EKSKLUZIVE/ Pogradeci konfirmohet pretendent, firmos me sulmuesin me eksperincë në Superiore
Pogradeci vijon të lëvizë në merkaton e verës dhe ka siguruar një përforcim me shumë eksperiencë për sezonin e ri.

Gazeta “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime pranë klubit se Silvio Zogaj është zyrtarisht lojtari më i ri i skuadrës liqenore. Pas dy sezonesh në futbollin e Kosovës me fanellën e Lirisë së Prizrenit Zogaj vendos të rikthehet në kampionatin shqiptar aty ku ka ndërtuar pjesën më të madhe të karrierës së tij dhe ku njihet si një futbollist me eksperiencë dhe cilësi të spikatura.
Gjatë viteve të fundit ai ka qenë pjesë e disa prej skuadrave të njohura të futbollit shqiptar duke veshur fanellat e Luftëtarit, Laçit, Vllaznisë, Kastriotit, Flamurtarit dhe Erzenit. Kjo eksperiencë e pasur pritet të jetë një vlerë e shtuar për Pogradecin në objektivat e sezonit të ardhshëm.
Drejtuesit e klubit e konsiderojnë afrimin e Zogajt si një lëvizje të rëndësishme pasi ai sjell jo vetëm cilësi në fushën e lojës, por edhe eksperiencën e nevojshme për të udhëhequr skuadrën në momentet vendimtare të kampionatit. Me këtë transferim Pogradeci jep një sinjal të qartë se synon të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe të jetë protagonist në sezonin e ri.
Ndërkohë merkatoja e klubit pritet të mos mbyllet me kaq, pasi drejtuesit po punojnë edhe për afrime të tjera në ditët në vijim.
FATOS LAMAJ – PANORAMASPORT.AL













