Euro-Laçi bën histori, e fiton kupën në “frymën e fundit”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2013 | 19:54

Euro-Laçi bën histori, e fiton kupën në “frymën e fundit”…

Kupa kryesore copyLaçi futet në histori, teksa fiton Kupën e Shqipërisë për herë të parë pas një ndeshjeje dramatike, të luajtur dje në “Qemal Stafa”. Bardhezinjtë e Stavri Nicës kanë mposhtur minimalisht Bylisin 1-0, në një finale që i ka pasur të gjitha. Tensioni ka pushtuar takimin nga fillimi dhe deri në fund. 90 minutat e kohës së rregullt nuk kanë mjaftuar për të nxjerrë fituesin, por është dashur koha shtesë. Atëherë kur pritej se gjithçka do të shkonte drejt penalltive, Emiljano Çela kaloi në delir mijëra tifozë laçianë në minutën e 119-të. Mbrojtësi i majtë shënoi një gol, të cilin do ta mbajë mend gjatë, ndërkohë që ishte ai që i çoi në finalen e kupës kurbinasit, pasi më parë i kishte dhënë ekipit kualifikimin pasi realizoi në fitoren ndaj Kukësit në turin gjysmëfinal. Bylisi i Naxhi Shensojit, edhe pse zhvilloi një lojë më të mirë se Laçi, në fund gaboi gjatë një goditjeje standarde, pikërisht atëherë kur nuk pritej. Ballshiotët luajtën plot 100 minuta me një lojtar më pak, pasi mesfushori Besmir Arifaj u ndëshkua me karton të kuq. Gjyqtari kryesor i takimit, Bardhyl Pashaji, u bë protagonist me vendimet e tij të dyshimta jo vetëm në momentin e nxjerrjes së kartonit të kuq, por veçanërisht gjatë lojës, ndërsa ndërhyrjet e rënda dominuan, në një kohë që ndëshkimet u kursyen. Me dhjetëra raste për moviolë dhe kartonë të padhënë, në një takim ku lojtarët e të dyja skuadrave ishin të ngarkuar shumë psikologjikisht. Megjithatë, në fund triumfoi Laçi i Nicës, trajnerit durrsak që e merr për herë të dytë Kupën e Shqipërisë.

Stadiumi “Qemal Stafa”
Finalja e Kupës së Shqipërisë
LAÇI-BYLIS   1-0

Golat: Cela 119′
LAÇI: Bakaj, Kastrati, Buljan, Ndreka, Çela, Doku (Bilibashi 91′), Zefi, Vucaj, Shazivari (Sefgjini 70′), Nimani, Emurllai. Trajner: Stavri Nica
BYLISI: Frashëri, Idrizi, Adigun, Ristevski, Bola, Izuçuku (Ikpe 98), Sefa, Gërxho, Arifaj, Xhafa (Meto 57′), Olaynka (Kelmendi 118′). Trajner: Naxhi Shensoji
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Zefi 12′, Vucaj 22′, Ndreka 59′, Sefgjini 73’/ Arifaj 13′, 20′, Olaynka 45′
KARTON I KUQ: Arifaj 20′
Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Barushi, R.Avdo

Laci-fiton-kupen-2Pjesa e parë Loja nis e zjarrtë për të dyja skuadrat. Bylisi është i mirëvendosur në fushë dhe kërkon të befasojë Laçin me Xhafën dhe nigerianin Olaynka. Megjithatë, Ndreka dhe Buljan në mbrojtjen bardhezi lënë pak hapësira. Ballshiotët kërkojnë të përfitojnë nga goditjet standarde, por në dy raste me Gërxhon gjatë minutave të para nuk janë të suksesshëm. Laçi ka probleme në mesfushë, aty ku Sefa dhe Gërxho për ballshiotët bllokojnë qendrën, duke vënë në vështirësi Vucajn dhe Zefin. Në minutën e 20-të prishen ekuilibrat, pasi Arifaj del me të kuq pas dy kartonëve të verdhë. Mirëpo, kur mendohej se kjo do e demoralizonte Bylisin dhe nga ana tjetër do t’i jepte më shumë moral Laçit, nuk ndodhi kështu. Edhe pse me një lojtar më pak, ballshiotët bëhen zotër të fushës deri në fundin e pjesës së parë. Sefa dhe Gërxho i afrohen golit, në një kohë që meritë ka edhe portieri Bakaj.
Pjesa e dytë Trajnerët u besojnë sërish lojtarëve që nisën takimin. Laçi futet më i karikuar në fushë dhe i afrohet shumë golit. Emurllai është i pafat, pasi bën gjithçka mirë brenda zone, por shtylla i mohon një gol të sigurt. Bylisi nuk ka freskinë e pjesës së parë, edhe pse nigerianët Olaynka e Izuçuku janë gjithnjë të rrezikshëm sa herë prekin topin. Loja bëhet shumë e ashpër, në një kohë që bardhezinjtë duken më kërkues. Fundi dhuron dy goditje spektakolare të Vucajt dhe Gërxhos, por asgjë nuk ndryshon dhe rrjetat mbeten të paprekura. Kjo e dërgon takimin në shtesë dhe shton ankthin tek të dyja skuadrat.
Koha shtesë Në shtesën e parë prej 15 minutash është Bylisi që shfaqet më i rrezikshëm. Sefa dhe Gërxho vënë në provë Bakajn, i cili reagon mirë, veçanërisht në goditjen e mesfushorit fierak. Ballshiotët mundohen të godasin nëpërmjet kundërsulmit, por nuk kanë forcën e duhur në sulm, sidomos pas zëvendësimit të Izuçukut. Skuadrat duken në fushë sikur janë pajtuar me rezultatin dhe presin penalltitë, por një goditje dënimi ndryshon gjithçka. Krosimi i Vucajt në zonë shfrytëzohet bukur nga Çela, i cili përfiton nga hutimi i mbrojtjes ballshiote dhe shënon. Stadiumi shpërthen si vullkan dhe dy minutat shtesë pas 120 minutave të luajtura nuk i japin asnjë shans Bylisit për të reaguar. Gjithçka mbyllet me fitoren 1-0, por shumë të vuajtur të kurbinasve.

Nica ne krahet e lojtareveNica: Fitorja i fshin të gjitha
Trajneri i Laçit, Stavri Nica, në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes është shprehur mjaft i kënaqur me suksesin e skuadrës së tij, edhe pse erdhi në minutat e fundit. “Ndeshje të tilla e kanë tensionin brenda, për më tepër që të dyja skuadrat ishin përgatitur për të fituar. Unë ia kisha frikën Bylisit, sepse është një skuadër e cila luan shumë mirë taktikisht dhe e vë mjaft në vështirësi kundërshtarin. E njëjta gjë na ka ndodhur edhe ne sot. Ndonëse ballshiotët ishin me një lojtar më pak, nuk arritëm të shënonim. Në këtë ndeshje skuadra ime nuk ishte aty ku duhej, e për këtë arsye shpeshherë kam qenë i tensionuar, ashtu si lojtarët e mi, të cilët kishin edhe presionin e golit. Megjithatë, tashmë kemi fituar dhe në këto momente nuk ka nevojë për analiza të tilla, sepse janë të kota. Kupa dhe suksesi i fshin të gjitha dhe ne tashmë jemi duke festuar”, – ka thënë trajneri Nica, i cili me fitimin e Kupës së Shqipërisë ka mbyllur një sezon të suksesshëm në radhët e kurbinasve.
Europa – Për Laçin nuk pritet të ketë shumë pushime, pasi skuadra e Nicës duhet të fillojë edhe përgatitjet për në Europa Ligë. Tekniku është koshient se në skuadër diçka nuk funksionon, ndaj nuk heziton që një gjë të tillë ta shprehë edhe hapur. “Tani duhet të shohim përpara, sepse do të luajmë edhe në Europë. E dimë që nuk ka për të qenë e lehtë, megjithatë kemi kohë të përgatitemi. Unë ashtu si të gjithë trajnerët e tjerë mendoj se skuadra ka gjithmonë nevojë për përforcime, pasi edhe sot (dje) kemi treguar mangësi. Reparti i sulmit është ai që ka nevojë për ndryshime, sepse nuk arrijmë t’i finalizojmë aksionet. Në lidhje me blerjet do të shohim në kampionatin vendës, për arsye se mendoj që futbollistëve shqiptarë u duhet dhënë më shumë mundësi për të ardhmen”, – përfundoi Nica, ekipi i të cilit ka luajtur edhe më parë në Europa Ligë, por është eliminuar prej aty me një humbje tenistike.

Laska ne krahet e lojtareveLaska në delir, nuk u beson syve
Presidenti i Laçit, Pashk Laska, nuk u ka besuar syve kur Çela ka arritur të shënojë golin e fitores për ekipin e tij në minutën e fundit të shtesës së dytë. Përveç festimit të shfrenuar në tribunën VIP, numri një i kurbinasve ka vrapuar përgjatë gjithë kohës në tapetin e stadiumit “Qemal Stafa” me medaljen e varur dhe duke përqafuar këdo që i dilte përpara. Ka qenë e pamundur nga mediat që presidentit t’i merrej një prononcim në lidhje me triumfin e ekipit të tij, pasi në çdo moment ai ka qenë i rrethuar nga njerëz. Festa e Laskës ka vazhduar edhe jashtë ambienteve të stadiumit, ku ka ndalur makinën dhe ka zbritur në sheshin “Nënë Tereza” për të festuar me tifozët e shumtë, të cilët kishin udhëtuar nga qyteti i tyre për të mbështetur skuadrën në kryeqytet. Kjo ishte hera e parë që Laçi fitonte Kupën e Shqipërisë.

Cela Emiljano me kupenÇela: Goli im historik për të fejuarën
Emiljano Çela realizoi dje golin më të rëndësishëm të karrierës deri tani. Emri i mesfushorit do të mbetet në histori si njeriu që i dha trofeun e kupës Laçit për të parën herë në histori. Çela realizoi golin e fitores edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale ndaj Kukësit, që u dha të drejtën laçianëve të kalonin në finale. “Nuk mund të them se jam vetëm unë njeriu i këtij trofeu. Të gjithë kanë meritë për fitimin e kësaj kupe, për vetë sakrificat dhe punën që është bërë. Dëgjova që Bylisi u ankua për gjykimin. Pritej që do të ishte një finale dramatike, për vetë faktin se përballeshin dy skuadra të vogla, që kërkojnë të hyjnë në histori. Futbolli i ka të gjitha dhe në fund disa qajnë e disa qeshin. Është e kotë për mua që të fajësohet arbitri në këtë situatë. Për sa i përket lojtarit të Bylisit që u ndëshkua me karton të kuq, të verdhin e parë e mori pasi bëri ndërhyrje nga mbrapa dhe kartonin tjetër për simulim. Për sa i përket golit, ia dedikoj të fejuarës sime, të cilën e përshëndes”, – deklaroi Çela.

Shazivari duartroketShazivari: Është dita më e lumtur e jetës
Dje, në fushë ishte edhe lojtari që ka luajtur më shumë me Laçin, plot shtatë sezone. Elio Shazivari e ka festuar si “i çmendur” fitimin e Kupës së Shqipërisë. Në fund të takimit, mesfushori u shpreh: “Është një emocion shumë i madh për mua. Një ditë shumë e lumtur. Gjithçka është fryti i kësaj pune disavjeçare që u kurorëzua sot (dje) me fitimin e Kupës së Shqipërisë. Ishte një finale historike për të dyja ekipet, pasi për herë të parë shkonim deri këtu. Pritej që të kishte tension në fillim, pasi ne ishim karikuar shumë dhe e njëjta gjë ishte edhe me Bylisin. Megjithatë, tani është momenti të festojmë, pasi është një arritje historike për të gjithë”, – përfundon prononcimin Shazivari.

