TENIS/ Nuk është më “humbësi i madh”, Zverev triumfon në “Roland Garros”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2026 | 14:08

TENIS/ Nuk është më “humbësi i madh”, Zverev triumfon në “Roland Garros”

Aleksandër Zverev është kurorëzuar kampion në “Roland Garros 2026” pas një finale dramatike ndaj Flavio Kobolit, të cilin e mposhti në pesë sete 6-1, 4-6, 6-4, 6-7(5), 6-1, në një ndeshje që zgjati 4 orë e 16 minuta.

zverev

Ky triumf shënon titullin e tij të parë Grand Slam, sukses që e arrin në moshën 29-vjeçare dhe një moment historik për tenisin gjerman, pasi ai bëhet i pari nga vendi i tij që fiton në Paris në epokën “Open”.

Finalja nisi me dominim të Zverevit (nr.3), i cili fitoi setin e parë 6- 1 duke shfrytëzuar gabimet e shumta të kundërshtarit. Megjithatë, Koboli (nr.14) reagoi fuqishëm në setin e dytë, duke barazuar rezultatin pas një loje më agresive dhe të qëndrueshme.

Seti i tretë ishte i luftuar, por gjermani arriti të rikthehej në avantazh. Në setin e katërt, italiani tregoi karakter dhe e çoi ndeshjen në “tie-break”, duke mbajtur gjallë shpresat për titull. Zverev përjetoi momente nervozizmi dhe lodhjeje, madje kërkoi edhe ndihmë mjekësore gjatë ndeshjes.

Seti vendimtar nisi me dominim të plotë të gjermanit, i cili krijoi avantazh të shpejtë 4-0. Pavarësisht përpjekjeve të Kobolit për t’u rikthyer, Zverev ruajti qetësinë dhe mbylli ndeshjen pas një gabimi vendimtar të italianit. Me këtë fitore, Zverev thyen edhe dominimin e kohëve të fundit të Karlos Alkarazit dhe Janik Sinerit në turnetë Grand Slam, duke hyrë përfundimisht mes emrave më të mëdhenj të tenisit botëror.

Me suksesin e djeshëm, Zverev bëhet kampioni i parë i ri në “Roland Garros” që nga viti 2015, kur zvicerani Stan Vavrinka kishte fitonte ndaj Novak Xhokoviçit. Me triumfin në Paris, gjermani fiton edhe 2.8 milionë euro, ndërsa 1.4 milionë shkojnë për Kobolin.

Zverev tha edhe fjalët e para si kampioni më i ri në “Roland Garros”, duke e nisur me një mesazh për rivalin italian. “Dua të përgëzoj Flavion, pasi ka bërë dy javë të jashtëzakonshme. Nga zemra ime, shpresoj që shumë shpejt të mbash një nga këto trofe. Kjo fushë është shumë e veçantë për mua në shumë mënyra. Këtu kam përjetuar momentet më të mira të jetës sime, por edhe më të vështirat. Para katër vitesh isha shtrirë në atë cep me shtatë ligamente të këputura dhe dy kocka të thyera. Humba një finale këtu dy vite më parë, por tani, më në fund, ka një fund të lumtur”, u shpreh Zverev.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL