të luajtur, por me futboll vendimesh zyrtare. Në etikën e futbollit, në “fair play”-n e shpikur nga anglezët në kohët moderne, por e zbatuar qysh në Greqinë e Lashtë, tërheqja e Greqisë 1963 ishte edhe ajo një prishje, paçka se e çoi Shqipërinë në 16-she të Europës. Sot edhe mbas një gjysmë shekulli, ajo hyn në histori si një ndeshje e vërtetë. Kam pra ndër duar tash plot 10 vjet “zbulimin”, dokumentin autentik të UEFA-s që fikson këtë pamje të fitores juridike 3-0 të Shqipërisë kundër Greqisë më 31 mars 1963 për Kampionatin e Europës, ndonëse me vendim në tryezë.
Kjo është një “ndeshje” e parë e Shqipërisë për turnetë europiano-botërorë. Dramatike me mosluajtjen e saj në terrenin e blertë. Dramatike me vendimin e UEFA-s. Dramatike për një histori “lufte”. Dramatike në kahun prishës të saj. Një prishje në vazhdimësi. Tirana e 31 marsit 1963 e paluajtur! Kishin kaluar dy vjet që Kupa e Europës pushonte e qetë në Moskë dhe ja te fillonte gara tjetër, tashmâ me plot 28 shtete, ku janë edhe Anglia e Italia. E kërkon të jetë edhe Shqipëria. Ose e thënë më qartë, kërkon të luajë edhe Shqipëria së bashku me 27 shtete të tjerë. Shorti kapriçioz e çon në çiftimin me Greqinë. Dhe janë grekët ata që nuk duan të ndeshen me shqiptarët! Ruhet gjendja e luftës qysh më 1940, e cila do të donte e pakta edhe 20 vjet të tjera për të rënë! Ky ishte “suksesi” i parë i Kombëtares së Shqipërisë në Kupën “Henri Delaunay”: në 16 më të mirat e Europës pa luajtur kurrnji minutë! Në të vërtetë “suksesi” më i madh i deritanishëm për Kombëtaren e Shqipërisë, e cila asnjëherë nuk do të mbërrinte më deri këtu. Dihet, Shqipëria nuk kishte asnjë marrëdhënie me Greqinë. Dhe do të luante rolin e saj “diplomatik”, e bindur se asgjë nuk mund të ecte më tej. Në një farë mënyre, ajo do të bënte të paditurin, teksa mbas hedhjes së shortit në ditët e para të 1962, më saktë më 3 shkurt po 1962, Shqipëria ka “guximin” t’i propozojë Federatës Greke të Futbollit që ndeshjet të luheshin më 21 tetor 1962 në Athinë dhe më 2 dhjetor 1962 në Tiranë. Një propozim disi me prepotencë, sepse datat i caktonte UEFA. Dukej qartë se gjithçka ishte një farsë diplomatike.
Ndërkaq, në Shqipëri thuajse ka një terr informativ, siç thuhet sot. Papritmas, më 10 shkurt 1962, megjithatë vijnë dy rreshta të tjerë njoftimi që thonë vetëm kaq: “…
Pritet pëlqimi i palës greke në lidhje me propozimin e bërë nga ana jonë”. Në të vërtetë janë gjashtë muaj heshtje. Dhe prapë dy rreshta të tjerë të thatë njoftimi. Është 28 gusht 1962, kur njoftohet thuajse me germa mikroskopike:
“Federata greke e futbollit akoma nuk i është përgjigjur propozimit tonë për zhvillimin e ndeshjeve më 21 tetor dhe 2 dhjetor të këtij viti, përkatësisht në Athinë dhe në Tiranë”. Këtu merr fund gjithçka. Ditë të tana pa asnjë njoftim, pa asnjë sqarim! Heshtje shembullore. Greqia nuk kishte pranuar të luante. Heshtja flori.
Ndërkaq, kur mbërrin dhjetori ’62 në Tiranë zhvillohet një ndeshje midis Kombëtareve A dhe B. Natyrisht e mbaj mend si sot. Është e diel e 16 dhjetorit 1962. Ne, studentë të rinj e kur sapo kishim filluar të shkruanim, jemi në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në një ditë të vranët, midis mijëra shikuesve, nja tri herë më shumë se sa çfarë ka një ndeshje e Kampionatit të sotëm të Shqipërisë. Është 3- 2 si për Kombëtaren A, e cila ka këtë njëmbëdhjetësh: Topi, Deliallisi, Frashëri, Halluni, Bukoviku, Shllaku, Kraja, S.Jareci, Bushati, Pano, Ishka. Ndërsa Kombëtarja B ishte kjo: Janku, Kasmi, T.Vaso, Daiu, Lilamani, A.Mema, Vorfi, Zaho, Gogoni, Ibërshimi, A.Verria.
Çfarë ishte kjo ndeshje me kaq shumë djem të talentuar 20-21-vjeçarë? Ne diskutonim si të ishte një lloj sfide kundërgreke, apo si të doje të thoshe se “ne shqiptarët jemi këtu, në fushën e lojës:” Përralla! Heshtja vazhdon, fshehja mbretëron, ndërkohë që UEFA me kohë kishte vendosur gjithçka.
Por, më në fund! Është 12 janar 1963 dhe në fund të një shkrimi për me titull “Kush do të dalë në gjysmëfinalet e Kupës së Europës midis kombeve, shtypi (“Sporti popullor”) shpërthen në këto rreshta për “antologjinë” e ideologjisë së nacionalkomunizmit. Tek janë germë për germë, me ortografinë e kohës
“Kupën e Evropës midis kombeve po e ndjekin me interesim të madh edhe sportdashësit tonë. Ata, megjithëse nuk patën rastin të shohin ndeshje në turin e pare për shkak të qëndrimit armiqësor të qarqeve reaksionare greke ndaj vendit tonë, po presin me ankth shortin e turit të dytë. Kjo jo vetëm sepse do të kenë rastin të shohin përfaqësuesen tonë për herë të parë në një aksion të tillë të madh, por edhe sepse kombëtares sonë do t’i takojë të ndeshet me një nga 15 ekipet më të forta të Evropës. Në të njëjtën kohë ata janë të preokupuar si do të jetë përbërja e kombëtares sonë, si po përgatitet për këtë betejë të madhe, me ç’sistem loje do të hyjë ajo në fushë si dhe shumë probleme të tjera të cilat duhet të preokupojnë seriozisht në radhë të parë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kolegjiumin e trajnerëve pranë saj, të cilëve u është besuar stërvitja e ekipit, dhe vetë futbollistët pretendentë, që duhet të vihen në garë midis tyre për të zënë vend në 11-shin që do të veshi kostumin kuq e zi për të mbrojtur denjësisht ngjyrat e Republikës sonë Popullore”.
E tash, mbas një gjysmë shekulli, unë do të vazhdoj më tej për te ndreqja e historisë. Pata kujtuar se e pata ndrequr plotësisht 10 vjet më parë mbasi gjeta dokumentin e UEFA-s, duke menduar gabimisht se ishte fjala thjesht për një ndeshje të vetme të dhënë me vendim zyre, edhe pse skuadrat e tjera kishin luajtur nga dy ndeshje, shkuarje e ardhje. Sot bindem se kam gabuar, madje edhe në librin tim “Kupa e Europës” 2 (2008). Nuk thonë kot që historia shkruhet dhe rishkruhet. Sepse përherë dalin fakte të reja.
Dhe ja, gusht 2014 e papritmas UEFA bëhet shkas që unë të sqaroj gjithçka. Ajo sapo më ka dërguar libretin e saj “Le Rendez-Vous – EURO 2016”, një botim tejet elegant e luksoz. Dhe kur shkoj te faqja e “Albania”, ndaloj te shifrat statistikore të saj. Lexoj: “Shqipëria 85 ndeshje, 14 fitore, 20 barazime, 51 humbje!”. Hap arkivin tim dhe gjej se kam 84 ndeshje, 13 fitore, jo 14, mbasi kisha shtuar vetëm një ndeshje tryeze me Graqinë atë të dokumentit 31 mars 1963. Menjëherë kuptova gjithçka: UEFA i ka dhënë Shqipërisë dy fitore 3-0 me Greqinë. Dhe shpejt e shpejt gjithçka ma sqaron bota moderne e Shekullit XXI. Jam në faqen e internetit të UEFAs dhe gjej dy herë “Greqia- Shqipëria 0-3, 0-3! Kjo është “errata corrige” ose “ndreqja në histori”. Shqipëria, siç thotë edhe UEFA, ka këtë bilanc në Kampionatin Europian: 85 ndeshje, 14 fitore, 20 barazime, 51 humbje! Historisë statistikore të Kombëtares së Shqipërisë i shtohen dy fitore “të bujshme” 3-0 me Greqinë, pa luajtur asnjë minutë! Të omologuara sot e kësaj dite prej UEFA-s. Siç e shihni në faqet e sotme të “Panorama Sport” po botoj pra edhe dy dokumentet autentikë të këtyre dy fitoreve. “Zbuluar” vetëm ditët e fundit. Ndeshja e parë është 3-0 “në Athinë” më 21 qershor 1962 dhe ndeshje e dytë është 3-0 “në Tiranë” më 31 mars 1963. “Bukur”! Me një “të keqe” të madha: nuk janë luajtur kurrnjiherë! Mirëpo, ato janë të zyrtarizuara falë vendimit në tryezë të UEFA-s. Kështu “errata corrige” e turit paraeliminator të edicionit të dytë të Kampionatit Europian 1964 është kjo:
Greqia – Shqipëria 0-3 / 0-3
Bullgaria – Polonia 3-1 / 1-3 / 1-0
Danimarka – Malta 6-1 / 3-1
Irlanda – Islanda 4-2 / 1-1
RDGJ – Çekosllovakia2-1 / 1-1
Anglia – Franca 1-1 / 2-5
Italia – Turqia 6-0 / 1-0
Jugosllavia – Belgjika3-2 / 1-0
Norvegjia – Suedia 0-2 / 1-1
Holanda – Zvicra 3-1 / 1-1
Polonia – I.Veriut 0-2 / 0-2
Spanja – Rumania 6-0 / 1-3
Hungaria – Uellsi 3-1 / 1-1
Kështu pra. Shqipëria është midis 16 skuadrave “më të forta” të Europës së bashku me Bullgarinë, Danimarkën, Irlandën, RDGJ-në, Francën, Italinë, Jugosllavinë, Suedinë, Holandën, Irlandën e Veriut, Spanjën, Hungarinë. Duke lënë mbrapa deri superfuqi të tilla si Anglia apo Çekosllovakia e Belgjika. Me të gjitha këto skuadra më vonë Shqipëria do të ndeshet. Në të gjitha rastet ato do ta eliminonin pa mëshirë atë. E kësisoj, Shqipërisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kujtojë se një herë të vetme ajo do të bënte pjesë në klubin e elitës europiane të futbollit, në 16- shen “më të fortë” të Europës.
Më 26 mars 1963, në Amsterdam, UEFA hedh shortin e 1/8-tave. Në këtë ditë do të lindnin ndeshjet e vërteta Danimarka – Shqipëria 4-0 dhe 0-1 të 29 qershorit dhe 30 tetorit 1963, ku për çudi në ndeshjen e kthimit Shqipëria fiton 1-0 me gol të Panajot Panos, duke regjistruar fitoren e saj të parë “të vërtetë” në fushën e lojës. Kjo është fitorja e parë shqiptare e luajtur drejtpërsëdrejti në fushë për një Kampionat të Europës dhe të Botës. Po më e rëndësishme është kjo tjetra: që zyrtarisht në pjesëmarrjen e saj për këto gara, Shqipëria me trajnerë Loro Boriçi (dy “fitoret” me Greqinë) dhe Zyber Konçi (një fitore të vërtetë me Danimarkën) në 4 ndeshje, ka pra 3 fitore dhe vetëm 1 humbje! Rekord që nuk besoj se do të thyhet ndonjëherë. E çfarë kohe ishte ajo e vitit 1963? Ai ishte një vit si i pajetë. Një vit thuajse pa ngjarje i një Shqipërie, do të mund të thoshim, “zyrtarisht” në vitin e izolimit të saj të dytë, tejet të ashpër, teksa i thoshte lamtumirë edhe marrëdhënieve me pjesën më të përparuar të Europës Komuniste. Do të kishte megjithatë dy ngjarje fundi i vitit 1963: Shqipërinë në 16 skuadrat më të mira të Europës dhe vizitën e kryeministrit të Republikës së Kinës në Tiranë, Çu En Lai. Shqipëria e vogël, izolacioniste, kërkonte të krenohej duke hyrë me futbollin në 16- shen e shteteve të Europës si dhe duke i thënë revizionizmit sovjetik hrushovian se gjeta “mikun” e madh, Kinën Popullore të Mao Ce Dunit. Ai ishte një izolim që do të vazhdonte pa ndalë. Për fat, herë pas here edhe për futbollin.
Sot është diçka krejt tjetër, natyrisht. Si gazetar i saj, i uroj gjithçka të mirë e të bukur Shqipërisë sime 2014 në fillimin e ri të saj në Kampionatin e Europës ndaj Portugalisë. Për këtë garë të madhe kontinentale, do të kishte për të qenë fitorja e 15-të jubilare e saj në histori. Duke i kujtuar se në letër apo në fushë, më 1963, ajo ka marrë tri fitore në katër ndeshje.
Ironi e fatit?…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"