ShensojiShensoji: Pashaji, regjisori që i dha kupën Laçit
Ka bërë gjithçka, madje është ulur edhe në gjunjë përpara gjyqtarit të katërt për të protestuar për vendimin e arbitrit kryesor Bardhyl Pashaj gjatë finales së djeshme. Trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoji, ishte më se i nervozuar në fund të takimit dhe në intervistën e tij për “SuperSport” ka fajësuar arbitrin si regjisorin që i dha finalen Laçit.
Si e vlerësoni këtë finale që e humbët në minutën e fundit?
Gjatë të gjithë javës kam thënë fjalë të mira dhe e kam vlerësuar Federatën Shqiptare të Futbollit me në krye Armando Dukën. Këtë e kam bërë për faktin se, po të shohësh në të gjithë Europën, nuk ka asnjë shtet që të jenë kualifikuar në finale dy ekipe për herë të parë në historinë e tyre. Kam komplimentuar FSHF-në se nuk i ka penguar ekipet e vogla që të arrijnë deri në finale. Mirëpo tani të gjitha ato fjalë që kam thënë më parë i tërheq mbrapsht. Nuk kam pritur këtë që ndodhi në finale, e organizuar nga FSHF-ja dhe e drejtuar nga arbitri Bardhyl Pashaji.
Çfarë kontestoni konkretisht?
Gjyqtari ishte “regjisori” i fitores së Laçit. E gjithë Shqipëria dhe ndoshta Ballkani e pa se Laçi për 120 minuta nuk ishte në gjendje të krijonte një rast për gol. Laçi ishte një skuadër e dobët, nuk ishte as e përgatitur fizikisht dhe nuk kishte as ide. Më vjen keq që kupën nuk e mori skuadra më e mirë. Ishte një luftë e fortë mes Skënderbeut dhe Laçit se kujt t’ia jepnin kupën. Tani më vjen keq që eliminuam Skënderbeun, ndërsa “regjisori” Pashaji vendosi që ta fitonin laçianët. Kemi punuar shumë me lojtarët, të cilët luftuan si luanë për 120 minuta, por edhe fati nuk ishte me ne, pasi u ndëshkuam në fund. Sot (dje) Laçi ka luajtur çdo gjë, por vetëm futboll jo. Për këtë më vjen shumë inat, megjithatë jeta vazhdon. Kjo është finalja e dytë si trajner që humbas, një herë në Bullgari në sezonin 2009-2010 dhe tani me Bylisin. E gjithë Shqipëria e pa se ne luajtëm shumë mirë dhe e meritonim ta fitonim kupën. Lojtarët që në fillim ishin të tensionuar, ndërsa që në minutat e para u bënë shumë ndërhyrje të rënda.
Mos ndoshta kjo finale ishte përgatitur keq nga të dyja skuadrat?
Ne e kemi analizuar dhe e dimë që Laçi këtë mënyrë loje ka. Shumë specialistë në Shqipëri kanë analizuar dhe kanë thënë se si ka mundësi që Laçi eliminoi Kukësin. Mirëpo këtë e bëri vetëm me ngjarje dhe me presion ndaj arbitrave. Loja e fortë është stili i lojës së Laçit dhe jo i Bylisit. Nuk mund ta mbronim veten, sepse nuk na lejoi Pashaji, i cili lejoi një lojë shumë të fortë me ndërhyrje të rënda. Prandaj unë me presidentin Besnik Kapllanaj kërkuam arbitra të huaj, pasi Laçi e dinte shumë mirë se, nëse nuk do të bënte lojë agresive ndaj nesh, nuk mund ta fitonte kupën. FSHF na tha në fillim se mund të na mundësonte arbitra nga Bosnja, por pse nga ky vend, kur mund të na vendosnin arbitra nga Gjermania apo edhe më të mirë? Te Pashaji kisha shumë besim, pasi në Korçë ai arbitroi mjaft mirë, por sot (dje) më befasoi pamasë.

