Situatë delikate te Milani/ Menja i ka thënë Tares se rinovoi për të dhe Alegrin
Gazetarja Monika Kolombo ka zbuluar një prapaskenë të rëndësishme për Majk Menja, kapitenin e Milanit, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi të ardhmen e tij në klub.

Pas Rafael Leaos, i cili ka deklaruar dy herë dëshirën për t’u larguar këtë verë, Luka Modriçit ende të pavendosur pas Botërorit të Amerikës së Veriut dhe Adrien Rabiosë që mund të largohet pas ndryshimeve në pankinë, edhe Majk Menja futet në listën e lojtarëve të rëndësishëm të Milanit që mund të largohen në muajt e ardhshëm.
Kjo situatë është edhe më e ndjeshme sepse bëhet fjalë për kapitenin e skuadrës, i cili vetëm më 31 janar rinovoi kontratën deri në vitin 2031.
DEKLARATA – Duke trajtuar këtë temë, Monika Kolombo, gazetare e “Corriere della Sera” e njohur për afërsinë me ngjarjet e Milanit, ka zbuluar një prapaskenë që përfshin ish-drejtorin sportiv Igli Tare dhe ish-trajnerin Masimiliano Alegri. Sipas saj:
“Është shtuar edhe pakënaqësia e Menja. Portieri francez, në ditët e fundit të kampionatit, i kishte rrëfyer Igli Tares se kishte fi rmosur rinovimin e kontratës vetëm sepse e konsideronte atë dhe Alegrin si garanci të projektit. Tani ai është gati të shohë përreth.” Kjo deklaratë lë të hapur shumë skenarë për të ardhmen e portierit francez, i cili deri pak kohë më parë konsiderohej një nga shtyllat kryesore të projektit kuqezi, por tani duket më i pasigurt për vazhdimësinë e tij në Milano.
KLUBI – Sipas asaj që raporton këtë mëngjes “La Gazzetta dello Sport”, qëndrimi i Milanit është shumë i qartë. Klubi nuk ka ndërmend të shesë portierin dhe kapitenin e skuadrës. Madje, Xherri Kardinale pritet të zhvillojë një takim me Menjain për t’i shprehur vlerësimin dhe besimin që ka ndaj tij.
Ekziston vetëm një skenar që mund të çojë në largimin e francezit, mbërritja e një oferte që Milani nuk mund ta refuzojë. Sipas gazetës italiane, kjo shumë duhet të jetë në nivelin e 40-50 milionë eurove. Gjithashtu, shumë do të varet edhe nga paraqitjet e Menja në Kupën e Botës që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut, të cilat mund të ndikojnë në interesimin dhe vlerën e tij në treg.
PANORAMASPORT.AL













