Me sytë nga Superiorja, Besa e Maganit nis… forcimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2026 | 16:58

Me sytë nga Superiorja, Besa e Maganit nis… forcimin

Për Besën e Kavajës ka nisur zyrtarisht ndërtimi i skuadrës për sezonin 2026-2027, një sezon që përkon me edicionin e 13-të radhazi të verdhezinjve në Kategorinë e Parë. Një shifër që për historinë dhe traditën e klubit nuk mund të konsiderohet normale, ndaj në Kavajë duket se ekziston bindja se ka ardhur momenti për të tentuar seriozisht rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.

BESA

Sinjalet e para nga merkatoja tregojnë qartë se drejtuesit e klubit po punojnë që herët për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Besa ka siguruar një afrim me peshë, duke firmosur me sulmuesin Fatmir Prengaj, një nga lojtarët që ka spikatur në disa ekipe. Ardhja e tij shihet si një investim i rëndësishëm në repartin ofensiv dhe një tregues i qartë se objektivat e klubit shkojnë përtej një sezoni të zakonshëm. Paralelisht me afrimet, klubi ka nisur edhe procesin e riformatimit të grupit. Janë konfi rmuar largimet e mbrojtësit Nurja, braziliani Kordeiro dhe portierit Ahmetaj, ndërsa pritet që lista e largimeve të zgjerohet edhe me emra të tjerë.

Një lëvizje e tillë tregon se stafi teknik po kërkon të krijojë një skuadër sipas ideve dhe nevojave të sezonit të ri. Megjithatë, lajmet më të rëndësishme për tifozët kavajas në këto ditë kanë ardhur nga rinovimet. Klubi ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit deri në vitin 2027 me Nuredin Abdulain dhe Bianor Neton, dy futbollistë që konsiderohen pjesë e rëndësishme e projektit të Besës. Mesazhi “Vazhdojmë së bashku 2027”, i publikuar nga klubi për të dy lojtarët, është një sinjal i qartë se drejtuesit po përpiqen të ruajnë boshtin e skuadrës para se të mendojnë për përforcimet e tjera. Kjo strategji për të blinduar elementët më të rëndësishëm të ekipit tregon se Besa nuk dëshiron të nisë gjithçka nga e para, por të ndërtojë mbi bazat e sezonit të kaluar.

Ruajtja e lojtarëve me eksperiencë dhe cilësi, e kombinuar me afrime të zgjedhura, mund të krijojë stabilitetin që shpesh ka munguar në vitet e fundit. Një tjetër element që pritet të marrë rëndësi të veçantë është akademia. Trajneri Gugash Magani ka dhënë sinjale se do t’u besojë më shumë futbollistëve të rinj, shumë prej të cilëve i promovoi vetë në fundin e sezonit të kaluar. Kjo do të thotë se, krahas objektivit për ngjitje, klubi synon të ndërtojë edhe një identitet më të fortë me lojtarë të dalë nga shkolla e vet e futbollit. Në një kampionat që pritet të jetë sërish i fortë dhe me rivalitet të madh, Besa po përpiqet të mos humbasë kohë.

BESA2

Rinovimet e rëndësishme, afrimi i Prengajt, besimi te të rinjtë dhe puna e hershme në merkato janë tregues se verdhezinjtë duan të hyjnë në sezonin e ri si pretendentë të denjë. Pas 12 sezonesh të plota në Kategorinë e Parë, në Kavajë shpresojnë që edicioni i 13-të të mos jetë thjesht një tjetër kapitull në pritje, por sezoni që do t›i rikthejë Besës vendin që historia e saj e kërkon: mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

PANORAMASPORT.AL