kapllanaj-isaj-ndreu-laska-dhe-qarriIrritohet Kapllanaj, largohet nga stadiumi
Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, nuk e ka pritur aspak mirë humbjen e skuadrës së tij, sidomos për mënyrën se si ajo erdhi. Pas mbarimit të ndeshjes, ka qenë e pamundur që t’i merrje drejtuesit ballshiot një prononcim, pasi ai ishte larguar shumë shpejt nga ambientet e stadiumit. Gjatë gjithë 120 minutave të lojës Kapllanaj, edhe pse në heshtje, me pamjen e tij ka treguar revoltë ndaj vendimeve të gjyqtarit, ndërsa shpresonte që të paktën loja të përfundonte në barazim dhe të ishin goditjet nga pika e bardhë e 11-metërshit ato që do të përcaktonin edhe skuadrën fituese. Mirëpo një gjë e tillë nuk u bë realitet, pasi Çela për kurbinasit realizoi në fundin e shtesës së dytë.

ArifajArifaj: Karton i kuq absurd, pyesni gjyqtarin
Është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe e ka lënë ekipin e tij shumë shpejt me 10 futbollistë. Për Besmir Arifajn, sfida e djeshme u mbyll pa u nisur mirë dhe për një gjë të tillë lojtari akuzon gjyqtarin kryesor. “Nuk e kuptova se si ndodhi një gjë e tillë. Nuk bëra asnjë faull dhe kryesori më nxori kartonin e dytë të verdhë. Ishte një vendim absurd, ndërsa duhet pyetur gjyqtari për atë çka bëri. Mund t’ju them se e gjithë loja ishte një absurditet dhe vetëm gjykim që nuk mund ta quajmë. Sinqerisht që nuk di ç’të them në një moment të tillë”, – ka deklaruar lojtari, i cili është aktivizuar me një sërë ekipesh në vendin tonë dhe në sfidën e djeshme trajneri Shensoji i kishte rezervuar një vend në formacion, të cilin ai nuk arriti ta shijonte deri në fund të 120 minutave.

Nora me trofeun e titullit kampionProfecia e Arlind Norës: Finalen e fiton Laçi, 1-0!
Në numrin e djeshëm, “Panorama Sport” publikoi një sondazh që kishte bërë me kapitenët 13 ekipeve, pikërisht në lidhje me finalen e Kupës së Shqipërisë, Laçi-Bylisi. Nga parashikimet e bëra, ish-sulmuesi i bardhezinjve, Arlind Nora, gjeti rezultatin në kokë të ndeshjes. “Te Bylisi luan miku im më i mirë, Klodian Arbri, por unë jam tifoz me Laçin. Kam bindjen se Laçi do të fitojë me rezultatin, 1-0. Ata kanë një grup lojtarësh që luajnë bashkë prej kohësh, një supertrajner si Nica dhe një president që di të motivojë”,- është shprehur dy ditë më parë kapiteni i Luftëtarit. Ndërkohë, edhe Gilman Lika i Tiranës e Franc Veliu i Flamurtarit, patën parashikuar se ndeshja do të shkonte në kohën shtesë. I këtij mendimi ka qenë edhe trajneri i Tiranës, Nevil Dede, por me ndryshimin që sipas tij ndeshja do të zgjidhej nga penalltitë.

Pashaj BardhylJa si iu kërkua Pashajit të barazpeshonte gjykimin
Në përfundim të pjesës së parë të takimit, presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, nuk i ka mbajtur dot nervat dhe është revoltuar me treshen e gjyqtarëve. Përpara dhomës në të cilën ishin arbitrat, presidenti ballshiot ka kërkuar llogari me zë të lartë, madje edhe duke i ofenduar ata. Në këto momente, në debat me Kapllanajn kanë hyrë edhe delegati me vëzhguesin e takimit, të cilët i kanë kërkuar të ulë tonet. Por, kjo këshillë e Besnik Çelës dhe Plarent Kotherjes nuk ka vlejtur për asgjë, pasi presidenti i Bylisit është irrituar akoma më shumë. E ndërsa drejtuesit më të lartë të FSHF-së dhe disa presidentë klubesh ishin në një minikoktej, Kapllanaj priste gjyqtarët të dilnin nga dhomat e zhveshjes. Duke parë që një gjë e tillë nuk ka ndodhur, Kapllanaj është larguar dhe pas tij ka dalë treshja e arbitrave. Në një moment, vëzhguesi Kotherja ka ndalur kryesorin Pashaj dhe i ka kërkuar që të baraspeshojë lojën gjatë pjesës së dytë të takimit.
Bylisin e dënon një ballshiot Bardhyl Pashaji, arbitri i përzgjedhur nga FSHF-ja për të drejtuar finalen e Kupës së Shqipërisë, është me origjinë nga qyteti i Ballshit. Kryesori që përfaqëson kolegjiumin e Tiranës, dje dënoi në shumë raste skuadrën e qytetit të tij të origjinës. Minutat 7, 22, 40, 43 dhe 45, pa futur këtu rastet në pjesën e dytë, kanë qenë flagrante për t’u ndëshkuar minimalisht me karton të verdhë. Pashaji u kursye dukshëm ndaj ndërhyrjeve që lojtarët laçianë u bënë atyre të Bylisit, si me top edhe pa top. Në fund vulosi arbitrimin e shëmtuar anësori Avdo, i cili dha një pozicion jashtë loje absurd dhe nuk akordoi korne për Bylisin.

Laçi e kishte parashkruar në plazhin e Durrësit fitimin e kupës

Laçi e kishte parashkruar në plazhin e Durrësit, ku u grumbullua,  fitimin e kupës

Laçi dhe Bylisi, ja e kaluara në Europë
Laçi ka luajtur vetëm një herë në Kupat e Europës në 2010-ën në Ligën e Europës. Pas një sezoni 2009-2010 mjaft të mirë, ku u rendit i katërti në Superiore, Laçi u kualifikua, për faktin se kupa u fitua nga Besa, e cila u rendit në vend të dytë në kampionat. Kurbinasit luajtën ndaj bjellorusëve të Dnepr Mogilev, teksa barazuan 1-1 dhe humbën 7-1 në takimin e kthimit. Ndërkohë Bylisi ka marrë pjesë dy herë në Kupat e Europës, teksa më 1999 ka qenë në Kupën UEFA, kur ka luajtur përballë Interit të Bratislavës (1-3 dhe 0-2). Të njëjtën gjë ka përsëritur dhe më 2001-shin, teksa në Kupën Intertoto ka luajtur përballë rumunëve të Universitatea Krajovës, ku u eliminua pas barazimit 3-3 dhe humbjes 0-1.
Të mëdhatë dështuan që në çerekfinale  Edicioni i 61-të i Kupës së Shqipërisë rezervoi shumë surpriza, madje që përpara turit çerekfinal. Klubet legjendë të futbollit shqiptar, duke filluar nga Tirana dhe për të vijuar me Vllazninë, mbetën jashtë fazës së grupeve, pasi u eliminuan nga Kukësi dhe Shkumbini. Ndërkohë, edhe klubet me traditë dhe që kanë fituar nga tri herë secila Kupën e Shqipërisë, si Teuta dhe Flamurtari, e ndalën hapin që në turin çerekfinal. Gjithashtu, skuadra si Partizani, që është rekordmene në kupë me 15 trofe të fituar (po kaq sa Tirana), u eliminua që në turin e parë, pikërisht në përballjen që pati me bardheblutë. Edhe ecuria e Dinamos që ka fituar 13 herë kupën, ishte tejet zhgënjyese. I veçantë gjatë këtij edicioni ishte edhe fakti që katër klubet gjysmëfinaliste nuk e kishin fituar asnjëherë kupën. Sot, Laçi dhe Bylisi do ta bëjnë sefte, teksa në fund një prej tyre do të ngrejë trofeun.
JORGIS MEMO / ARMAND HALILI

Rruga e Laçit drejt finales
TURI I PARË
Mamurrasi-Laçi 0-3
Shënues: Buljan 38′, 74′, Nimani 85′
Laçi-Mamurrasi 0-0 (3-0)
TURI I DYTË
Tomori-Laçi 0-0
LAÇI-Tomori 3-1
Shënues: Bilibashi 48′, Buljan 53′, Emurllai 67’/ Paja 61′
ÇEREKFINALET
Laçi-Teuta 4-0
Shënues: Milenkoviç 30′, Buljan 32′ (p), Nimani 64′, 90+2′
Flamurtari-Laçi 2-1
Shënues: Zeqiri 39′, Muzaka 44’/ Vucaj 67′
Laçi-Flamurtari 1-0
Shënues: Buljan 76′
Teuta-Laçi 1-2
Shënues: Mancaku 45’/ Vucaj 26′, Milenkoviç 34′
Laçi-Bylis 3-2
Shënues: Emurllai 48′, Çela 59′, Vucaj 90+3’/ Huan 22′, Olajinka 31′
Bylis-Laçi 2-1
Shënues: Shoshi 30′, Meto 69’/ Marashi 74′
GJYSMËFINALET
Kukësi-Laçi 0-0
Shënues: S’ka
Laçi-Kukësi 2-1
Shënues: Nimani 33′, Çela 79’/ Peqini 65′
FINALE
Laci-Bylis 1-0
Shënues: Cela 118′


Rruga e Bylisit drejt finales

TURI I PARË
Tërbuni-Bylis 0-2
Shënues: Ferko 35′, Adan 44′
Bylis-Tërbuni 1-0 (2-0)
Ferko 82′
TURI I DYTË
Luftëtari-Bylisi 2-1
Shënues: Nora 86′, 90+2’/ Izuçuku 85′ (p)
Bylis-Luftëtari 3-1
Shënues: Gega 14′, Bakiu 53′, Arifaj 70’/ Mersini 55′
ÇEREKFINALET
Flamurtari-Bylis 0-1
Shënues: K.Arbri 8′
Bylis-Laçi 2-1
Shënues: Shoshi 30′, Meto 69’/ Marashi 74′
Bylis-Teuta 5-0
Shënues: Izuçuku 4′ (p), 7′, Bakiu 5′, 41′, Meto 89′
Teuta-Bylis 2-3
Shënues: Veliaj 78′, Mancaku 90’/ Olajinka 45′, F.Xhafa 46′, Bakiu 88′
Bylis-Flamurtari 2-3
Shënues: Sefa 70′, Teqja 82’/ Muzaka 6′, Memelli 60′, 75′
Laçi-Bylis 3-2
Shënues: Emurllai 48′, Çela 59′, Vucaj 90+3’/ Huan 22′, Olajinka 31′
GJYSMËFINALET
Skënderbeu-Laçi1-1
Shënues: Lilaj 88’/ Olajinka 81’
Bylis-Skënderbeu 1-0
Shënues: Gërxho 53’
FINALE
Laci-Bylis 1-0
Shënues: Cela 118′

LIBRI I ARTË
1938 – Tirana
1948 – Partizani
1949 – Partizani
1950 – Dinamo
1951 – Dinamo
1952 – Dinamo
1953 – Dinamo
1954 – Dinamo
1957 – Partizani
1958 – Partizani
1960 – Dinamo
1961 – Partizani
1963 – Tirana
1964 – Partizani
1965 – Vllaznia
1966 – Partizani
1968 – Partizani
1970 – Partizani
1971 – Dinamo
1972 – Vllaznia
1973 – Partizani
1974 – Dinamo
1975 – Elbasani
1976 – Tirana
1977 – Tirana
1978 – Dinamo
1979 – Vllaznia
1980 – Partizani
1981 – Vllaznia
1982 – Dinamo
1983 – Tirana
1984 – Tirana
1985 – Flamurtari
1986 – Tirana
1987 – Vllaznia
1988 – Flamurtari
1989 – Dinamo
1990 – Dinamo
1991 – Partizani
1992 – Elbasani
1993 – Partizani
1994 – Tirana
1995 – Teuta
1996 – Tirana
1997 – Partizani
1998 – Apolonia
1999 – Tirana
2000 – Teuta
2001 – Tirana
2002 – Tirana
2003 – Dinamo
2004 – Partizani
2005 – Teuta
2006 – Tirana
2007 – Besa
2008 – Vllaznia
2009 – Tirana
2010 – Besa
2011 – Tirana
2012 – Tirana
2013 – LAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"