VOLEJBOLL/ Liga e Europës, Shqipëria poker humbjesh në fundjavë
Shqipëria e volejbollit ka debutuar gjatë fundjavës në fazën e grupeve të Ligës së Europës 2026, duke zbritur në parket me të dyja Kombëtaret, si me vajzat gjithashtu edhe me djemtë.

Por, përfaqësueset kuqezi nuk arritën që të linin gjurmë në daljet e tyre në arenën ndërkombëtare, duke regjistruar vetëm humbje, të gjitha në shifra të pastra.
FEMRAT – Shqipëria e vajzave, e drejtuar nga trajneri italian Nikola Korneli, pasi kaloi me sukses paraeliminatoret, bëri debutimin në grupe, duke zhvilluar fazën e parë me grumbullim në Nokia të Finlandës. Pa Erblira Bicin në dispozicion për këto takime, vajzat kuqezi janë një ekip modest, teksa të shtunën u mposhtën me rezultatin 0-3 nga Zvicra në një sfidë që zgjati 73 minuta. Zviceranet i fituan setet përkatësisht 14-25, 20-25 dhe 18-25. Paola Gjata dhe Kejda Kodra realizuan nga 9 pikë secila, ndërsa Xhovana Kaçorri 8.
Në takimin e së dielës, vajzat kuqezi u mposhtën nga vendëset e Finlandës me rezultatin 0-3 (8- 25, 19-25, 16-25). Një përballje që zgjati vetëm 68 minuta, e dominuar nga skuadra nordike. Më datat 12-14 qershor do të jetë radha e xhiros së dytë në Rumani, me Shqipërinë që do të luajë kundër rumuneve dhe kundër Malit të Zi. Ndërsa xhiro e tretë do të zhvillohet në Tiranë më datat 19-21 qershor, me Suedinë dhe Austrinë.
MESHKUJT – Kombëtarja e meshkujve, e drejtuar nga trajneri Jani Melka, u rikthye në pjesëmarrjet ndërkombëtare pas një mungese 4-vjeçare, teksa mori pjesë në grumbullimin e parë që u mbajt në Poprad të Sllovakisë.
Kuqezinjtë luajtën fillimisht të shtunën kundër Estonisë, takim që e humbën në shifrat 0-3 (17-25, 23-25, 26-28). Një ndeshje që zgjati 92 minuta, ndërsa për tu veçuar ishte fraksioni i tretë i lojës, aty ku Shqipëria shpërdoroi plot 4 “set point”-e, duke humbur me pikë shtesë. Anton Qafarena me 16 pikë dhe Leonardo Doda ne 11 ishin shënuesit më të mirë në radhët e kuqezinjve.
Më pas, në sfidën e së dielës, Shqipëria u mposht nga vendësit e Sllovakisë me rezultatin 0-3 (23-25, 27- 29, 15-25), përballje që zgjati 97 minuta. Kuqezinjtë rivalizuan fort në dy setet e para, por pa mundur që t’i finalizonin me sukses. Qafarena e mbylli me 17 pikë takimin, ndërsa Doda shënoi 13.
Grumbullimet i radhës do të jetë në Finlandë më datat 12-14 qershor, aty ku Shqipëria do të luajë kundër Finlandës dhe Kroacisë. Ndërsa, grumbullimi i tretë do të jetë në Tiranë më datat 19-21 qershor, me kuqezinjtë që do të matin forcat kundër Danimarkës dhe Kroacisë.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













