Egnatia gjen formulën e golit, 10 rrjeta në tri sfida europiane
Egnatia ka nisur sezonin europian me një ritëm që pak kush e priste në aspektin ofensiv. Kampionët e Shqipërisë kanë shënuar plot 10 gola në tri ndeshjet e para të Ligës së Kampioneve, duke konfirmuar se një nga repartet që ka bërë përparimin më të madh është pikërisht sulmi.

Pas barazimit 1-1 në Moldavi ndaj Petrokubit, rrogozhinasit shpërthyen me një fitore 6- 1 në ndeshjen e kthimit, ndërsa edhe ndaj Çeljes, një kundërshtari dukshëm më cilësor, gjetën tri herë rrugën e rrjetës. Shifrat tregojnë qartë se Egnatia nuk ka më vështirësi në ndërtimin e rasteve apo finalizimin e tyre. Përkundrazi, skuadra e Nevil Dedes po krijon vazhdimisht mundësi shënimi dhe po arrin të gjejë golin edhe ndaj kundërshtarëve që kanë një nivel më të lartë në arenën europiane. Janë 10 gola në vetëm 270 minuta futboll, një mesatare prej më shumë se tre golash për ndeshje, statistika që flasin vetë për potencialin ofensiv të kampionëve të Shqipërisë.
BINDIN AFRIMET – Merkatoja e verës duket se ka filluar të japë frytet e para. Nga 10 golat e shënuar deri tani në Europë, katër mbajnë firmën e futbollistëve të afruar gjatë kësaj vere, një tregues se përforcimet nuk kanë ardhur vetëm për të shtuar konkurrencën në skuadër, por edhe për të bërë menjëherë diferencën. Eneo Bitri ka realizuar dy gola, të dy me peshë të madhe, duke zhbllokuar ndeshjet ndaj Petrokubit dhe Çeljes. Jago gjeti rrjetën në fitoren 6-1 ndaj moldavëve, ndërsa Diabate debutoi si golashënues në sfidën me Çeljen, kur riktheu baraspeshën në një moment delikat të takimit. Fakti që katër gola janë realizuar nga afrimet e reja tregon se procesi i përshtatjes ka qenë shumë i shpejtë. Futbollistët e ardhur gjatë merkatos janë integruar menjëherë në idetë e Nevil Dedes dhe kanë fituar besimin e stafit teknik me paraqitjet e tyre.
GOLA NGA ÇDO REPART – Një tjetër statistikë që bie në sy është shpërndarja e golave. Egnatia nuk varet nga një sulmues apo nga një futbollist i vetëm për të gjetur rrugën e rrjetës. Deri tani kanë shënuar shtatë futbollistë të ndryshëm, çka e bën skuadrën shumë më të paparashikueshme në fazën sulmuese. Bitri ka sjellë gola nga mbrojtja falë forcës në lojën ajrore, Jago ka shënuar gjithashtu. Fernando dhe Albaneze kanë kontribuar nga mesfusha, ndërsa Bakajoko, Gruda dhe Diabate kanë dhënë kontributin e tyre në repartin ofensiv. Ky është një tregues se Egnatia ka fituar shumë më tepër alternativa dhe se çdo repart mund të bëhet vendimtar në momentet kyçe të ndeshjeve. Edhe fazat standarde po rezultojnë një armë e rëndësishme për skuadrën. Bitri ka shënuar dy herë pas goditjeve nga këndi, ndërsa rrogozhinasit kanë krijuar vazhdimisht rrezik në situata të tilla, falë organizimit dhe punës së bërë në stërvitje.
FILOZOFIA – Ndryshimi nuk lidhet vetëm me emrat e rinj, por edhe me mënyrën si luan skuadra. Me ardhjen e Nevil Dedes, Egnatia ka fituar më shumë ekuilibër, por njëkohësisht është bërë edhe më e rrezikshme në tranzicion. Sulmet ndërtohen me më shumë shpejtësi, topi qarkullon më mirë dhe futbollistët lëvizin vazhdimisht pa top, duke krijuar hapësira për njëritjetrin. Vetë trajneri ka theksuar se dëshiron një skuadër kompakte, e cila di të vuajë kur nuk ka topin, por që bëhet shumë agresive sapo e fiton atë. Pikërisht kjo filozofi po reflektohet edhe te numri i golave të realizuar në Europë, ku Egnatia ka ditur të godasë pothuajse në çdo ndeshje. BESIMI – Edhe pse ndaj Çeljes nuk erdhi fitorja, tre golat e realizuar ndaj kampionëve të Sllovenisë përbëjnë një tjetër sinjal pozitiv. Egnatia reagoi dy herë pasi mbeti në disavantazh, krijoi raste deri në fund dhe tregoi se mund të rivalizojë edhe me skuadra që kanë më shumë eksperiencë në arenën europiane. Tashmë sfida e kthimit mbetet plotësisht e hapur. Kampionët e Shqipërisë do të udhëtojnë drejt Sllovenisë me besimin se mund të shënojnë edhe atje, pasi sulmi ka qenë arma më e fortë e skuadrës në këtë fillim sezoni. Dhjetë gola në tri ndeshje nuk janë rastësi, por pasqyrim i një skuadre që ka fituar besim, alternativa dhe cilësi në repartin ofensiv.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













