19-vjeçari kenian lë në “baltë” Apoloninë dhe trajnerin Mërgjyshi, mbyll sezonin 5 javë para kohe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 15:31

19-vjeçari kenian lë në “baltë” Apoloninë dhe trajnerin Mërgjyshi, mbyll sezonin 5 javë para kohe

Në Fier mendojnë për objektivin maksimal, që është katërshja e parë e renditjes. Ky objektiv ishte “utopi” deri pak muaj më parë, por duke parë ecurinë e javëve të fundit të Apolonisë, të gjithë kanë filluar të shpresojnë dhe besojnë.

jasin apolonia

Për këtë situatë në kampin fierak kanë filluar të bëjnë llogaritë, por të gjithë e kanë të qartë se përpara i presin sfida shumë të rëndësishme. Apolonia nisi dje përgatitjet për ndeshjen e radhës me Elbasanin, që luhet të shtunën, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”. Stafi teknik, para seancës së djeshme ka zhvilluar një analizë të shkurtër me skuadrën, me qëllimin mbajtjen larg të euforisë së futbollistëve, por edhe për të qenë me këmbë në tokë për vazhdimësinë. Në krye të fjalës së tij, trajneri Mërgjyshi ka përgëzuar djemtë për lojën e mirë të zhvilluar dhe stabilitetin që skuadra ka fituar veçanërisht në lojë, por edhe në rezultat. 

Vlerësimi dhe impenjimi janë në shkallën maksimale, por kërkohet edhe morali i duhur për të përballuar një transfertë të vështirë, ndaj ishte e nevojshme një bisedë e tillë me lojtarët. Në anën tjetër, të gjithë e kanë të qartë se Elbasani synon vetëm fitoren, sepse në të kundërt rrezikon të humbasë vendin e parë. Sikur të mos mjaftonte vështirësia e shtuar e transfertës së Elbasanit, në Fier duhet të bëjnë llogaritë edhe me dëmtimet dhe grupin që do të kenë në dispozicion. Trajneri Mërgjyshi do të jetë i privuar nga mungesa e mesfushorit Jasin Umar Rajab. Keniani ka pësuar një dëmtim të rëndë në kyçin e këmbës së djathtë dhe nuk ka qenë i pranishëm as në stërvitjen e djeshme.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se së fundmi mesfushori Jasin ka bërë dy ekzaminime të njëpasnjëshme, të cilat kanë dhënë një përgjigje më ekzakte rreth shkallës së dëmtimit. Për fat të keq, pjesa e mbetur e sezonit është mbyllur parakohe për 19-vjeçarin. Jasin ka vuajtur shumë nga lëndimet dhe është i detyruar për herë të tretë brenda këtij sezoni të bëjë disa ndeshje të tjera “stop”, me trajnerin Artan Mërgjyshin, që duhet të mendojë menjëherë edhe për zëvendësuesin e tij në mesfushë. Në tërësi, Apolonia ka pasur probleme me dëmtimet këtë sezon, teksa thuajse për asnjë moment nuk ka qenë me kontingjentin e plotë, duke sjellë më pas edhe probleme në marrjen e rezultateve, veçanërisht në fazën e dytë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"