EKSKLUZIVE/ Ngërç në Shkodër, dështojnë bisedimet e Vllaznisë në fundjavë me dy objektivat e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2026 | 8:26

EKSKLUZIVE/ Ngërç në Shkodër, dështojnë bisedimet e Vllaznisë në fundjavë me dy objektivat e merkatos

Merkatoja e verës ka nisur me ritëm të lartë për Vllazninë, por jo gjithçka po shkon sipas parashikimeve në kampin kuqeblu. Teksa drejtuesit po punojnë për të ndërtuar skuadrën që do të përfaqësojë Shkodrën në sezonin e ri, dy pista që dukeshin drejt finalizimit kanë mbetur pezull, duke krijuar paqartësi për hapat e ardhshëm të klubit.

hebaj

HEBAJ – Rasti më i bujshëm lidhet me Rubin Hebajn. Sulmuesi shkodran shihej nga shumëkush si një rikthim pothuajse i sigurt në “Loro Boriçi”, por situata ka marrë një kthesë të papritur. “Panorama Sport” mëson se futbollisti është takuar ditët e fundit me drejtuesit e Vllaznisë, por palët nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët për kushtet e bashkëpunimit.

Burime pranë negociatave bëjnë me dije se fillimisht ishte diskutuar për një kontratë dy vjeçare, formulë që dukej se kënaqte të dyja palët. Megjithatë, oferta përfundimtare e klubit ka qenë një marrëveshje e tipit 1+1, çka nuk është pritur mirë nga sulmuesi. Për pasojë, bisedimet kanë ngecur dhe aktualisht Hebaj duket më larg se kurrë një rikthimi te 9 herë kampionët e Shqipërisë.

NURJA – Ndërkohë, një tjetër çështje e mbetur në gjysmë është ajo e Joni Nurjës. Mbrojtësi i majtë, i cili zhvilloi një sezon mjaft pozitiv me Besën e Kavajës në Kategorinë e Parë, ka qenë gjatë fundjavës në Shkodër. 24-vjeçari kishte udhëtuar me idenë për të mbyllur detajet e fundit dhe për të hedhur firmën mbi kontratë, pasi bisedimet mes palëve konsideroheshin praktikisht të përfunduara.

Megjithatë, ndonëse gjithçka dukej gati për zyrtarizimin e transferimit, marrëveshja nuk është vulosur. Ende nuk dihen saktësisht arsyet që kanë sjellë këtë ngërç të momentit, por fakti është se edhe kjo pistë ka mbetur e hapur, duke lënë në pritje një afrim që konsiderohej i sigurt vetëm pak ditë më parë.

Deri në këto momente, afrimi i vetëm i zyrtarizuar nga Vllaznia mbetet Patrik Bardhi. Një lëvizje e rëndësishme, por që sigurisht nuk mjafton për të plotësuar nevojat e skuadrës. Me ndeshjet europiane që afrohen dhe me objektivat madhorë në kampionat, drejtuesit kuqeblu pritet të intensifikojnë punën në ditët në vijim për të ndërtuar një grup sa më konkurrues dhe për t’i dhënë trajnerit Edi Martini elementët e nevojshëm për sezonin 2026-27.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL