ZYRTARE/ Tirana nuk bën vetëm goditje “big”, bardheblutë firmosin me talentin e akademisë
Tirana është mjaft aktive në këtë merkato duke afruar lojtarë që kanë lënë gjurmë në Superiore. Pasi zyrtarizuan Kainën dhe Latifin, bardheblutë kanë arritur akordin edhe me Albi Dokën. Megjithatë, këto afrime nuk i heqin mundësi të rinjve për të qenë pjesë e skuadrës së parë.

Drejtuesit i kanë ofruar një kontratë profesionale edhe talentit Hajrulla Tola i cili ka spikatur këtë sezon me skuadrën U19. Mesfushori 18-vjeçar ishte nga më të dalluarit me skuadrën e të rinjve, skuadër me të cilën fitoi edhe titullin kampion për këtë grupmoshë si edhe Kupën e Shqipërisë.
NJOFTIMI I KLUBIT:
“Hajrulla Tola ecën me hapa kampionësh!
Klubi i Futbollit Tirana njofton afrimin e lojtarit Hajrulla Tola. Mesfushori 18 vjeçar kalon nga Akademia e Futbollit Tirana ku është shpallur kampion me grupmoshën U19, drejt ekipit të parë duke bindur kështu stafin se me talentin e tij është i gatshëm për t’i shërbyer ekipit.
Talenti i cili ka tërhequr vëmendjen e teknikëve bardh’e blu edhe gjatë paraqitjeve me ekipin e parë ne kompeticionin e Kupës së Republikës sezoni 2022-2023, ka nënshkruar për katër sezonet e ardhshme me klubin dhe prej kohësh vijon stërvitjen me skuadrën e parë nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi dhe stafit teknik. Krenar që talentet e së ardhmes rriten në @kftirana_academy për të vazhduar kështu rrugëtimin e tyre të sigurtë në kampin e kampionëve”, shkruan klubi i Tiranës.

PANORAMASPORT.AL













